Forumi i SEEF, Balluku: Bashkëpunim rajonal për diversifikimin e burimeve energjitike

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka marrë pjesë në Forumin e Energjisë të Vendeve të Europës Juglindore, zhvilluar në Selanik të Greqisë. Ministrja Balluku, me anë të një postimi në rrjetet sociale, shkruan se në këtë forum është shprehur se ‘diversifikimi i burimeve të energjisë, mbetet gjithmonë një nga strategjitë kryesore të së ardhmes’.

“Gjatë Forumit të Europës Juglindore për Energjinë 2019, SEEF, i cili u zhvillua në Selanik, pata rastin të diskutoj me homologët e mi çështjet prioritare në fushën e energjitikës. Diversifikimi i burimeve të energjisë, mbetet gjithmonë një nga strategjitë kryesore të së ardhmes, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për tërë Europën. Vëmendje të veçantë paneli ministror i kushtoi zhvillimeve gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, me fokus korridoret strategjike të transmetimit, gaz dhe energji elektrike”, shkruan ministrja.

Më tej, Balluku shprehet se gjatë forumit ka thënë se diversifikimi i burimeve të energjisë kërkon bashkëpunim midis vendeve të rajonit. “Gjithashtu siguria energjitike zuri vend të veçantë gjatë ketij forumi dhe u prek gjerësisht në të gjitha panelet, si një nga pikat më delikate për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj industrie”.

“Theksova gjatë këtij forumi se strategjia e Qeverisë Shqiptare për gazifikimin e vendit, si pjesë përbërëse e strategjisë afatgjatë për diversifikimin e burimeve të energjisë, kërkon bashkëpunim me të gjithë aktorët vendimmarrës ndërkombëtarë, veçanërisht ato rajonalë. Në këtë kontekst sinergjia e shteteve Ballkanike dhe më gjerë, nën ombrellën rregullatore të BE, do të ishte ajo çka i duhet sot rajonit për të përmirësuar e zhvilluar kapacitet energjitike dhe ato të transmetimit”, përfundon ministrja Belinda Balluku.

Skip to toolbar