Kryebashkiaku Erion Veliaj ka zhvilluar takimin me banorët e njësisë numër 1 në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit. Pas prezantimit të këshilltarëve bashkiakë, Veliaj tha se Tiranë ka ndryshuar dhe se do të vijojë ndryshimin duke e bërë kryeqytetin më të jetueshëm për të gjithë banorët.
“Ne punojmë përditë për Tiranën tonë. Ne kemi bërë gjelbërim në Tiranë, kemi bërë kryeqytetin më të jetueshëm. Jam i bindur se ka qytete ku ka probleme, por jo Tirana. Ju kujtohet Tirana para 4 viteve? Nuk punonin pusetat, nuk punonte Sahati. Kujtojmë se kopshtet dhe çerdhet ne i kishim si burgjet e asaj kohe. Sot jemi në një situatë ku ndoshta s’jemi prefekt, por kopshtet dhe çerdhet e Tiranës janë model.”
Veliaj tha gjithashtu se opozita di të përdorë vetëm dhunë dhe është shumë larg rrugës së emancipimit dhe zhvillimit, ndërsa është ndalur edhe në deklaratën e kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi se dëshironte të kishte hedhur një molotov në protestë.
“Dëgjova sot Voltana Ademin dhe tha që po të kisha molotov do e hidhja në Tiranë. E kush e thotë, këta që mezi presin që të pinë kafe në Tiranë e ikin nga Kamza e Shkodra, që kanë degraduar. Ka vetëm një forcë politike që bën shtet: Partia Socialiste e Shqipërisë. Këta nuk kanë respekt për qytetin, për hapësirën tonë të përbashkët. Ata edhe 1997 e bëjnë prapë, edhe Gërdecin, por shumica e njerëzve sot nuk duan dhunë, por pastërti e emancipim.”