Foto: Gjergj Xhuvanit i jepet lamtumira e fundit, masa të larta sigurie për të birin

Pasditen e të martës i është dhënë lamtumira e fundit regjisorit Gjergj Xhuvani, i ndarë nga jeta pak ditë më parë në Itali, pas një sëmundje të rëndë. Miq dhe të afërm, dashamirës të artistit të njohur shqiptar dhe shumë artistë të skenës, kanë përcjellë për në banesën e fundit një nga artistët më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare. I pranishëm në varrim, ka qenë dhe i biri i regjisorit, Kostandin Xhuvani, i cili prej disa vitesh vuan dënimin për vrasjen e katër personave në Tiranë.

Ai mori leje nga Drejtoria e Burgjeve për t`i dhënë lamtumirën e fundit të atit, ndërsa është parë me lot në sy. Megjithatë, Kostandin Xhuvani, ka qenë me pranga në duar dhe i shoqëruar nga efektivë civil të policisë së shtetit gjatë kohës që është mbajtur ceremonia mortore për Gjergj Xhuvanin.

Artisti, që u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare, ishte regjisor, skenarist dhe producent i dhjetra filmave kinematografik. Karriera e tij nisi në vitin 1986 si ndihmës regjisor, dhe u ndërpre nën shesh xhirim, pasi Gjergj Xhuvani, ishte duke realizuar një tjetër projekt kinematografik këtë periudhë.

Mbërrin në Shqipëri trupi i pajetë i Gjergj Xhuvanit. Lot dhe trishtim te familjarët

Trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani ka mbërritur të martën në Tiranë dhe është pritur me lot e trishtim nga familjarët, miqtë e atë afërmit. Regjisori i njohur shqiptar u nda nga jeta më 14 gusht të këtij viti në Romë ku qëndroi për të mbyllur deri fund filmin e tij më të fundit “Liqeni im”.

Familjarët do t’i japin regjisorit lamtumirën e fundit përmes një ceremonie varrimi private.|

Gjergj Xhuvani është një regjisor, skenarist dhe producent shqiptar. Ai lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Ka punuar si regjisor në filma mjaft të njohur për publikun, si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat” etj.Qe i pari kineast shqiptar që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.

Ka dhënë kontributin e tij në kinematografinë shqiptare edhe si skenarist në filma si “Parrullat”, “I dashur armik”, “Në kërkim të kujt” etj.

Po ashtu ai ka interpretuar si aktor në “Edhe ne luftuam” dhe “Hije që mbeten pas”. Pas filmit “Engjëjt janë larg”, një vit më parë kineasti Gjergj Xhuvani pritej të prezantonte në kinema realizimin e fundit kinematografik,“Liqeni im”. 

Arti në zi, ndahet nga jeta regjisori Gjergj Xhuvani

Regjisori i njohur shqiptar, Gjergj Xhuvani, është ndarë këtë të mërkurë nga jeta. Në moshën 56-vjeçare, Xhuvani ka mbyllur sytë në një spital në Romë, pas një ataku kardiak. Skenaristi i shumë filmave dhe shfaqeve teatrale, bashkëshorti i aktores Luiza Xhuvani, lindi në vitin 1963 në Tiranë. Ai do të diplomohej në vitin 1986 në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën e Arteve Dramatike.

Prej përfundimit të studimeve deri në vitin 1990, Gjergj Xhuvani punon si asistent regjisor. Në vitin 1991 ai do të realizonte filmin e tij të parë, i titulluar “Bardhë e zi”. Kjo është një humbje e madhe për skenën shqiptare, familjen e tij dhe miqtë me të cilët Gjergj Xhuvani ka ndarë jetën private dhe atë artistike.

Xhuvani ka qenë regjisor i disa filamve si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parullat”, “Funeral Business”, “Dashuria e fundit”, “Një ditë nga një jetë”, “E diela e fundit”, etj. Gjatë karrierës së tij artistike, Gjergj Xhuvani ka qenë edhe producent, skenarist dhe aktor i disa filamve dhe shfaqeve artistike.

Presidenti i Republikës i ka shprehur menjëherë ngushëllimet familjes për ndarjen nga jeta të Gjergj Xhuvanit. “Ikja kaq e parakohshme e këtij regjisori të shquar, skenaristi e producenti të spikatur, i cili shkëlqeu përmes punës së palodhur krijuese dhe modestisë fisnike, është një humbje e madhe për artin dhe kinematografinë shqiptare, që Ai i dha një dimension të shquar edhe ndërkombëtar. I shpreh familjes, miqve e bashkëpunëtorëve të tij ngushëllimet më të thella e të sinqerta për humbjen e të dashurit të tyre! Gjergj Xhuvani na la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, që nderohet me respekt nga të gjithë e do të mbahet mend gjithmonë”, shprehet Meta në mesazhin e tij.

Skip to toolbar