Në mbledhjen e të premtes, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi unanimisht, që emri i Bulevardit të Ri të jetë “Çamëria”. Kështu qytetarët e Tiranës, por në veçanti shqiptarët me prejardhje nga krahina e Çamërisë, do të kujtojnë përherë vuajtjet e popullësisë shqiptare të Çamërisë, e shpërngulur me forcë nga qeveritë greke në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Ky vendim është pritur mirë edhe nga komuniteti Çam, ku nëpërmjet Shoqatës Patriotike Çamëria, kreu i saj Dritan Sejko, ka shprehur përgëzimin për Bashkinë e Tiranës për vendimin e marrë.
“Shoqata Patriotike “Çamëria” përgëzon vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për emërtimin e sheshit “Çamëria” në Bulevardin e Ri të Tiranës. Kërkesa e kahershme e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, që kryeqyteti të kishte një shesh me emrin e Çamërisë, trevës martire të shqiptarëve, ishte një detyrim kombëtar”.
“U desh këmbëngulja e Shoqatës Patriotike Çamëria dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak,të PDIU-së, zotit Arjan Çukaj, që pas 4 vitesh, Bashkia e Tiranës të realizonte premtimin e dhënë që në muajin qershor të 2015-të. Shqiptarët e Çamërisë të vendosur në qytetin e Tiranës, pas shpërnguljes me dhunë në vitin 1944-1945, jetojnë prej 75 vjetësh me bashkëqytetarët e tjerë të kryeqytetit, duke ndërtuar bashkë në harmoni jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e bërë nga Dritan Sejko.
Më tej, duke e cilësuar këtë si një arritje të Shoqatës Çamëria, Dritan Sejko kujton se politika kohët e fundit ka tentuar ta vendosi Çamërinë në sirtarët e harresës, ndërsa u bën tirrje qytetarëve të marrin pjesë në marshimin e 27-qershorit në varrezat Monumentale të Kollgjerit në Konispol.
“27 qershori është dita e përkujtimit të masakrave në çamëri, ku NE çdo vit, përkujtojmë të parët tanë. Edhe këtë në vit, ftojmë të gjithë shqiptarët të marrin pjesë pelegrinazhin e përvitshëm në Qafë-Botë dhe në varrezat Monumentale të Kllogjerit, në Konispol. Çamëria nuk harron! Ne nuk harrojmë! Sot është koha për Çamërinë”, përfundon deklarata e Shoqatës Çamëria.