Dy laboratorë të rinj për kontrollin e cilësisë së ilaçeve

Dy laboratorë të rinj po ndërtohen në Tiranë të cilët do të shërbejnë për të kontrolluar cilësinë e ilaçeve që qarkullojnë nëpër farmacitë tona.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi punimet e rindërtimit të Agjencisë së Barnave, një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me vlerë 121.4 milionë lekë.

Parashikohet që dy laboratorët të përfundojnë brenda vitit dhe në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm do të pajisen me aparatura moderne laboratorike.

“Dy laboratorët e rinj që do të pajisen me aparatura bashkëkohore për analizimin e barnave që regjistrohen për herë të parë në vendin tonë si dhe të barnave që janë në qarkullim, do të akreditohen, për të përmbushur standardet europiane të cilësisë.

Investimi parashikon ngritjen e laboratorit fiziko–kimik dhe atij mikrobiologjik, duke bërë të mundur garancinë e çertifikimit të sigurisë dhe cilësisë së barnave, me analizimin e të gjithë gamës së barnave që tregtohen në vendin tonë dhe me kapacitete analizuese të përmirësuara.

Godina do përfshijë një sportel me 2 poste ku bizneset do kryejnë regjistrimin për barnat dhe pajisjet mjekësore. Do të ketë ambiente të posaçme (dhoma frigoriferike) per ruajtjen e mostrave dhe acideve. Si dhe dy laboratorë modernë për testimin e barnave dhe materialeve mjekësore”, njoftoi ministrja e shëndetësisë.

Cilësia e ilaçeve në vendin tonë ka qenë gjithmonë një temë e diskutueshme dhe që hap debate. Ndërtimi i këtyre laboratorëve pritet të certifikojë dhe të japë më shumë siguri mbi cilësinë e ilaçeve që tregtohen nëpër farmacitë tona.

Skip to toolbar