Pas largimit të Osmanit, KLP në ‘dorën’ e Arta Markut, ja si zgjidhet ngërçi

Gentian Osmani, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe prokuror pranë Krimeve të Rënda, është shkarkuar nga shkalla e dytë e Vettingut, Komisioni i Posaçëm i Apelimit. Në vendimin e marrë këtë të mërkurë, KPA gjeti parregullësi në pasurinë e prokurorit Osmani, duke argumentuar se “ai nuk justifikonte dotë të ardhurat”, në këtë mënyrë, KPA vendosi shkarkimin e tij. Por shkarkimi i Gent Osmanit pasohet nga një ngërç në funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtar i të cilit ishte dhe Gentian Osmani. KLP është organi kushtetuese që emëron prokurorët në detyra të reja pasi ata kalojnë vettingun.

Sipas nenit 149 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtar, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë”.  Ndërkohë, po në këtë nene të Kushtetutës, në pikën 3, caktohet se “Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të prokurorisë”.

Pra, tashmë do të duhet që kryeprokurorja Arta Marku të mbledh me urgjencë Asamblenë e Prokurorëve, ku të dalin kandidaturat dhe të votohet për anëtarin e gjashtë të KLP-së që duhet të jetë nga radhët e prokurorëve, të cilët kanë kaluar gjithashtu Vettingun. Po përse është i rëndësishëm emërimi i anëtarit të ri të KLP pas largimit të Gent Osmanit? Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas Kushtetutës është i përbërë nga 11 anëtar. KLP është organi që emëron prokurorët e rinj, propozon kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, përcakton kriteretet për përzgjedhjen e prokurorëve etj.

Ndërkohë, prokrurorët që do të duhet të kandidojnë për t`u bërë anëtar të KLP-së, duhet të plotësojnë disa kushte të tjera. Të kenë ushtruar funksionin e prokurorit për të paktën 10 vjet, nuk duhet të jenë drejtues të një zyre prokurorie ose anëtar drejtues të grupeve të inrteresit, të jenë vlerësuar të paktën “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të etikës dhe veprimtarisë profesionale, të mos kenë masë disiplinore në fuqi, të mos kenë qenë ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, apo të shërbimeve të huaja sekrete. Të gjithë prokurorët që plotësojnë këto kushte mund të kandidojnë për t`u bërë anëtar të KLP.

Pretendimet e Salianjit në KPA për Osmanin rrëzohen nga “prova e tij”

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka dorëzuar të mërkurën një CD në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku pretendon se ka materiale inkriminuese për prokurorin Gent Osmani.

Salianji pas dorëzimit të CD në KPA, tha në një deklaratë për mediat se  prokurori Gent Osmani shfaqet duke bën biseda inkriminuese me Alfred Alizotin, i njohur në çështjen “Babalja”. Sipas Salianjit në përgjime tregohen lidhjet e tij me krimin për të ndikuar në çështje të caktuara për ‘i shërbyer politikës. Të tillë prokurorë deklaroi Salianji duhet të dalin nga sistemi nëse duam një drejtësi të pavarur.

“Sapo dorëzova një CD me të dhëna përgjuese, të bëra me vendim gjykate nga ana e prokurorisë, në të cilat subjekti në rivlerësim, Gent Osmani, sot anëtar i KLP-së, një prej drejtuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili vendos për emërimin, shkarkimin apo transferimin e prokurorëve të çdo niveli, po ashtu edhe për krijimin e SPAK-ut, ka komunikuar në mënyrë jo vetëm miqësore, por edhe duke prishur dhe fshirë një pjesë të përgjimit, siç duket në përgjimin që do ta bëj publike edhe për mediat, me shtetasin Alfred Alizoti. E ka vendosur vetë në përgjim dhe ka komunikuar po kështu në mënyrë miqësore, pa lënë më pas asnjë lloj procesverbali, pa pasur asnjë lloj dokumentimi të të gjithë situatës së komunikimit me të dhe duket që është vendosur në mënyrë joprofesionale në shërbim të politikës dhe padiskutim të ish-ministrit Xhafaj, i cili e ka trysnuar për ta mbajtur peng në Kolegjin e Apelimit, sepse në KPK e ka kaluar vetingun.

Është një rast flagrant se si një prokuror, në mënyrë joprofesionale vendoset në shërbim të politikës, duke montuar një çështje të caktuar. Ne nuk po sulmojmë drejtësinë, por jemi për drejtësi të pavarur. Të tillë prokurorë duhet të dalin nga sistemi. E kam dorëzuar materialin sipas procedurave. Duhet të hapet një hetim për shpërdorim detyre për Gent Osmanin” – tha Salianji

Gent Osmani, prokurori i Krimeve të Rënda dhe anëtarë i Këshillit të Lartë të Prokuroisë, pritet të marrë të enjten vendimin final nga KPA për procesin e vettingut. Ai u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra, me argumentin se nuk justifikon pasurinë.

Ajo që vihet re në një video të shkurtër e përgjimit, të shpërndarë nga vetë PD-ja, është se në bisedën mes Alfred Alizotit dhe prokurorit Gent Osmani nuk ka asgjë miqësore, siç pretendon ish deputeti demokrat Salianji. Madje në një moment prokurori i drejtohet Alizotit, i cili e thërret në emër, duke i thënë “jo Genti, por prokuror Genti, nuk jam shoku jot” Kjo frazë e thjeshtë dhe e shkurtër hedh poshtë të gjithë pretendimin e Salianjit se mes tyre ka pasur një bisedë miqësore.

Skip to toolbar