Sonte në mbrëmje do të ketë një derbi shqiptarësh në Kroaci, pasi do të përballet Lokomotiva e Zagrebit me Hajduk Splitin, ku luajnë katër futbollistë të ekipit kombëtar të Shqipërisë.
Myrto Uzuni dhe Lokomotiva e tij presin në shtëpi Ardian Ismajlin, Francesco Tahirajn dhe Emir Sahitin me Hajdukun, në një ndeshje që do të jetë shumë e rëndësishme për pjesëmarrjen në Europa League vitin e ardhshëm.
Aktualisht të dyja ekipet ndajnë vendin e katërt në renditje me pikë të barabarta, mirëpo Lokomotiva është favorizuar për shkak të golavarazhit më të mirë se Hajduku.
Trajneri i Hajdukut, gjatë konferencës së zakonshme për mediat, ka deklaruar se nga Lokomotiva do të donte të kishte në ekip Myrto Uzunin, duke e vlerësuar maksimalisht futbollistin e Kombëtares shqiptare.
Pritet që Uzuni dhe Ismajli ta nisin titullar për ekipet përkatëse, ndërsa Tahiraj dhe Sahiti mund të hidhen në fushën e lojës si zëvendësues. Pavarësisht gjithçkaje, kjo ndeshje duhet të ketë interes për trajnerin aktual të Kombëtares, Ervin Bulku, për të ndjekur nga afër lojën e katër legjionarëve kuqezi.