Gjykata lë në burg dy gjobëvënësit, i morën 7500 euro një personi

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën “arrest me burg” për Edmond Gecajn dhe Ilson Beqirajn. Këta dy persona u arrestuan tre ditë më parë, pasi dyshohet se i kanë vendosur gjobë 12.000 euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro.

Sipas njoftimit të bërë nga Policia e Shtetit, pjesëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, janë autorë të disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, në qytetin e Tiranës.

Ndërkohë, po për këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim një 35-vjeçar, i cili dyshohet se është pjesë e këtij grupimi. Shtetasi Edmond Gecaj është ndaluar nga policia 3 vite më parë, pasi tentoi të godiste me thikë presidentin e klubit të futbollit Korabi, Femi Mziu.

Ngjarja ndodhi për shkak të një borxhi që Mziu kishte ndaj Gecajt. Në 2017, Gecaj u lirua nga gjykata. Ky është rasti i dytë  i goditjes së një grupi, që akuzohet për gjobëvënie. Një ditë para se të arrestoheshin këta shtetas, në Durrës u ndaluan dhe arrestuan tre persona të tjerë, që dyshohet se ia kanë vënë gjobë një biznesmeni, të cilit i kishin kërkuar 50 mijë euro. Dy prej personave morën masën “arrest me burg” ndërsa një tjetër u la i lirë.

Skip to toolbar