Shembja e teatrit, Gëzim Kame: Ka qenë si barakë që në 1946

Kryeministri Edi Rama vijon të përgjigjet me deklaratat e vetë aktorëve dhe regjisorëve të njohur shqiptar se pse duhet prishur Teatri Kombëtar dhe ndërtuar një i ri. Rama ka zgjedhur fjalët e regjisorit të njohur Gëzim Kame, i cili shprehet pro ndërtimit të një teatri të ri dhe thekson se kjo gjë është kërkuar nga vetë aktorët qe mëdhenj të skenës që në vitet 1946.

Në deklaratën e tij, Gëzim Kame thekson se teatri që në vitet ’46 ka qenë si barake dhe se ajo godinë thuhej se do të shembej shpejt që para 20 viteve pasi nuk mbante më.

Rama duke vlerësuar regjisorin Gëzim Kame për vlerat artistike të shtuara artit shqiptar, thekson se opinioni i tij për ngrehinën ekzistuese të teatrit është ai që ka qenë denbabaden.

“Gëzim Kame, regjisor i njohur i teatrit, pedagog e drejtues i katedrës së artit skenik në Institutin e Lartë të Arteve, ku u formua gjenerata e aktorëve të viteve të diktaturës, ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar drama e komedi, shumë të duartrokitura nga publiku. Opinioni i tij për ngrehinën ekzistuese të teatrit është ai që ka qenë denbabaden.

GËZIM KAME: Unë jam dëshmitar i dy kohëve, edhe para 20 viteve i njëjti problem ka qenë. Atëherë u tha që kjo godinë do shembet se nuk e mban zjarrin, do të digjet shpejt, po të njëjtat gjëra. Kreu i aktorëve, Kadri Roshi thoshte: Aman more na bëni një teatër të ri! Ishte ëndërr e të gjithë aktorëve sepse që në ‘46 ka qenë si barakë. Ne shqiptarët kemi fatin që po bëjmë gjëra të reja këtë periudhë dhe po marrim maksimumin e vlerës së Europës. Në asnjë mënyrë të mos pengohet ndërtimi i një teatri të ri në atë vend ku është teatri ekzistues “ shkruan Rama në facebook.

Teatri, Gëzim Kame: Keqardhje që politika ka hyrë në mes

Regjisori dhe aktorit Gëzim Kame kujton përpjekje e hershme, më saktë që në vitet 70, ku artistët kërkonin ndërtimin e një teatri të ri kombëtar.  Kame i konsideron skandaloze kushtet, në të cilat gjendet sot Teatri Kombëtar, ndërsa edhe nga pikëpamja estetike e quan një turp të madh, që një kryeqytet si Tirana të ketë një teatër të tillë. Regjisori i njohur përmend edhe shumë emra të njohur që në vitet ’98 mbështetën nevojën e prishjes dhe ndërtimit të një teatrit të ri Kombëtar.  Për 20 vite ajo godinë ka degraduar në mënyrë të tmerrshme dhe themelet e saj janë shkatërruar tha Kame, i cili e cilësoi godinën aktuale të teatrit si të rrezikshme.

“Problemi i një teatri të ri me sa mbaj mend unë ka filluar që në vitet ’70. Pothuajse të gjithë artistët e asaj periudhe, që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, të gjithë me radhe e kanë ngritur këtë problematikë. Sepse ajo godinë është e papërshtatshme, që në zanafillën e ndërtimit të saj, s’ka të bëjë me teatrin. Ky është ngritur përsëri me fuqi të madhe në 1998-ën. Dhe aty kam qenë protagonist për këtë punë. Isha në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar. Bëra një përpjekje duke krijuar një grup aktorësh me në krye Kadri Roshin, unë, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo dhe Agim Qirjaqi. Dhe e pashë që duhej larguar si problem nga politika. Atëherë patëm atë vizionin që më mirë t’ia lëmë Presidencës, ose Presidentit këtë problem sesa të merrej shteti. Kjo u ndërpre pastaj me ndërrimin e ministrave të Kulturës, ikjen e Arta Dades dhe ardhjen e Edi Ramës. Për 20 vite ajo godinë ka degraduar në mënyrë të tmerrshme, sepse janë bërë ndërtime të mëdhaja gjigande pranë saj, dhe themelet e saj janë shkatërruar. Pra vërtet tani paraqet një rrezikshmëri, po jo vetëm nga zjarri, por edhe nga struktura që ka ajo si godinë, dhe është e papërshtatshme fare” deklaron regjisori Kame, asokohe Kame drejtor i TK.

Gëzim Kame ndjen keqardhje që në këtë situatë ka ndërhyrë politika dhe janë krijuar dy qëndrime antagoniste mes artistëve.

Skip to toolbar