Gjyqtari i VEFA-s rrëzohet në vetting

Vettingu ka shkarkuar nga detyra një tjetër gjyqtar. Bëhet fjalë për Fehmi Petkun, kreu i Apelit të Krimeve të rënda. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari në fjalë nuk justifikon pasurinë me burime të ligjshme financiare.

Komisioni vuri në dukje se Fehmi Petku në vitin 1999 ka gjykuar një dosje për Vehbi Alimuçën, ish-kreun e firmës piramidale VEFA, kohë kur babai i tij kishte marrëdhënie interesi.

Sipas komisionit të vettingut, gjyqtari ka konflikt në gjykimin e Vehbi Alimuçës kur i ati i tij kishte marrëdhënie interesi. Po kështu sipas komisionit, ka mungesë dokumentacioni për justifikimin e një trualli prej 16 mijë m2.

Përveç mos justifikimit të pasurisë, gjyqtari është konsideruar i papërshtatshëm për të vijuar detyrën edhe nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të klasifikuar. Në raport thuhej se ka dyshime se Fehmi Petku është i përfshirë në korrupsion pasiv.

Skip to toolbar