Policia e Korçës ka vënë në pranga tre shtetas këtë të shtunë, ndërsa ka nisur procedimin në gjendje të lirë për dy të tjerë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin veprimtari kriminale duke kontrabanduar mallra nga pika doganore e Kapshticës. Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, tre shtetasit e arrestuar, emrat e të cilëve nuk bëhen me dije, vetëm inicialet, Y.C., 47 vjeç, R.N., 35 vjeç dhe një 58 vjeçar me inicialet R.Xh, sillnin medikamentete të ndryshme nga Greqia në Shqipëri, të cilat më as shiteshin në vendin tonë. Ka qenë seksioni i hetimit të Krimit Ekonomik që ka ka bërë të mundur ndalim e këtyre personave, të cilët janë kapur në flagrancë në Korçë.
Gjatë kontrollit në një mjet, i cili ishte në pronësi të 47 vjeçarit me inicialet Y.,C, janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore. Këto medikamente ishin futur në mënyrë të paligjshme në vendin tonë, nëpërmjet një tjetër shtetasi, i cili ishte 58-vjeçari me inicialet R.Xh, që punonte si shofer. Ky person dyshohet se ka shmangur detyrimet doganore në pikën kufitare të Kapshticës, duke futur në vendin tonë medikamentet kontrabandë, duke shfrytëzuar njohjet me dy punonjës doganore. Ata janë shtetasit me inicialet K.P nga Bilishti dhe H.Xh nga Pogradeci, për të cilët ka nisur procedimi në gjendje të lirë. Më pas, pas sekuestrimit të medikamenteve në qytetin e Korçës dhe ndalimin e dy transportuesve të tyre, është bërë dhe zbulimi i destiancionit të ilaçeve.
Ato, pasi futeshin në mënyrë të paligjshme në vendin tonë, dërgoheshin në një farmaci në qytetin e Tiranës, e cila sipas Policisë, ishte e shtetasit me inicialet R.N. Pas kontrolleve në farmacinë në Tiranë, janë gjetur gjithashtu medikamente të tjera të cilat nuk kanë pasur fatura tatimore, për këtë arsye, policia ka arrestuar pronarin e farmacisë, emrin e të cilit nuk jep, vetëm inicialet R.N. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industrial” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.