Rama: Përgjegjësia e BE. Shqipërinë europiane e kemi testament

Mungesën e një vendimi pozitiv të Këshillit Europian për hapjen e negociatave ndaj Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama e cilëson si përgjegjësi të Bashkimit Europian. Në konferencën për shtyp, që mbajti pasditen e të premtes, kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria bëri përpjekje maksimale për të marrë atë që i takonte, jo njëherë, por dy herë rresht, duke pasur parasysh vendimin e Këshillit Europian në qershor. “Janë bërë përpjekjet maksimale për të marrë atë që na takon, asgjë më shumë. Por atë që kemi merituar. Këtë nuk e them unë, por tanimë e ka thënë jo vetëm Komisioni Europian, por e thanë pjesa më e madhe e kryeminsitrave të BE. Dua ta vë theksin shumë qartë, se ndërkohë që ata të cilët janë jashtë nesh, ata që përfaqësojnë BE, e thonë pa ekuivok se me mosarritjen e vendimit të djeshëm, përgjegjësia është e brendshme e BE, është e papranueshme dhe e pajustifikueshme se këtu fillon dhe shtrohet diskutimi se mosvendimi i djeshëm vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave. Ne i kemi përmbushur, jo njëherë por dy herë rresht. Prej kohësh, sa herë kanë folur, kanë vendosur një ?. Kryeministri Italian e quajti gabim historik”, tha Rama.

Duke treguar se kishte pasur mesazhe nga shumë kryeministra të vendeve të BE, por dhe nga Presidenti i Francës Emanuel Macron, Edi Rama u shpreh se procesi i vendimmarrjes shkoi drejt përplasjes midis Gjermanisë dhe Francës, për shkak të qasjes që kanë dy vendet për zgjerimin. “Nga ana tjetër dua t`ju them se kam marrë një numër të konsiderueshëm mesazhesh nga një pjesë e kryeministrave në takim, me disa prej tyre. Kam komunikuar edhe me Macron. Nëse duam të shohim në sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh, duke e parë nga të gjitha kontaktet, se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh  mes Francës dhe Gjermanisë dhe një pjese të konsiderueshme që ishin për “Po”. Ndërkohë që Gjermania bëri një lëvizje me shpresën e kompromisit. Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces. Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE dhe transformim të procesit të integrimit, deri në pikë që të arrihet deri në një tjetër objektiv për integrimin”, tha Kryeministri.

Europa, i kujt është faji?

Sipas Kryeministrit Edi Rama, në situatën aktuale të BE-së, asnjë nga vendet që aktualisht janë anëtare të unionit, nëse do të ishin aktualisht në statusin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk do kishin marrë hapjen e negociatave. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama vijoi duke u shprehur se mospasja e vendimit nga Këshilli i Europës, ishte një refuzim, por asgjë më shumë. Ndaj sipas tij, Shqipëria do të vijojë të përmbushë kushtet e kërkuara nga Bundestagu. “Kemi marrë një refuzim për hapjen e negociatave mbrëmë, por nuk kemi asgjë më shumë se kaq. Ne ato që kemi bërë do vazhdojmë ti bëjmë, për vendin tonë. Nëse kemi bërë reformën në drejtësi, që nuk u është kërkuar fare disa prej vendeve që kanë hyrë në BE, jo para se të çeleshin negociatat por as kur kanë qenë në përfundim të tyre. Ashtu sikundër, do të vazhdojmë me plotësimin e parakushteve të vendosura nga Bundestagu për reformën zgjedhore dhe natyrisht në pritje të plotësimit të Gjykatës Kushtetetuese. Do të vazhdojmë më pas me pjesën tjetër që ka të bëjë, me kërkesa të lidhura me funksionimin më të mirë të shtetit dhe institucioneve tona. Jo se e ka kërkuar Gjermania, ne do ti bëjmë këto dhe të gjitha të tjerat pa ndryshuar asgjë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria punoi maksimalisht për të ndryshuar mendimin e disa vendeve. Ai mori si shembull Gjermaninë, që sipas Kryeministrit në qershor nuk kishte të njëjtin qëndrim si tani. Rama tha se Gjermania ndryshoi për shkak të fakteve, duke bërë që vetë Kancelaria Angela Merkel të punonte maksimalisht për të arritur një kompromis. “Ne do vazhdojmë të ndërtojmë Shqipërinë europiane këtu në vendin tonë. Me përpjekjen tonë kemi kthyer Gjermaninë. Në qershor nuk e kishim në pozicionin që kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe, dhe vecanërisht mbrëmë. Kancelarja bëri gjithçka për të arritur në një kompromis. Këshilli nuk ka asgjë të shkuar, është zero. Sepse nuk ka asnjë pikëtakimi. Është një përplasje e madhe për të nesërmen e BE-së. CDU/CSU i kemi kapërcyer me diplomaci dhe me gjuhën e fakteve dhe kemi marrë mbështetje prej shumicës prej tyre. Tani na mbetet të vazhdojmë dhe s`ka asnjë alternativë tjetër. Shqipëria europiane nuk është njëri nga planet, është testament dhe detyrimi i madh që ne i kemi gjeneratave të tjera”, tha Rama.

