Ndërkohë që 7 udhëheqësit e botës ishin duke diskutuar masat kundër Iranit, Ministri i Jashtëm i shtetit islamik në azinë e mesme, Mohammad Javad Zarif ka befasuar me praninë e tij në Biarritz të Francës, ku është duke u mbajtur samiti i G-7. Lajmin për praninë e Zarif në Biarritz e ka konfirmuar Ministria e jashtme iraniane, e cila është shprehur se “Mohammad kishte ftesë nga homologu i tij francez”, për të shkuar në Biarritz.
Ndërkohë, një zëdhënës i kësaj ministrie, është shprehur se nuk do të ketë takime me zyrtarë amerikanë. Për vizitën e papritur të diplomatit iranian në samitin e G-7, presidenti francez Emanuel Macron, kishte informuar liderët e tjerë pjesëmarrës në samit, përfshirë dhe Donald Trump.
I pyetur nga mediat për këtë vizitë të ministrit të jashtëm iranian, Trump është shprehur “s`kam koment”. Ndërkohë, Sekretari i thesarit amerikan, Stephen Mnuchin është shprehur se ‘presidenti amerikan nuk do ta përjashtonte një takim’.
Gjatë takimit të së dielës në samit, Macron kishte hedhur idenë për një plan duke shuar tensionet në rritje në zonën e Gjirit, duke hequr pjesërisht embargon amerikane të naftës ndaj Iranit, ndërsa Teherani do të angazhohej për të respektuar marrëveshjen e vitit 2015 që kufizon programin e tij bërthamor.