Talenti i kombëtares U-21 debuton me ekipin e La Liga 2 në Spanjë

Futollisti i kombëtares U-21, Kleandro Lleshi debutoi të martën me ekipin e tij të ri të La Liga 2, Fuenlabrada. Talenti 20-vjeçar u huazua në verë tek ekipi i Fuenlabrada nga skuadra e Leganes për të pasur më shumë hapësirë aktivizimi. Lleshi debutoi në ndeshjen e raundit të dytë të Copa del Rey, ku skuadra e tij u përballë kundër Pena Sport, duke arritur të kualifikohet për në turin tjetër.

Deri më tani, futbollisti i Shpresave nuk ishte aktivizuar pasi kishte pasur lëndime. Megjithatë, mesfushori, që u aktivizua mbrojtës krahu, duket se ka fituar vend në formacion, pasi në ndeshjen debutuese të tij, ai është vlerësuar me notën 7.2, si një nga lojtarët më të mirë të skuadrës në kualifikimin e Fuenlabrada.

Kleandro Lleshi luajti 88 minuta në atë sfidë, duke u zëvendësuar për shkak të një lëndimi të lehtë, por pa rrezik për futbollistin. Tashmë talenti kuqezi pret të debutojë edhe në La Liga 2 me skuadrën e Fuenlabrada, aty ku kundërshtarë do të ketë tre futbollistë të tjerë të kombëtares, Keidi Baren dhe Armando Sadikun te Malaga dhe Rey Manaj tek Albacete.

Skip to toolbar