I pyetur nga gazetarët nëse do të kërkonte një mocion besimi në Kuvend, Kryeministri Edi Rama u shpreh se këtë, nëse do t`ia kërkonte, do të ishte vetëm parlamenti i Francës, pasi parlamentit të Shqipërisë nuk kishte pse t`ia kërkonte. “Mund t`ia kërkoj parlamentit francez, por parlamentit shqiptar nuk kam për çfarë t`ia kërkoj. Maqedonia ka 14 vjet që pret të çel negociatat. Ka 14 vjet që merr sinjale pozitive, dhe nuk merr asnjëherë “Po”. E detyruan të ndryshonte emrin, identitetin. Dhe thanë që po u bë kjo, u zgjidh”, tha Rama.

Basha sulmon drejtësinë dhe mediat: S`ka Kod Penal, që ndalon protestën

Lulzim Basha iu bashkua protestës së banorëve të “Astirit” të dielën pasdite. Ndonëse me ndryshimet e Kodit Penal, kushdo që bllokon rrugën arrestohet, kryedemokrati dhe disa protestues sfiduan këto ndryshime, duke bllokuar për disa minuta njërin krah të Unazës së Re. Më pas, Lulzim Basha sulmoi Prokurorinë, duke u shprehur se organet e drejtësisë janë me kamikazë politikë. “Prokuroria është e kapur dhe ka kamikazë politikë në gjykata dhe në Prokurori. Prandaj Rama nuk përgjigjet para ligjit, sepse ai e ka kapur Prokurorinë. Balla është sot njeriu i cili mbështet një trafikant droge për ndërtime pa leje. Damian Gjiknuri që iu përfshi emri në afera korruptive. Saimir Tahiri që dihet botërisht ka lidhje me bandat e trafikut të drogës”, tha Basha.

Më tej, sipas Lulzim Bashës, pa shkuar Edi Rama në Burg, nuk do të ketë Shqipëri europiane. “Shqipërisë nuk do i hapen rrugët në Europë me një mashtrues dhe pa çuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin nga i pari tek i fundit. Opozita e bashkuar sot qëndron në krah të baballarëve, për një Shqipëri europiane dhe jo Shqipëri vend kriminelësh e hajdutësh. Ne luftojmë për Kushtetutë dhe ligj. Pa u çuar para drejtësisë Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund të ketë Shqipëri europiane”, tha Basha.

Ndërsa, më tej kreu i PD lëshoi akuza edhe për disa media në vend, që sipas tij kanë pronar të korruptuar. “Beteja jonë është për një Shqipëri ku politikanët të dënohen si qytetarët e thjeshtë. Unë kam respekt për çdo gazetar, por ka pronarë mediash të korruptuar. E drejta e protestës është më e shenjtë se sa e drejta e Edi Ramës për të vjedhur me Karlo Bolinon. Nuk ka Kod Penal që të ndalojë protestën. Vetëm në vendet diktatoriale ndalohet protesta”, tha Basha.

