Inspektimi, mbi 1900 objekte të pabanueshme në qarkun e Durrësit

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, bëri një bilanc të punës për inspektimin dhe prishjen e banesave të dëmtuara nga tërmeti, ku rezulton se deri tani mbi 1900 objekte janë të pabanueshme në qarkun e Durrësit. Në një dalje për mediat, Voda u shpreh se deri më tani janë shembur në total 28 objekte, 10 në Thumanë dhe 18 në Durrës. Ajo tha se janë inspektuar 1267 objekte në Durrës, nga të cilët rezulton se 406 prej tyre jaë të pabanueshme, ndërsa 70 objekte do të shemben.

Në Krujë bilanci është dhe më i madh sa i përket objekteve të pabanueshme, pasi për momentin rezulton se 748 objekte janë shpallur të pabanueshme dhe 8 do të shemben. Në total janë inspektuar 2185 objekte. Në Krujë po bëhet edhe studimi gjeologjik i kalasë si dhe ka përfunduar inspektimi i të gjitha godinave publike.

Një nga zonat më të prekura rezulton Shijaku. Të paktën 285 objekte janë kategorizuar për t`u shembur, ndërsa 817 objekte janë të pabanueshme. Deri tani janë kryer në total 1497 inspektime.

Ndërkohë, 83 ekspertë, shqiptarë dhe të huaj, janë të ndarë në 11 grupe janë duke kryer inspektimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Ndërkohë, dy vende të tjera, nga të cilat priten të dërgojnë ekipe të vlerësimit me ekspertë janë Rumania dhe Hungaria.

Skip to toolbar