“Ai zgjidhjen e sheh veç te karrigia e kryeministrit. Mbase dikush duhet ta zgjojë Z. Basha.” Kështu ka deklaruara deputetja socialiste Edlira Bode gjatë një intervistë për gazetën “Tema”. Bode ka folur për situatën politike duke e cilësuar si një gjendje të krijuar artificialisht nga PD për të justifikuar humbjen e tyre në zgjedhje. Opozita terrorizon shqiptarët me protestat e saj dhe minon ëndrrat për t’u anëtarësuar në BE ka thënë Bode, e cila shton se në asnjë vend, opozita nuk ka protestuar për të mos u zhvilluar zgjedhjet.
Pjesë nga intervista
Gazetari: Znj. Bode, gjendemi në prag të zgjedhjeve vendore dhe situata politike në vend vijon të jetë e tensionuar. Ju si e shihni zgjidhjen për të dalë nga kjo gjendje?
Të jem e sinqertë me ju, ndjej shqetësim kur ma adresojnë këtë pyetje. Edhe pse është një situatë e tensionuar artificialisht, jo veç që ka terrorizuar shqiptarët, por po minon edhe ëndrrën tonë për ta ngritur flamurin kuq e zi në oborrin e Bashkimit Evropian. Me aq sa e kam ndjekur politikën, nuk di ndonjë rast tjetër në botë ku opozita proteston apo ka protestuar për të mos u zhvilluar zgjedhjet.
Gjykoj, se pseudo-kauza e liderit të opozitës jashtë parlamentit po pompohet pasi ai nuk ka më çfarë justifikimi të japë për humbjen e radhës e cila sinjalizohet nga çdo sondazh. Por ky është problemi i tyre dhe jo i yni. Shqetësimi im janë protestuesit që ndjekin urdhrat qorre të liderëve të opozitës, pasi edhe ata që i janë bashkuar aksionit guerrilas janë shqiptarë dhe natyrisht nuk mund të ndjehemi mirë kur i shohim të përleshen rrugëve të kryeqytetit.
-Po zgjidhja?
Nuk ka asnjë dyshim që zgjedhje do të ketë dhe ato do të mbahen në datën 30 Qershor. Jo sepse kështu do Partia Socialiste, por sepse kështu thotë Kushtetuta e vendit dhe minimumi kemi detyrim për ta respektuar. Përvoja tregon, që sa herë është eksperimentuar me shkeljen e saj, ka pasur kosto të madhe për shëndetin e demokracisë së vendit. Çdo parti është e lirë të zgjedhë nëse do të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, por askush, individ apo parti qoftë, nuk ka të drejtën të pengojë zhvillimin e tyre.
Kërcënimet e aktorëve kryesorë të opozitës për ta penguar garën elektorale me metoda luftarake, duken të pakuptimta në sipërfaqe, por në thelb shërbejnë si mburoja për t’i shpëtuar drejtësisë së re. Kodi Zgjedhor, për të cilin edhe vetë PD është investuar për ta hartuar e miratuar, parashikon si vepër penale pengimin e zhvillimit të zgjedhjeve. Ata i dinë, nëse do jetë nevoja për t’i rikujtuar, data më e afërt do të jetë 30 Qershori ku institucionet do të bëjnë detyrën.
-Zonja Bode, natyrisht që secila palë ka pretendimet e saj, por pyetja ime është se si dilet nga kjo gjendje?
Në mjekësi, çdo lloj kure e vendosur nga mjeku për të sëmurin, nuk funksionon nëse edhe vetë pacienti nuk ka vullnetin për t’u shëruar. Ai zgjidhjen e sheh veç te karrigia e kryeministrit? Është e vërtetuar shkencërisht që një person nuk mund të shohë kurrë ëndrrën që sheh një tjetër. Dua të them me këtë, që për ëndrra jemi duke folur, ndaj dikush mbase duhet ta zgjojë Z. Basha.