Për herë të parë në histori, Greqia zgjedh një femër në postin e Presidentit

Në 5 vitetet e ardhshme, zyra e Presidentit të Greqisë do të drejtohet për herë të parë në histori nga një femër. Të mërkurën, Parlamenti i Greqisë votoi me shumicë votash Katerina Sakellaropoulou si Presidente të vendit. Ajo mori 261 vota në Kuvend, nga 300 deputetë që ka gjithsej parlamenti grek.

Sakellaropoulou u votua nga të gjitha forcat politike në Greqi: Demokracia e Re, që aktualisht qeveris vendin, opozita e majtë SYRIZa dhe aleanca e qendrës së majtë, Lëvizja për Ndryshim (KINAL).  Me profesion juriste, presidentja e re e Greqisë ka pasur detyra të rëndësishme shtetërore në Greqi.

Pas studimeve, Katerina Sakellaropoulou ka punuar në Këshillin e Shtetit në vendin fqinj, duke mbajtur poste të ndryshme, derisa në vitin 2018 u zgjodh kryetare e këtij këshilli.

Posti i Presidentit është më shumë ceremonial, shkruajnë mediat greke, pasi ka kompetenca të kufizuara politike.  Ajo do të shërbejë 5 vjet duke filluar nga 13 Mars, kur përfundon mandati i presidentit aktual Prokopis Pavlopoulos. Sakellaropoulou do të jetë kreu i parë femër i Greqisë.

Skip to toolbar