Shpallet në kërkim bosi i Gega Oil, akuzohet për evazion fiskal dhe pastrim parash

Prokuroria ka nxjerrë urdhër ndalimi dhe ka shpallur në kërkim administratorin e ‘Gega Oil’ , Paulin Gega, pasi akuzohet se ka bërë pastrim parash dhe evazion fiskal në shuma të konsiderueshme.

Kjo është vërtetuar pas kontrollit të ushtruar në kuadër të aksionit kundër informalitetit ku ka rezultuar se Gega Oil i janë gjetur pompa në shkelje të ligjit, për këtë arsye  është bllokuar tregtimi i karburantit nga kompania “Gen Klaudis Sha”. Pas bllokimit, janë bërë hetimet nga ku ka rezultuar se Gega përmes “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme, por nuk dihet saktësisht për çfarë shume bëhet fjalë.

Prokuroria nxorri një urdhër ndalimi për Gegën, por rezulton se ky i fundit është larguar ditën e djeshme nga Shqipëria. Ndërkohë, 4 vite më parë ai ishte proceduar nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave.

Aksioni anti informalitet i ndërmarrë prej disa javësh nga ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve është përqëndruar së fundi jo vetëm tek lokalet dhe hotelet në zonat turistike por edhe në kontrollin e mbarë pikave të karburanteve në vend.

Skip to toolbar