“Tradhtari” Elvis Kabashi kërkon të grumbullohet nga Shqipëria!

Nuk ishin të vetmit e as të parët, Fiorin Durmishaj dhe Mario Vrushaj, lojtarët që refuzuan Shqipërinë në mars të këtij viti, për të luajtur me një kombëtare tjetër.

Shqipëria është mësuar tashmë me të tilla histori, por një nga ato të bujshmet e disa viteve më parë rikthehet në kujtesën e të gjithëve, as më shumë e as më pak, por nga vetë protagonisti.

Elvis Kabashi është një nga lojtarët që vite më parë refuzoi ftesën e Shqipërisë, pasi shpresonte të luante me kombëtaren e Italisë, pasi bënte pjesë te të rinjtë e Juventusit.

Mesfushori i qendrës, që aktualisht luan me Dinamom e Bukureshtit, ku aktivizohet dhe mbrojtësi Naser Aliji, ka folur në një intervistë për gazetën rumune, “Digisport.ro”.

Ai ka risjellë në kujtesë letrën që asokohe, sipas Kabashit, ish-menaxheri i tij i dërgonte FSHF-së duke refuzuar kombëtaren shqiptare.

Elvis Kabashi ka treguar se po punon fort që të marrë një ftesë nga kombëtarja e Shqipërisë. Sipas tij, ajo letër e pozicioni kundër Kombëtares, ndërsa shprehet se me ish-menaxherin është në gjyq për këtë çështje.

“Me Alijin kuptohemi shumë mirë dhe kemi një marrëdhënie shoqërore dhe jashtë fushe. Është mirë të jesh në një ekip me një shqiptar tjetër. Shpresoj, sepse ka pasur disa keqkuptime sa i përket grumbullimit tim me Kombëtaren”

“Është folur për një letër që unë kam shkruar, por nuk është e vërtetë, sepse letrën e pati shkruar ish-menaxheri im, me të cilin kam disa gjyqe të hapura. Ajo letër më pozicionoi kundër kombëtares, sepse, nëse unë nuk do të doja të luaja me Shqipërinë nuk do të luaja as me 19-vjeçarët në eliminatoret e Europianit”.

“Prindërit e mi janë Shqiptarë, unë kam lindur në Itali, por gjaku im është ai i një shqiptari, ndaj nuk ka arsye pse ta refuzoj Kombëtaren e Shqipërisë. Gjithë këtë rrëmujë e ka shkaktuar ish-menaxheri, i cili nuk donte që të luaja me Kombëtaren, por të përqendrohesha vetëm tek Juventusi”

“Njerëzit kanë të drejtë të më gjykojnë, pasi nuk e dinin të vërtetën, ndërsa unë nuk kam folur më parë për këtë letër, sepse nuk kam shkruar asgjë dhe në ndërgjegjen time jam i qetë”.

“Ndoshta duhet të isha kundërpërgjigjur, por m’u duk sikur do t’i hidhja benzinë zjarrit. Tani është në dorën time të tregoj se sa e rëndësishme është Kombëtarja për mua. Shpresoj të grumbullohem, pasi është një krenari të mbrosh ngjyrat e vendit tënd. Do të përpiqem të stërvitem e të punoj sa më shumë për t’u rikthyer në Kombëtare”, tha Kabashi.”

Skip to toolbar