Kryeministri Edi Rama ka zhvendosur të gjithë
prefektët, Forcat e Armatosura, deputetët dhe ministrat, në qytetin e Durrësit,
aty ku pasojat e tërmeteve ishin më të mëdha dhe më shkatërruese.
Në mbledhjen e së dielës me prefektët në
Ministrinë e Mbrojtjes, kreu i qeverisë tha se të gjithë prefektët do të
spostohen në Durrës për të nisur menjëherë komunikimin me qytetarët, që janë prekur
më shumë nga tërmeti i fuqishëm 5.8 ballë.
“Gjëja
e parë që kërkoj është që të gjithë ju, edhe prefektët e ardhur nga qarqet e
tjera, të spostoheni në Durrës, me synimin që çdo familje që hyn në atë rrethin
e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të
kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një
shpërndarje e forcave dhe çdo familje të konkatohet për t’u dëgjuar. Ju të
gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit dhe ato të mirëqenies
sociale të organizohen dhe shpërndahen në mënyrë të struktura, me destinacione
konkrete, dhe brenda ditës së diel, para se të vijë nata, duhen kontaktuar të
gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët, edhe ministrat, sepse është
një moment psikolog që kapërcehet me komunikim”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri vuri në dukje se nuk duhet të ndodhin incidente si një natë më parë në Durrës, duke iu referuar moshapjes së stadiumit. “Mbrëmë jam marrë unë me stadiumin për të ndezur dritat, nuk e di sa orë. Kjo nuk duhet të përsëritet më. Qëndroni afër njerëzve dhe shpjegojini qytetarëve gjithçka që të minimizojmë panikun për plasaritjet. Çdo plasaritje dhe dëmtim pallati të inspektohet në mënyrë profesionale, për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me cenim të rrezikshëm. Çdo familje duhet kontaktuar “sy më sy” para se të vijë nata. Stadiumi të hapet me drita ndezur, jo si mbrëmë që njerëzit rrinin në errësirë. Tërmeti është në psikologjinë e njerëzve akoma, prandaj duhet t’u ofrojmë gjithçka me të gjitha kapacitetet që kemi. Strukturat e godinave, detyrë parësore. Më pas plasaritjet e shtëpisë. Familjet duan të dinë sa të sigurt janë në shtëpitë e tyre”, deklaroi kryeministri para prefektëve, emergjencave civile dhe strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme.
Gjatë fjalës së tij, Rama u la detyra konkrete prefektëve dhe institucioneve të tjera që të kontaktohet çdo person i prekur nga tërmeti. “Pasdite dua të shikoj hartën, kush bën çfarë. Kush është përgjegjës për çdo pallat për t’u marrë me njerëzit dhe infrastrukturën. Prefekti, drejtori i emergjencave dhe dikush nga instituti i ndërtimit duhet të punojmë bashkë. Nëse e kemi këtë hartë sot gjithçka do të shkojë mbarë. Edhe identifikimi i dëmeve duhet bërë me kujdes, të mos mbetet pa asistuar asnjë, por të mos kemi spekulantë, duhen kontrolluar të gjithë bashkë të unifikuar. Si në një hartë beteje. Ju duhet të keni deri sot pasdite (e diel) çdo pikë të dëmtuar me emra. Kërkohet solidariteti i prefektëve të tjerë. E fundit që kam, ata që janë dëmtuar do të jenë të sigurt që të mos harrohen” tha Edi Rama.