Volejboll femra, Partizani mbron titullin edhe për këtë sezon!

Partizani në volejboll për femra është kampion i Shqipërisë edhe për sezonin aktual. Vajzat e “kuqe” kanë mundur këtë pasdite Tiranën në finalen e tretë të play-off, duke mbrojtur titullin e sezonit të shkuar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Roland Tarja kanë bërë një sezon të mirë, duke fituar dhe tre finalet në fazën paly-off.

Ndeshja e tretë finale e luajtur sot në “Fahrie Hoti” ishte mjaft emocionuese, madje dramatike dhe me shumë rivalitet, ky të dyja skuadrat dueluan fort për fitoren.

Një takim që zgjati 2 orë e 25 minuta, ku gjithçka u vendos në setin final. Tirana u tregua një kockë e fortë, duke shpresuar deri në fund të ndalë të kuqtë, por u dorëzua në setin final.

Partizani, një ekip më i kompletuar, bëri diferencën në momentet vendimtare, duke u shpallur kampion dhe duke festuar gjatë këtë titull.

Basket femra, Flamurtari fiton Superkupën e Shqipërisë!

Ekipi i basketbollit të Flamurtarit për Femra ka fituar Superkupën e Shqipërisë, duke mundur rivalet e Sh.B. Tiranës, në ndeshjen e luajtur në qytetin e Vlorës. Ndeshja ka përfunduar 62-58, ndërsa Superkupa bëhet i pari trofe sezonal për ekipin e Flamurtarit në basketboll për femra.

Në këtë finale morën pjesë ekipi kampion në fuqi (Flamurtari) dhe ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë (Sh.B.Tirana). Për vlonjatet e trajnerit Toska ky trofe është një hakmarrje ndaj Sh.B.Tiranës, pas dështimit në Kupën e Shqipërisë, në shkurt të këtij viti.

Ndeshja ka qenë gjatë gjithë kohës e ekuilibruar, ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra. Deri në fund sfida ka qenë e hapur, me emocione dhe rivalitet, ndërkohë që niveli nuk ka qenë ai që pritej dhe gabimet e lojtareve të shumta.

Duket se të dyja ekipet e ndjenë presionin e kësaj sfide të rëndësishme, që ishte një test para gjysmëfinaleve të play off-it, që nisin këtë fundjavë, ku këto dy ekipe do të përballen sërish mes tyre. Nesër, në qytetin e Durrësit, do të luhet Superkupa e Shqipërisë për meshkuj midis Tiranës dhe Teutës.

Skip to toolbar