Ernest Gjoka: Për mua vendos Gjici, disa lojtarë do qëndrojnë dhe për sezonin tjetër!

Ernest Gjoka ka folur në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes së radhës në kampionat. Trajneri i Kukësit ka folur për disa tema, përfshi dhe të ardhmen e tij dhe të disa lojtarëve, që janë ende në dyshim për sezonin tjetër. Ai tha se klubi ka rënë dakord që disa lojtarë të qëndrojnë edhe për sezonin tjetër. Ndërsa ka konfirmuar se Reginaldo do të jetë në planet e klubit për të ardhmen, Gjoka u shpreh se për të ardhmen personale do të ulet të bisedojë me Safet Gjicin.

Dyshimet dhe akuzat – “Nuk kam koment dhe nuk më pëlqen të futem në jetë vorbull fjalësh. Jemi mësuar që problemet janë aty, edhe kur fitojmë, edhe kur humbasim”

Të huajt, kontratat dhe finalja në qershor – “Nuk e kemi bërë ne kërkesën për afrim të finales, ishte propozim i FSHF-së. Ne dhamë OK, që finalja të luhej në 31 maj. Më vonë doli që disa klube refuzuan dhe nuk u ndryshua asgjë. Për lojtarët dhe kontratat, në duam që të vijojmë me këtë grup lojtarësh. Presidenti është OK me këtë ide, sepse grupi aktual ka cilësi dhe vitin tjetër do jetë edhe më cilësor. Ky vit shërbeu për konsolidim dhe asimilim mentaliteti, vitin e ardhshëm do të synojmë titullin”

Reginaldo? – “Është pjesë e planeve të klubit edhe për sezonin e ardhshëm. Sigurisht, flas për pjesën e klubit, pastaj çdo lojtar vendos në varësi të interesit dhe ofertave. Për ne është shumë i rëndësishëm. Në datën 2 për finalen ai do jetë në dispozicion, absolutisht”.

Fokusi te finalja – “Jo, duhet të bëjmë mirë këto 3 javë për të ruajtur vendin e dytë dhe për të mbajtur ekipin në formë perfekte. Skënderbeu ka synimet e veta, por edhe ne kemi synime dhe kjo e bën ndeshjen shumë interesante”.

Skuadra – Deri tani jam shumë i kënaqur, ekipi ka reaguar mirë, edhe pse kemi pasur shumë dëmtime. Kemi luajtur shumë ndeshje në pak kohë, me shumë mungesa, ndaj po bëjmë mirë mendoj”.

Shkurtaj e Shameti – “Shkurtaj u dëmtua në Gjirokastër dhe nuk do jetë nesër. Është në terapi të vazhdueshme, do jetë gati pas një jave. Shameti ka ndjerë sërish dhimbje dhe nuk do jetë i gatshëm”.

Merkato – “Së pari, nuk shohim dot aq larg, sepse kemi objektiva shumë madhore përpara. Së dyti, ky grup ka cilësi, ka pasur nevojë për pak koordinim dhe shumë qetësi”.

E ardhmja – “Në futboll nuk ka asgjë të sigurt. Unë varem nga rezultatet, natyrisht. E kam gjetur ekipin në një moment jo të mirë psikologjik, kemi punuar shumë dhe duam të arrijmë synimet që kemi, para se të flasim për vazhdimësinë me presidentin”.

Skip to toolbar