Presidenti Ilir Meta ka refuzuar të dekretojë Skënder Gjinushin si kryetar i Akademisë së Shkencave për shkak se në kohën kur është zgjedhur kryetar i kësaj akademie, Gjinushi ka mbajtur njëkohësisht edhe postin e kryetarit të Partisë Social Demokrate.
Kjo vëren presidenti bie në kundërshtim me kushtetutën dhe me statusin e anëtarit dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave, të cilët nuk duhet të kenë poste politike.
Para marrjes së këtij vendimi, pra për refuzimin e dekretimit të Gjinushit, Meta bën të ditur se është njohur me të gjithë dokumentacionin zgjedhor dhe atë gjyqësor, si për procesin zgjedhor të zhvilluar në Akademinë e Shkencave ashtu edhe për vendimin gjyqësor që Gjinushi heq dorë nga posti i kryetarit të PSD. Meta gjithashtu sqaron se është takuar edhe me Gjinushin me të cilin ka diskutuar për këtë shqetësim.
Gjinushi është zgjedhur si kryetari i Akademisë së Shkencave më 24 maj, ndërsa Gjykata e Tiranës e ka miratuar vendimin për shkarkimin e tij si kryetar i PSD në qershor. Pra në momentin që ai është zgjedhur në krye të akademisë ka qenë dhe kryetar partie. Megjithëse vetë Gjinushi thotë se dorëheqjen nga posti e ka dhënë më 15 maj.
“Zoti Skënder Gjinushi rezulton ligjërisht të ketë mbajtur funksionin si Kryetar i Partisë Socialdemokrate në mënyrë të pandërprerë që prej themelimit të saj më 22 prill 1991, deri më 06.06.2019 kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur ndryshimin e emrit të Kryetarit të kësaj force politike (PSD), për shkak të dorëheqjes së tij nga posti i Kryetarit. Ky vendim ende në datë 13 qershor 2019 nuk ka marrë formë të prerë. Pra, deri në datën 06.06.2019 zoti Skënder Gjinushi vazhdon të konsiderohet ligjërisht si Kryetar i kësaj force politike.
Statusi i anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave nuk mund të ushtrohet paralelisht me kryerjen e funksioneve drejtuese të larta në parti politike.
Presidenti i Republikës nuk mundet të dekretojë emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në kushtet kur procesi zgjedhor, i realizuar për këtë funksion, është kryer në shkelje të përcaktimeve të ligjit nr.9655/2006”, sqaron presidenca.
Kujtojmë se Gjinushi njihet si mik i Tom Doshit, (kandidoi i pari në listën e PSD në Shkodër ne 2017) i cili njihet për përplasjen e tij me Metën. Disa vite më parë Meta dhe Doshi trazuan jo pak skenën e politikës me akuza ku flitej dhe për skenare vrasjesh. Por më pas të dy politikanët, Meta dhe Doshi janë shfaqur në krah të njëri tjetrit ku kanë marrë pjesë në ceremoninë e 90-vjetorit të Kardinalit Ernest Simoni të zhvilluar në nëntor të 2018.
I pyetur për këtë vendim të presidentit Meta, Skënder Gjinushi është shprehur se “Meta vazhdon të nxjerrë dekrete nul”, duke iu referuar edhe dekretit për anulimin e zgjedhjeve.