Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji janë dy anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi për Gjykatën Kushtetuese. Ato u zgjodhën me 105 vota duke çuar në pesë numrin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Po cilat janë dy anëtaret e reja?
Elsa Toska u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 12 shkurt të 2019, ndërsa ka punuar si këshilltare ligjore prej 12 vitesh në Gjykatën Kushtetuese. Ajo ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punonte si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Ka punuar gjithashtu si pedagoge në disa universitete në vend si dhe ka bashkëpunuar në rolin e ekspertet me një sërë organizatash ndërkombëtare.
Fiona Papajorgji u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 26 nëntor 2018, ndërsa ka punuar si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese që prej vitit 2011. Papajorgji ka ushtruar edhe rolin e pedagoges në disa universitete private në vend. Ajo zotëron gradën shkencore “Doktor” të marrë në Universitetin e Barit në Itali në vitet 2009-2012.
Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji i bashkohen anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese duke e çuar në 5 numrin e tyre. Në të ndodhet aktualisht Vitore Tusha, e cila kaloi vettingun, Besnik Muçi, i cili u zgjodh nga Presidenti dhe Arta Vorpsi, e cila u zgjodh automatikisht si e para në listën e Presidentit, për shkak të mbarimit të afatit kohor prej 30 ditësh. Megjithatë që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale nevojitet minimumi një kuorum prej 6 anëtarësh.