Zjarri në pyll zbulon fishekët e fshehur

Prej dy ditësh në fshatin Nikolicë të bashkisë Devoll, është duke u djegur sipërfaqe e konsiderueshme pyjore. Të martën, veç zjarrit që është përhapur me shpejtësi, është zbuluar dhe një sasi municionesh që ishte fshehur në pyll.

Sipas Balkanëeb, një pjesë e fishekëve të zbuluar  në pyll ka shpërthyer duke rrezikuar dhe jetën e njerëzve përreth, ndërsa pjesa tjetër nuk është përfshirë nga flakët, që po djegin pyjet në Nikolicë.

Fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, si nga zjarri ashtu dhe nga municionet.

Megjithatë, zjarri po përhapet me shpejtësi të madhe i ndihmuar edhe nga erërat. Autoritetet vendore kanë kërkuar ndihmë nga ajri nga autoritetet greke për të shuar flakët, por deri më tani nuk ka pasur përgjigje.

Ndërsa në vendin e ngjarjes janë forcat zjarrëfikëse të bashkisë Devoll, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve.

Skip to toolbar