Pas Kadaresë, edhe shtëpia e Dritëro Agollit do të bëhet muze

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në hapjen zyrtare të shtëpisë muze të shkrimtarit Ismail Kadare. Shtëpita e rikonstruktuar është hapur zyrtarisht për vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët do të njihen me ambientet e shtëpisë ku jetoi dhe ka shkruar shumë nga veprat letrare shkrimtari ynë ndërkombëtar, Ismail Kadare.            

“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi”, tha Veliaj.

Por puna për të shndërruar në muze shtëpi ku kanë jetuar personalitete të njohura të letrave shqipe nuk do të ndalet këtu. Erion Veliaj është shprehur se pas shtëpisë së Kadaresë, radhën e ka ajo e Dritëro Agollit.

“Ne jemi duke eksploruar edhe hapësirat e tjera në Tiranë, që ashtu si shtëpia e Ismailit edhe Dritëroit, të kemi edhe hapësira të tjera që mund t’i kthejmë të vizitueshme, edhe në cepa të ndryshme të qytetit, për të mos u fokusuar në pjesën tonë qendrore. Ne duam që me këtë rast, të fillojmë një traditë shumë të bukur të muzeumeve vendore”, theksoi Veliaj.

Skip to toolbar