Më i miri në fushë për Lazio-n, mediat vlerësojnë Strakoshën

Lazio u mund mbrëmjen e djeshme nga Milani në takimin e radhës të Serisë A, që në fakt vlente një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Megjithatë, gara ende nuk ka përfunduar dhe do të jetë e hapur deri në fund, për më tepër që Lazio ka një portier si Thomas Strakosha, i cili krijon gjithë garancinë e nevojshme se “Biancocelestet” do të luftojnë deri në javën e fundit për një vend mes katër më të mirëve.

Mbrëmjen e djeshme, pavarësisht humbjes me një penallti të kontestuar jo pak nga Lazio, skuadra e Inzaghit bëri një ndeshje të mirë, teksa portieri shqiptar, Thomas Strakosha, tregoi klasin e tij në shumë pritje.

Në fund të takimit ai fluturoi duke pritur ndalur një gol të sigurtë për Milanin, që mund ta çonte takimin në 2-0. Për këtë dhe shumë pritje të tjera, rrjeti i “Eurosport”, e ka vlerësuar portierin shqiptar me notën 6.5, nga më të lartat për lojtarët e Lazios.

“Në gjysmën e parë ai i thotë “jo” Çalhanoglusë, në gjysmën e dytë ndal Piatekun dhe Suson. Nëse Lazio mund të shpresojë deri në fund, kjo është falë tij”, shkruan “Eurosport”. Në të njëjtën linjë vlerësimi qëndrojnë dhe media të tjera në itali për portierin shqiptar.

Skip to toolbar