Sipas kryedemokratit, ndaj banorëve të Unazës së Re po ushtrohet terror, ndërsa akuzoi qeverinë se po devijon projektin e Lanës, për ndërtimin e kullave.  “Prej një viti ndaj banorëve të Unazës së Re po ushtrohet terror. Qeveria po devijon projektin e Lanës, për t’i dhënë mundësinë një trafikanti, mik të Ramës e të Ballës, që do të pastrojë paratë e krimit në kulla. Policët, të cilët janë në hallin e tyre dhe marrin paga të ulëta, por janë rreshtuar në anën e gabuar. Gjykata ka vendosur të lërë në burg sot 3 baballarë”, tha Basha.

Shkarkimi i Metës, Rama: Venecia konfirmoi drejtësinë e mazhorancës

Kryeministri Edi Rama reagoi pasditen e të premtes, pak orë pasi Komisioni i Venecias miratoi Opinionin përfudimtar të kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në lidhje me hetimet e nisura për Presidentin Ilir Meta. Kreu i qeverisë, shkruan se: “Komisioni i Venecias, konfirmoi pa asnjë ekuivok, drejtësinë e qëndrimit tonë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit”.

Sipas Kryeministrit Rama, Komisioni i Venecias arriti në tre përfundime thelbësore. Së pari, “Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të fitonin mundësinë të pengonin çdo proces zgjedhor”, shkruan Rama.

Përfundimi tjetër, është se “Anullimi i zgjedhjeve dhe më tej shtyrja e tyre cenoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur”, ndërsa përfundimi i tretë është se “Presidenti veproi në mungesë të bazës ligjore kur anulloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në kushtetutë dhe në ligj”, tha Kryeminstri.  

Edi Rama dhe mazhoranca, janë të palëkundur në qëndrimin e tyre, se “Presidenti shkeli Kushtetutën”, ndaj dhe janë të vendosur për ti shkuar deri në fund procesit të shkarkimit të kreut të shtetit. Komisioni Hetimor Parlamentar, tashmë me afat të zgjatur, do të ketë si bazë të vendimit përfundimtar të hetimit të Ilir Metës, gjetjet e Komisionit të Venecias./Realstory.al/

Rama, Bashës: Këmbësor te hija e fikut, kush je ti që më çon mua kushte?!

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj ashpër Lulzim Bashës, pas deklaratës së kryedemokratit që i vinte “kushte” mazhorancës për dialogun për Reformën Zgjedhore. Rama foli me ironi por dhe me tone të larta, duke i drejtuar pyetje retorike kryedemokratit: “Kush je ti, kë përfaqëson?”. “T’i thotë një këmbësor që rri tek hija e fikut një makine hap krahun. Me çfarë dekreti hyjnor e ke marrë të drejtën të më çosh mua planin? Kush je ti kë përfaqëson? Ata që përfaqëson i ke lënë në rrugë bashkë me veten, ata janë të mirëpritur në çdo moment, unë ju kam të gjithëve njësoj, juve këtu dhe ata atje, madje për ata kam pak më shumë dhimbje dhe kujdes se janë në hall më të madh, ju nuk jeni në hall të madh, ju keni hallin e Evropës”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri u kërkoi deputetëve të opozitës në Kuvend, që të bashkëpunojnë për të bërë sa më parë Reformën Zgjedhore, duke i qëndruar rekomandimeve të OSBE/ODIHR.  “Miqtë e mi, reformën zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ta ta bëjmë urgjent. Ata që janë jashtë nuk e duan. Ju që jeni brenda nuk keni përse të mos e doni. Ju thoni sistemi, ata që janë jashtë nuk e duan se një nga gjërat që do bëjmë bashkë është heqja e komisionerëve politikë. Të bëjmë reformën zgjedhore, të presim të plotësohet gjykata Kushtetuese dhe e Lartë dhe t’i  themi miqve tanë gjermanë, që janë avokatët e negociatave sot,  ne i kemi plotësuar kushtet”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama ka bërë batuta me deputetin e opzitës Kujtim Gjuzi, i cili tentoi të replikonte disa herë me kryeministrin gjatë kohës që Rama fliste. Shefi i qeverisë u shpreh me nota ironike, se nëse “deputetët e tjerë të opoziës kanë hallin e Evropës, Gjuzi ka hallin e monarkisë”. “Zotëria atje ka hallin e monarkisë. Hallet tuaja luksoze mbajini vet, se erdhi se nuk erdhi monarkia, ti je mbret pa mbretëri (i drejtohet Kujtim Gjuzit), po mbret je nuk të lëviz njeri nga froni. Gjuz ti nuk je i përgjegjshëm, ti je mbret, je më shumë. Naltmadhëni, ulu, se jemi akoma në republikë. O naltmadhni, dallimi mes meje dhe teje është se ti ke jetuar në luftën e parë botërore, mos më fut në terrenin e luftës se aty me mund. Ti vjen nga lufta e pare, flet me kompetencë”, tha Rama.  /Realstory.al/

