Tërmeti, Mogherini: BE, gati të ndihmojmë Shqipërinë

Pas Komisionerit Johanes Hahn, ka ardhur dhe reagimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, e cila ka shprehur solidaritet për Shqipërinë, pas tërmetit të së shtunës. Në një komunikatë zyrtare, e publikuar nga Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, Mogherini shprehet se ka pasur një bisedë me Kryeministrin Edi Rama. Ajo i ka shprehur mbështetjen shefit të qeverisë, duke theksuar se BE është gati të ofrojë ndihmë për Shqipërinë.

“Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, i shprehu solidaritet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas një seri tërmetesh shkatërruese që goditën Shqipërinë, duke plagosur dhjetëra njerëz dhe duke shkaktuar dëme jashtëzakonisht të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë. Në kontaktin e tyre, Përfaqësuesja e Lartë uroi shërim të shpejtë për të gjithë të dëmtuarit”.

“Ajo gjithashtu nënvizoi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ofruar ndihmë, edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Ndërsa Kryeministri Edi Rama anuloi udhëtimin e tij për në New York për javën ministrore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai do të zëvendësohet nga Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, në darkën që Përfaqësuesja e Lartë mban sot me krerët e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e publikuar nga ambasadori i BE.

Mogherini: Integrimi, kujdes me Ballkanin

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ka përsëritur thirrjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.  “Ne kemi interes për ta sjellë Ballkanin Perëndimor në BE. Integrimi i këtij rajoni në Bashkimin Europian, është në dobi të të gjithëve ne. Tani është koha që të jemi të mençur dhe nëse nuk e bëjmë do pendohemi shpejt”, ka thënë Mogherini.

Këto deklarata, Përfaqësuesja e Lartë e BE, i ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të Unionit.  Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që javën e dytë të tetorit të marrin dritën jeshili nga Këshilli i Europës për hapjen e negociatave për integrimin në BE.

Ky vendim ka kaluar  parimisht në verë e këtij viti, por votimi përfundimtar u shty pasi vendet e bllokut kërkuan më shumë kohë për t`u njohur me raportin e Komisionit Europian, që në fakt ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë. Sipas raportit të publikuar në qershor, KE shprehet se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kan plotësuar të gjitha kushtet e lëna nga BE, ndaj meritojnë hapjen e negociatave”.

Gjatë këtij takimi, veç integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë diskutuar edhe tema të tjera, që lidhen me sigurinë ne Bashkimit Europian, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situata nga protestat në Hong Kong.

Mogherini: Gabim mos hapja e negociatave me Shqipërinë

“Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk marrin vendim, sidomos për hapjen e negociatave (të anëtarësimit) me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, mendoj se do të ishte gabim i madh”, kështu është shprehur përfaqësuesja e Lartë Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Më tej, në fjalën e saj, Mogherini është shprehur se Samiti i Poznanit ka rëndësi të veçantë për zotimet e përsëritura nga të gjitha palët anëtare të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që fokusohen te bashkëpunimi ekonomik, investimet etj.

 “Para së gjithash, zotime të përsëritura nga të gjithë anëtarët e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Këto kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, me investimet, lidhjet digjitale, transportin. Ekzistojnë, para së gjithash, shumë investime ekonomike, por edhe vullnet politik për projekte konkrete, në të mirë të njerëzve. Por, më lejoni të nënvizoj se kjo nuk është zëvendësim për zgjerimin. Vendet e rajonit duhet të dinë se e ardhmja e tyre mund të jetë në Bashkimin Evropian, nëse procesi shkon mirë”, është shprehur Mogherini. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ka folur edhe për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, duke u shprehur se marrëveshja është afër, por Kosova duhet të heq më parë taksën ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

“Unë vazhdoj të besoj se marrëveshja është e mundshme dhe është afër. Besoj se dy palët e kuptojnë se është në favor të njerëzve të tyre të arrijnë marrëveshje të plotë, për normalizim të plotë (të marrëdhënieve), ligjërisht të obligueshme, që mbulon të gjitha aspektet e vështirësive që janë ende në tryezë”.

“Por, nëse më pyesni se a ka gjasa të arrihet në tre apo katër muajt e ardhshëm, unë ju them se derisa tarifa që u ka vënë Prishtina mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina mbetet në fuqi, nuk shoh kushte për thirrjen e dialogut në nivel të lartë. Unë besoj se kjo është për keqardhje, sepse unë vërtet kam parë se elementet për marrëveshje për normalizim, ligjërisht të obligueshme, ekzistojnë”.

Intervista e plotë këtu

Mogherini: Kriza politike nuk ndikon. Shqipëria i ka bërë detyrat.

Pas përfundimit të konferencës për Progres-Raportin e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, drejtuesit e lartë të unionit kanë mbajtur një konferencë për shtyp. Federica Mogherini u shpreh se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm me reformat e ndërmarra. Shefja e Politikës së Jashtme në BE tha se Shqipëria e ka bërë punën që i takon për përmbushjen e detyrave. Tani është radha e vendeve anëtare të bëjnë atë që u takon për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve dhe suksese që janë mbresëlënëse, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate për reformat. Zbatim mbresëlënës i reformës në drejtësi, që ka sjellë rezultate të prekshme. Kam qenë së fundi në Tiranë për Samitin. Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Ato kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e tij. Topi ynë tani do të kalojë në Këshillin e Evropës. BE të japë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Në të kundërt do të dëmtohet besueshmëria e BE-së, do të minohet stabiliteti dhe do të shkurajonin reformat e mëtejshme, ndoshta sjellin edhe një moment zhgënjimi në këto vende të rajonit, por edhe në BE dhe tek BE si institucion”, u shpreh Mogherini.

E pyetur nga gazetarja shqiptare Marsela Karapanxho nëse kriza aktuale politike do të ndikojë në vendimin e Këshillit të Ministrave të BE në 15 qershor, i cili ka fjalën e fundit për hapjen ose jo të negociatave, komisionerja e jashtme e Komisionit Europian, tha se në vlerësimin e saj teknik, kriza ka kudo, përfshirë edhe vetë në Ballkan, porse Shqipëria i kishte bërë tashmë detyrat e saj dhe se meritonte çeljen e negociatave.

“Vlerësimi është i qartë që të nisim negociatat sa më parë. Nëse i referohemi krizës, cili vend nuk ka kaluar krizë politike?! Dhe në Shqipëri sa herë që e vizitojmë ka kriza politike. Në vlerësimin tim kjo nuk është politike por teknike. Në vlerësimin tonë Shqipëria ka bërë detyrat e saj”, tha Mogherini.

Skip to toolbar