Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit
Patozi reagoi në rrjetet sociale, pas sulmit që një i ri (pjesë e FRPD në Shkodër),
i bëri deputetes Rudina Hajdari. Patozi reagon ashpër dhe shënjestron
drejtuesit e PD, duke u shprehur se opozitën e quajnë “pronë” apo “leje ndërtimi”.
“Janë më shumë të marrë, se sa të poshtër, dhe për këtë nuk duhen marrë
asnjëherë seriozisht.
Ata mendojnë se opozita është pronë, leje
ndërtimi apo tender, që ka nevojë patjetër për firmën e tyre, sepse vetëm
kështu e konceptojnë politikën dhe atë që vjen prej saj”, shprehet Patozi.
Patozi e quan skenë të neveritshme atë që
ndodhi në Shkodër, ndërsa shprehet se opozitës e vetmja gjë që i ka mbetur është
e ulëritura, pas revolucioneve që hëngrën bijtë e vet.
“Ndaj edhe mos u çudisni, kur të shikoni
skena të neveritshme si ajo me atë trimin nga Shkodra, që i hakërrehej Rudina
Hajdarit se përse ajo nuk e njihte tamam babain e vet, ashtu si ai vetë. Në
fakt është e vetmja gjë që u ka ngelur për të bërë, pas një serie të
pashembullt revolucionesh të premtuara, të cilat, ose nuk kanë shpërthyer
kurrë, ose kanë ngrënë bijtë e vet”, shkruan Patozi.
Në fund, Patozi shprehet se reagimi i të riut
demokrat në Shkodër, ishte i ngjashëm me ato të bishave të uritura, që u zvogëlohet
territori. “Është një reagim i ngjashëm me ato bishat e uritura, të cilat në ruajtje
të territorit, që u zvogëlohet përditë, shenjojnë duke përmjerrur hapësirën e
tyre, ku nuk duhet të shkelin të tjerët. Në shqip mund të thuhet edhe “tokë e
xanun”, përfundon kreu i BD./Realstory.al/