Policia e Elbasanit ka njoftuar të martën se në 24 orët e fundit ka arrestuar disa persona, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. Në pranga është vënë 66-vjeçari me inicialet I.T, i cili të hënën duke drejtuar një mjet tip trajler shtypi një këmbësor në Elbasan. Veç këtij personi, janë arrestuar dhe disa të tjerë, shumë prej të cilëve akuzohen për veprën penale të dhunës në familje. Konkretisht është arrestuar shtetasi me inicialet G.M., 44 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, në banesë.
Shtetasi me inicialet K.N., 30 vjeç, banues në Gjirokastër, u ndalua pasi ishte shpallur në kërkim kombëtar sepse ka kanosur dhe tentuar të ushtrojë dhunë fizike ndaj bashkëjetueses. Shtetasi me inicialet A.P., 39 vjeç, banues në Librazhd, u ndalua pasi për motive të dobëta ka goditur me mjete të forta vëllain e tij, si dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatës së tij. Shtetasi me inicialet P. Sh., 39 vjeç, banues në Prrenjas, u kap nga shërbimet e Policisë Librazhd, pasi ishte shpallur në kërkim kombëtar, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Ndërkohë, në pranga është vënë dhe shtetasi me inicialet F.K., 37 vjeç, banues në Elbasan është kapur nga shërbimet e Policisë së Elbasanit, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e armëve të ftohta”. Ndërsa në Gramash është arrestuar shtetasi me inicialet A.P., 44 vjeç, banues në Gramsh, pasi në fshatin Harunas, në vendin e quajtur “Bregu i Selesofit”, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe sekuestruan 42 bimë narkotike të kultivuara. Dyshohet se ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim kombëtar dhe po punohet për kapjen e tij, ka kultivuar lëndë narkotike.