“Vetëm 1000 tifozë”? FSHF ankohet në UEFA

Vetëm 24 orë para zhvillimit të ndeshjes zyrtare Turqi-Shqipëri, që do të luhet në Stamboll, Federata Turke e Futbollit ka bërë një akt të paprecedentë. Një burim zyrtar në FSHF, i tha Realstory.al se Federata Turke ka vendosur të reduktojë numrin e biletave për tifozët shqiptarë.

“Ata po na krijojnë vështirësi. Ne i jemi drejtuar UEFA-s. Kanë ulur numrin e biletave për ‘shkaqe sigurie’. Nuk duan të lejojnë materialet e tifozëve që janë të lejuara nga UEFA. Biletat i kanë sjellë vonë në Tiranë. Janë 2500, dhe duan të lejojnë vetëm 1000 tifozë në stadium”, tha ndër të tjera burimi i Realstory.al.

Nga 2500 bileta që ishin parashikuar të ishin në dispozicion të tifozëve kuqezi, sipas rregullores së UEFA-s, Federata Turke e Futbollit kërkon që të lejojë vetëm 1000 tifozë në stadium. Sipas burimit të Realstory.al, FSHF i është drejtuar për ankesë UEFA-s, duke kërkuar që të ndërhyjë për këtë situatë të paprecedentë. Ndërkohë, Federata Turke nuk është mjaftuar me kaq.

Ajo kërkon që tifozët që do të hyjnë në stadium për të ndjekur ndeshjen, të mos kenë flamuj apo sende të tjera, të cilat janë të lejuara nga UEFA. Një situatë absurde dhe e paprecedentë, që është justifikuar me pretendimin “për shkaqe sigurie”. Megjithatë, pritet që ky veprim i Federatës Turke të Futbollit të ndalohet nga UEFA, pasi pala shqiptare po bën përpjekje që tifozët e parashikuar të futen në stadium.

Skip to toolbar