Reporterët pa Kufij: Në vitin 2019, 49 gazetarë të vrarë

Në një përmbledhje vjetore mbi dhunën dhe shkeljet ndaj gazetarëve, të publikuar të martën nga “Gazetarët pa Kufij” (RSF), thuhet se gjithsej 49 gazetarë u vranë këtë vit, 389 janë aktualisht në burgje dhe 57 po mbahen peng.

Gazetaria, thuhet në raport, mbetet një profesion i rrezikshëm, por numri i gazetarëve të vrarë këtë vit është në shkallën më ulët në 16 vjet.

Sivjet është shënuar numri më i vogël i gazetarëve të vrarë që nga viti 2003 dhe paraqet një rënie prej 44 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas organizatës kjo rënie është rrjedhojë e faktit se ka rënë numri i gazetarëve të vrarë në zonat e luftës. Mbulimi i konflikteve në Siri, Jemen dhe Afganistan ishte më pak vdekjeprurës në vitin 2019 gjatë të cilit u regjistruan 17 gazetarë të vrarë, ndryshe nga viti 2018, kur 34 gazetarë ishin vrarë në këto tri vende.

Rënia e pashembullt e këtij numri, thuhet në raport, nuk duhet të lërë nën hije faktin se numri i gazetarëve në vrarë në vendet “në paqe’ vazhdon të jetë po aq i lartë sa edhe vitet e shkuara.

Në Meksikë, për shembull, janë vrarë 10 gazetarë, po aq sa edhe një vit më parë. Me gjithsej 14 gazetarë të vrarë, Amerika Latine është tani po aq vdekjeprurëse për gazetarët sa edhe Lindja e Mesme.

Sekretari i përgjithshëm i organizatës, Christophe Deloire, tha se “e mirëpresim rënien e pashembullt të numrit të gazetarëve të vrarë në zona të luftës, por, në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë gazetarë po vriten me dashje në lidhje me punën e tyre në vendet demokratike, gjë që paraqet një sfidë të vërtetë për demokracitë ku këta gazetarë jetojnë dhe punojnë”.

Një aspekt tjetër shqetësues për organizatën është shtimi i numrit të arrestimeve arbitrare të gazetarëve. Gjithsej 389 gazetarë janë në burgje në lidhje me punën e tyre, rreth 12 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Gjysma e tyre mbahen në burgje në Kinë, Egjipt dhe Arabinë Saudite. Ndërsa ka shtuar shtypjen ndaj pakicës Ujgure, Kina është vendi që mban në burg një të tretën e gazetarëve të arrestuar në mënyrë arbitrare, përkatësisht 120 gazetarë të burgosur.

Aktualisht, sipas organizatës të paktën 57 gazetarë mbahen peng, po aq sa edhe një vit më parë, kryesisht në Siri, Jemen, Irak dhe Ukrainë. Sipas të dhënave të organizatës, 24 prej tyre mbahen peng nga grupi militant Shteti Islamik, 14 nga kryengritësit Houthi në Jemen, 13 nga Al Quaida, Hayat Tahrir al Sham dhe grupe tjera radikale dhe 6 mbahen nga grupe të paidentifikuara përfshirë edhe kryengritësit pro rus në Ukrainë. Përmbledhja e tillë e raportit bëhet që nga viti 1995./VOA/

Raport i ri, Kina e Turqia vijojnë dënimin e gazetarëve

Numri i gazetarëve të burgosur në botë mbetet afër shifrave rekord, sipas një studimi vjetor të publikuar të mërkurën nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), i cili identifikon Kinën, Turqinë, Arabinë Saudite dhe Egjiptin si vendet me numrin më të madh të burgosjeve të gazetarëve në botë.

“Për të katërtin vit radhazi, qindra gazetarë u burgosën në shkallë globale, ndërsa udhëheqësit autoritarë si Xi Jinping, Rexhep Tajip Erdogan, Mohamed bin Salman dhe Abdel Fattah el-Sissi nuk tregojnë shenja të zbutjes të kritikave ndaj mediave”, sipas studimit për burgosjet e gazetarëve në vitin 2019 të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Edhe pse numri i gazetarëve të burgosur në të gjithë botën pati një rënie të lehtë në 2019, nga 253 në 245, organizata me seli në Nju Jork që ndjek lirinë e shtypit tha se numri i gazetarëve të akuzuar për raportim të “rremë” ose “lajme të rreme” vazhdon të rritet.

“Numri i gazetarëve të akuzuar për ‘lajme të rreme’ u rrit në 30, nga 28 që ishte vitin e kaluar,” thuhet në raport, duke shpjeguar se akuza, e përdorur më shpesh nga Egjipti, “ka patur rritje të ndjeshme që nga viti 2012, kur Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) gjeti vetëm një gazetar në mbarë botën ndaj të cilit ishin ngritur akuza për lajme të rreme”.

“Vitin e kaluar, vendet shtypëse, përfshirë Rusinë dhe Singaporin, miratuan ligje që kriminalizojnë botimin e ‘lajmeve të rreme’”, thuhet në raport.

Raporti i këtij viti, për herë të parë që nga viti 2015, nuk e radhit Turqinë si një nga vendet me numrin më të lartë të gazetarëve të burgosur në botë, pjesërisht sepse Ankaraja, “pasi kishte shtypur pothuajse të gjitha raportimet e pavarura, i liroi gazetarët në pritje të gjyqit ose apelit”.

