Jo vetëm partitë politike, por edhe kandidatët për kryetarë bashkish do të deklarojnë burimin e financimit të fushatës zgjedhore. Kështu tha sot kryetari i Komisionit Qëndror Zgjedhor, Klement Zguri, i cili mori pjesë në konferencën për raportimin financiar të partive dhe kandidatëve zgjedhorë.
Zguri tha se transparenca e financimit të partive është kusht për zhvillimin e një gare të ndershme dhe të barabartë.
“Mungesa e transparencës së financimit të partive është ftesë për disbalancimin e fushatës, për orientimin e aktorëve drejt taktikave elektorale të paligjshme, drejt shitblerjes së votës, drejt prishjes së administrimit zgjedhor, drejt manipulimit të rezultateve.
Mungesa e transparencës për financat dhe shpenzimet e partive politike nënkupton korrupsion në financim. Dhe korrupsioni në financimin e partive politike është një nga çështjet më kritike në demokracitë e sotme.
Në këtë proces zgjedhor, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë transparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim”, tha kreu i KQZ-së.
Financimi i fushatave zgjedhore ka qenë gjithmonë problem në Shqipëri dhe ka nxitur akuza politike për shkak se gjithmonë ka pasur dyshimet se fushatat zgjedhore financohen nga persona të lidhur me krimin.