Rama i ashpër me BE: Është në krizë, nuk është gati të bëjë “krushqi” me ne

Kryeministri Edi Rama foli ashpër në Kuvend, në debatin për miratimin e Rezolutës për “Hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE”. Rama u është përgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës në Kuvend, por dhe asaj jashtë parlamentit, në lidhje me kushtet e vëna nga Gjermania. Kryeministri u shpreh se kushtet Gjermane janë për politikë të brendshme, dhe jo për hapjen e negociatave.

“Kushtet Gjermania i ka vënë në funksion të politikës së vetë të brendshme. Ka vota pro ka dhe vota kundër, me gjithë kushtet. Të jeni të qartë, Gjermania ka thënë Pro për një arsye. Kancelaria ka vënë veton se nuk ka ndarje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Grupi parlamentar u rreshtua “pro” Shqipërisë. 9 kushtet nuk janë 9, por janë 999. Sepse ne, në procesin e integrimit, duhet të ndërtojmë Shqipërinë Europiane. Ato kushte janë të gjitha të lidhura me punë, siç u thanë, do të bëhen. Sa kohë ka që u fol, çfarë është Vettingu; pushim nga puna. Jo, është pastrim i sistemit”, tha Rama.

Më tej, Rama shpjegoi se në situatën në të cilën ndodhet Bashkimi Europian aktualisht, asnjë vend anëtar i tij, nëse do të ishte kandidat, nuk do të merrte dritën jeshile për hapjen e negociatave.  “Sot cilido nga vendet e BE-së që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin të futej në BE nuk do të futej dot në BE. Sot cilido nga vendet që është në BE aktualisht, nuk do futej në BE dhe madje vende që ishin në BE përpara rënies së komunizmit, nuk do futeshin dot në BE”.

Duke vijuar me kritikat ndaj Bashkimit Europian, Rama u shpreh se Unioni është në krizë, pasi brenda tij diskutohet jo zgjerimi, por dalja e vendeve anëtare nga BE. “Sot që flasim, Sepse BE është në një debat të brendshëm i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin në BE por daljen nga një situatë e cila e ka vendosur BE në pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera. Dhe sot debati mes Francës e Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur pa ngrënë arra në dorë, dhe atyre që nuk e duan zgjerimin, nuk lidhen fare, as me argumentet e përdorura këtu për politike të brendshme, dhe as me Shqipërinë, apo Ballkanin Perëndimor. Nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto 3 kushte, pasi t’i i plotëson të thonë se kanë kushte të tjera, kjo do të thotë se nuk janë gati ata. Mos u bëni qesharakë ”, tha Rama. /Realstory.al/

Rama sonte në “Real Story”

Kryeministri Edi Rama rikthehet në Real Story të enjten më 3 tetor, ora 21:00 në News 24 përballë Sokol Ballës.

Kreu i qeverisë do t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarit Balla mbi çështjet më të nxehta që shoqëruan jo vetëm stinën e verës, por vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, mbi krizën politike, nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Meta, zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe shumë të tjera pa lënë mënjanë diskutimin mbi Ballkanin dhe çështjen e hapjes së negociatave.

Të enjten në orën 21:00 ndiqini të gjitha këto dhe më tepër në emisionin ‘Real Story’ Kryeminsitrin Rama përballë gazetarit Sokol Balla.

Rama i përgjigjet Bashës dhe e “quan” karrocier

Gjatë konferencës të mbajtur të mërkurën, Kryeministri ironizoi Partinë Demokratike. I pyetur nga gazetarët nëse do të ishte solidar me PD siç u tregua me të prekurit nga tërmeti, Rama tha: “Tërmeti në PD është i realizuar me metoda artificiale”, tha Rama.

