Në ditën Botërore kundër Duhanit, Ministrja e
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se së shpejti
do të miratohen në Kuvend ndryshimet në projektligjin për duhanin duke vendosur
masa më të ashpra.
Ministria ne Shëndetësisë ka propozuar që cigarja
elektronike dhe duhani me ngrohje të konsiderohen si produkte duhani. Gjithashtu
do të hiqen nga tregu paketat me 10 cigare dhe ato me shije karakteristike.
“Produktet novatore të duhanit që kanë hyrë së
fundmi në tregun shqiptar dhe që kanë qenë tërësisht të parregulluara, si
cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje do të konsiderohen produkte duhani
dhe do të trajtohen si të tilla. Jemi të vendosur për të dekurajuar përdorimin
e duhanit në çdo formë”, tha Manastirliu.
“Me anë të këtyre ndryshimeve ligjore forcojmë
më tej masat kundër duhanpirjes, për të mos lejuar askënd të abuzojë me ligjin,
duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato
subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Manastirliu.
Më konkretisht, nëse një subjekt shkel dy herë
rresht brenda dy muajve ligjin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të
brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të
njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës dhe i
pezullohet aktiviteti.
“Në frymën e Direktivës së BE si dhe Konventës
Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit, me ndryshimet e pritshme ligjore, do
të ndalohet duhanpirja në ambientet e mbyllura edhe për duhanin me ngrohje,
cigaren elektronike dhe shisha/nargjile. Gjithashtu do të largohen nga tregu
paketat me 10 cigare si dhe cigarette me shije karakteristike. Me anë të këtyra
masave synojmë të mbrojmë të rinjtë dhe adoleshentët nga këto produkte që kanë
shkallë të lartë varësie”, tha Ministrja.
31 Maji është Dita Botërore kundër Duhanpirjes
dhe slogani i këtij viti është “Duhani
dhe shëndeti i mushkërive”.