Nga Farka ku zhvilloi një takim elektoral, Erion Veliaj ka komentuar vendimin e presidentit Ilir Metan për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Veliaj u shpreh se akti i Metës i shkon në ndihmë Lulzim Bashës, por, sipas Veliajt, Luli ka treguar se nuk është i aftë dhe nuk bëhet më.
“Ne të vazhdojmë punën, rrugën dhe drejtimin e duhur për Tiranën tonë. Jam entuziast se shumica e popullit shqiptar nuk shkuan pas një guri që hodhi njëri në lumë. Sot nuk ka asnjë pengesë pse qytetarët të mos zgjedhin politikanët e duhur. Presidenti e provoi që t’i japë Lulit një dorë. Po Lulit jepi ça të duash nuk bëhet më. E kishte Tiranën në dorë 4 vite”, u shpreh Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se Lulzim Bashën po mundohen ta mbajnë me pilula, ndërsa shtoi se sot u kemi thënë lamtumirë atyre që na bllokojnë. “Lulin po mundohen ta mbajnë me shiringa me pilula, po nuk bëhet më. Këtu në Farkë s’kishte autobus të vinte këtu, nuk kishte një kopsht, një çerdhe. E menaxhonte Loni këtu. Duket sikur ka qenë para 100 viteve, por ka qenë para pak. Sot i kemi thënë lamtumirë dekreteve, lamtumirë atyre që na bllokojnë”, tha Veliaj.
Gjatë fjalës së tij, Erion Veliaj, u shpreh se dekreti i Metës vjen direkt pas reagimit që mbajti SHBA, që u shpreh se më 30 qershor amerikanët do të vinin në Shqipëri për të monitoruar zgjedhjet, dhe përgjegjësit e dhunës do të ishin Luli e Mona.
“Dekreti nuk ndodhi në dhjetor, para se të caktohej data e zgjedhjeve, por ndodhi dje. Dekreti ndodhi dje sepse Amerika tha do jemi në Shqipëri në 30 qershor që qytetarët të votojnë të lirë. Ja pse ndodhi. Një herë në 4 vjet, do merret më i miri në punë. Jo kur të dojë qejfi ty. Kjo nuk është në dorë të politikanëve, është populli që i zgjedh”, theksoi Veliaj.