Ndërkohë, kreu i qeverisë i është përgjigjur dhe “ultimatumit” të Lulzim Bashës për zbatimin e planit të opozitës. Rama u shpreh se më të rëndësishme janë “problemet e njerëzve”.

“Më e rëndësishme se sa të harxhojmë kohë me njëri-tjetrin me këtë procesin; ‘e tha, pse se thua’…Njerëzit duhet të merren me probleme reale. Tërmetet artificiale unë kam në dorë ti krijoj, por jo ti parandaloj. Tërmetet natyrale largqoftë askush nga ne si ndalon dot, ajo që kemi në dorë është të bëjme cfarë kemi në dorë. Keshtuqë është njësoj si një karrocë me kalë ti thotë një treni hap krahun. Mirupafshim”, tha Rama.

Kujtojmë se të mërkurën paradite, PD publikoi kushtet e vëna ndaj qeverisë për dialogun e Reformës Zgjedhore dhe jo vetëm. Ndërkohë, Basha, po gjatë të mërkurës, i vendosi “ultimatum” kryeministrit për plotësimin e këtyre kushteve, ose në të kundërt, siç u shpreh Basha, Rama të hap rrugën se opozita e realizon vetë  planin.

Basha “ultimatum” Ramës: Zbato planin tim, ose hap krahun

Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët e tij mëngjesin e të mërkurës. Në mbledhjen, që zgjati 60-të minuta, Basha dhe aleatët diskutuan për krizën politike në vend dhe aksionin opozitar. Në takim ishin Monika Kryemadhi, Agron Duka, Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Nard Ndoka. Pas mbledhjes me aleatët, Basha foli shkurt për mediat, duke u shprehur se opozita “ka një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza”.

“Kjo nuk është një çështje për Bashën, nuk është një çështje për Ramën. Shqipëria është në krizë, vendi është në krizë. Ne kemi një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza, për Reformën Zgjedhore. Ja kemi dorëzuar Ramës dhe përfaqësuesve të tij. Të marrë ta zbatojë dhe nëse nuk e zbaton dot të hapë krahun se e zbatojmë ne”, u shpreh Basha. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën se për Reformën Zgjedhore ishte gati të dialogonte me opozitën.

“Jam gati në çdo moment që të ulem në tryezë, do të doja që të flisnim për reformën zgjedhore, pasi koha vrapon, nëse ata nuk e ndiejnë presionin e kohës dhe janë në një kalendar tjetër është e drejta e tyre, nuk kam arsye t’u bëj presion, ‘hajdeni, hajdeni, hajdeni’. Jam këtu në çdo moment që ata dëshirojnë. Për të gjithë, çfarë ka në atë karvan, kush dëshiron që të më ketë edhe mua në tavolinë jam gati, kudo, edhe në selinë e PD-së nëse zhvillohet takimi unë shkoj, nuk e kam problem”, tha ndër të tjera Rama një ditë më parë.

Hajdari: Rama sillet si i djathtë, Basha si i majtë

Rudina Hajdari sqaroi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, atë që ndodhi në tryezën e organizuar nga OSBE për Reformën Zgjedhore. Sipas Rudina Hajdarit, toleranca e saj për të pranuar opozitën jashtëparlamentare të ishte pjesë e tryezës, u keqpërdor nga Ivi Kaso. “Mendoj se takimi në tërësi ishte i frytshëm. Të paktën dëgjuam disa nga ekspertët, dhe u takuam bashkarisht me personat që po e organizonin këtë takim. Pritshmëritë janë shumë të mëdha, ky ishte një hap i vogël. Unë them se toleranca ime aty u keqtrajtua. Ne u darkordësuam që Ivi Kaso të ishte prezent, ti jepnim dhe fjalën. Kjo tolerancë u keqpërdor. Ai erdhi me një synim për të minuar gjithë procesin e komisionit të reformës zgjedhore. Ky komision është i njohur nga ndërkombëtarët”, tha Hajdari.