Kina, e dyta në listë pas Turqisë si një nga mjediset më shtypëse të mediave në botë për vite me radhë, ka 47 gazetarë në burg, numër i ngjashëm me atë të vitit 2018, që kryesisht rezultoi nga përpjekjet e gazetarëve për të dokumentuar shtypjen në shkallë të gjerë të pakicave etnike, kryesisht të ujgurëve në provincën Xinjiang.

“Në një rast të kohëve të fundit, Sophia Huang Xueqin, një gazetare e pavarur, e cila më parë kishte punuar si gazetare investigative, u arrestua në tetor menjëherë pasi solli në blogun e saj përvojën e marshimit me protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong,” thuhet në raport.

Arabia Saudite, “ku numri i gazetarëve të burgosur është rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga viti 2011”, thuhet në raport, po mban të burgosur 26 gazetarë, mes pohimeve për torturë.

Numri në rritje i arrestimeve dhe abuzimeve të dokumentuara, thonë studiuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, reflektojnë një goditje brutale të kritikëve nën Princin e Kurorës Mohamed bin Salman, të cilin zyrtarët amerikanë dhe ata të OKB-së e fajësojnë për vrasjen në tetor të vitit 2018 të kolumnistit të gazetës Washington Post, Jamal Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Princi i kurorës saudite i tha emisionit “60 Minutes” të kanalit CBS News në shtator, se pranon përgjegjësinë për vdekjen e gazetarit Kashoggi, por mohoi akuzat se vrasja është bërë me urdhër të tij.

Shumica e 26 gazetëarëve të burgosur në Egjipt, thuhet në raport, u arrestuan dhe gjykuan në grupe, zakonisht për t’u përballur me akuza për terrorizëm dhe “lajme të rreme”.

Zyrtarët e qeverisë egjiptiane, ashtu si homologët e tyre në Turqi, Kinë, Rusi dhe Iran, zakonisht këmbëngulin se vënë në shënjestër vetëm gazetarët që synojnë të destabilizojnë vendet e tyre përkatëse.

Raporti për vitin 2019 i Komitetit për Mbrotjen e Gazetarëve gjithashtu thotë se në Iran ka patur një rritje të burgosjes së gazetarëve në vitin 2019, ashtu si edhe në Rusi, e cila mban shtatë gazetarë të arrestuar.

“Nga 38 gazetarë të burgosur në Afrikën nën-Sahariane, pjesa më e madhe janë në Eritre”, thuhet në raport. Kameruni radhitet i dyti për nga numri i gazetarëve të arrestuar në kontinentin e Afrikës, ndërsa ka pasur një rënie të mbrojtjes së lirisë së shprehjes edhe në Etiopi dhe Nigeri.

Tre gazetarë janë burgosur në vendet e Amerikës Jugore, në Venezuelë, Honduras dhe në Kubë.

“Numri më i madh i gazetarëve të burgosur në një vit, që kur Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve filloi t’i regjistronte rastet, ndodhi në vitin 2016 kur ishin burgosur 273 gazetarë”, thuhet në raport.

Raporti vjetor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve nuk përfshin gazetarët e zhdukur ose ata të mbajtur nga aktorë jo shtetërorë. Raporti përfshin vetëm gazetarët e ndaluar nga qeveritë deri më 1 dhjetor të vitit 2019./VOA/

“Ndoja i bëri Vetting vetes me plumb”

Disa javë më parë, Kryeministri Edi Rama denoncoi publikisht lidhjet e prokurorit Arjan Ndoja me krimin e organizuar. Gazetarët, Roland Qafoku, Klodiana Lala dhe Basir Çollaku, deklaruan në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se Kryeministri Edi Rama nuk duhet të kishte bërë akuza publike. Por, sipas tyre, ai duhet ta kishte denoncuar në prokurori nëse kishte dijeni për lidhjet e Arjan Ndoja me krimin e organizuar. “Deklarta e Kryeministrit ishte jo e pjekur. Ai ka të gjitha mundësitë për ta kanalizuar në rrugë zyrtare. Një mbështetës i Ramës do thotë që i doli fjala”, tha Roland Qafoku.

Ndërkohë, Klodiana Lala u shpreh se Arjan Ndoja, pas ngjarjes së fundit, i bëri vetes “Vettingun”. “Nuk është detyrë e kryeministrit të hedhi akuza për një prokuror. Prokurori e bëri vetë Vettingun e vetë, e bëri me plumb. Kurrësesi nuk mundet që një kryeministër të intimidojë sistemin e drejtësisë. Ne nuk kemi prokuror këtu, se të kishte prokuror i pari që do pyetej do ishte Kryeministri. Vettingu do duhet të ishte bërë me kohë, jo tani”, tha Klodiana Lala.

Për gazetarin Basir Çollaku, deklaratat e kryeministrit dhe të zëvendësit të tij janë të parprecedenta. “Ajo çfarë kanë bërë zëvendës kryeministri dhe kryeministri janë të parecedentë. Kjo makinë na shtyp të gjithëve ne. Kryeministri ka mundësi të informohet, dhe në pasjen në dijeni të kësaj vepre, duhet të shkonte ta denonconte në prokurori. Ka shkuar ai burri i ONM-s ka takuar Arjan Ndoja. Unë e njoh prokurorin, është një nga më të zotët. SHBA na kanë shpallur non grata se është i përfshirë në afera korruptive. Me këtë grup njerëzish janë shumë zytarë të shumë zyrave”, tha Çollaku./Realstory.al/

Skip to toolbar