Më tej, Rudina Hajdari shtoi se sfida e opozitës parlamentare është ndryshimi i sistemit. Sipas saj, opozita jashtë parlamentit është e përçarë, ndërsa shtoi se partitë aleate të PD-së, janë për ndryshimin e sistemit. “Ne si opozitë në parlament kemi dhe një sfidë shumë të madhe për ndryshimin e sistemit. Zoti Kaso e keqpërdori këtë moment. Ai erdhi si përfaqësues i opozitës së bashkuar, por opozita është e përçarë. Unë e di që partitë e vogla janë për ndryshim sistemi. Basha nuk do ndryshim sistemi, Kryemadhi nuk do largimin e Ramës. Zoti Kaso u ul pranë zotit Gjiknuri. Ai e ka më mirë që të ulet pranë Gjiknurit se sa pranë zonjës Hajdari”, tha deputetja e opozitës.

Më tej, Rudina Hajdari u shpreh se ajo që ndodhi në tryezën e OSBE, tregon një hile të mazhorancës. “Nuk është e drejtë të citoni Ivi Kason, pa cituar deklaratën time. Ishte një detaj teknik që tregonte shumë për mënyrën se si ai ishte i prirur të pranonte… Fjalimi im thoshte këtë: duhet të ketë ndëshkim të personave që kanë abuzuar me votën e shqiptarëve. Kaso ka më shumë të drejtë morale për ta thënë këtë gjë. Marifetet, hilet, janë të mazhorancës. Kemi një Ramë që sillet si i djathtë, dhe një Bashë që sillet si i majtë”, tha Hajdari./Realstory.al/

Rama si Basha? “S’pranoj përkthim për të folur shqip”

Kryeminsitri Edi Rama është i prerë në qëndrimin e tij në lidhje me hartimin e Reformës Zgjedhore. Nga SHBA, shefi i qeverisë, tregon se nuk do të pranojë një “strukturë ndërkombëtare”, për Reformën Zgjedhore. “Për ne është prioritet i prioriteteve, kalimi i të gjitha ndryshimeve në ligjin zgjedhor që kanë brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Këtë do të duhet harmonizim dhe me partnerët. Ndërkohë që strukturë ndërkombëtare, ndërmjetës ndërkombëtar, dhe përkthyes në gjuhë të huaj për tu marrë vesh mes shqiptarëve, unë për veten time nuk kam për të pranuar asnjëherë”, shprehet Kryeministri.

Rama, thekson se kjo reformë do të ndërtohet mbi bazën e rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR. “Nuk dua tu marrë kohë shqiptarëve, me avazin se kush e ka fajin. Unë dua thjesht të them, se tanimë, ëshë e qartë se ne duhet të përshpejtojmë procesin e reformës bazuar në rekomandimet e OSBe/ODIHR. Por rekomandimet e OSBE/ODIHR janë të qartë, të shkruara, e zezë në të bardhë, dhe ne de to të ecim në to”, tha Rama.

Kreyministri pohoi se kalimi i ligjit të ri zgjedhor, do të përmbushte një kusht shumë të rëndësishëm, me qëllim që Shqipëria të ketë një datë për konferencën e parë të negociatave mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE. “Unë dua që një orë e më parë ne të përmbushim këtë kusht, për Shqipërinë Europiane, për të pasur datën datën e konferencës së parë me qeverinë e Shqipërisë, me të gjitha vendet anëtare ku janë  liderët e këtyre vendeve. Ky është dhe hapi i parë i formalizimit për çështjen e negociatave”, shtoi Rama.

Më herët, kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë thirrje për zgjidhje të krizës në vend, duke u shprehur se “duhet vullnet politik”, ndërsa shtoi se “nuk do të ketë zgjidhje nga ndërkombëtarët, zgjidhja e krizës do të vijë nga brenda”. Megjithatë, PD, në tryezën e OSBE për Reformën Zgjedhore, propozoi ngritjen e një “strukture” me përfaqësues ndërkombëtar dhe të partive politike në vend, për hartimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Përgjigja e kreut të qeverisë, lë të kuptohet, se Reforma Zgjedhore do të bëhet nga partitë politike në Shqipëri, përfshi dhe opozitën në parlament, votat e të cilës do të duhen për të votuar në Kuvend Reformën e re Zgjedhore. /Realstory.al/

Skip to toolbar