Qytetarët i denoncojnë, policia gjobit qindra makina luksoze

Qytetarët vijojnë të denoncojnë abuzuesit e ligjit në Komisariatin Dixhital në Policinë e Shtetit. Pasditen e të dielës, Policia njoftoi se në bashkëpunim me qytetarët, është duke punuar për rritjen e sigurisë rrugore.

Kështu, në të gjithë vendin, gjatë kësaj jave, vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor janë denoncuar nga qytetarët 546 raste, për drejtues mjetesh që shkelin semaforin, që nuk u japin përparësi këmbësorëve në semafor apo në vendkalimin e tyre.

Drejtues mjetesh që nuk durojnë dot në radhë, por parakalojnë në mënyrë të gabuar duke u bërë shkak për trafik të rënduar dhe burim për aksidente rrugore, drejtues mjetesh që pushojnë mjetet mbi trotuare, në vendkalime këmbësoresh apo qëndrojnë në rresht të dytë dhe vende të tjera të rezervuara, duke shkaktuar shqetësime dhe konfuzion në trafik.

Kështu, nisur nga denoncimet e qytetarëve, policia ka gjobitur 387 mjete për pushim dhe qëndrim të gabuar; 14 mjete për shkelje të semaforit; 92 mjete për parakalim dhe pozicionim të gabuar në zonën e kryqëzimit dhe 53 mjete për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve në vendkalimin e tyre.

Lejonin cigaren, gjobiten 11 lokale në ish-Bllok

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor gjobiti 11 lokale në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi është konstatuar se përdorej duhani në ambiente të mbyllura.

Sips ISHSH, gjatë kontrolleve të kryera në orët e vona gjatë kësaj fundjave, janë konstatuar 11 lokale ku lejohej përdorimi i cigares, ndonëse është i ndaluar me ligj.

Për këtë arsye, ISHSH thotë se dy lokale u gjobitën me nga 600 mijë lekë të reja, pasi ishin subjekte që përsërisnin shkeljen e ligjit.

Ndërkohë, 9 subjekte janë gjobitur me nga 300 mijë lekë, pasi e shkelnin ligjin për herë të parë. Konsumi i duhanit në ambiente të mbyllura është i ndaluar me ligj prej disa vitesh.

Në rast të konstatimit të përdorimit të duhanit në ambiente të mbyllura, dënohet jo vetëm subjekti por edhe përdoruesit.

Mungesa e higjenës, AKU gjobit katër biznese në Tiranë dhe Velipojë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur katër biznese në Tiranë dhe Shkodër, me vlerë totale 2.57 milion lekë. AKU ka njoftuar se gjatë të mërkurës janë kryer kontrolle në disa biznese, furrë buke, byrektore dhe fast-food. Në kryeqytet, inspektorët e AKU-së kanë gjobitur një binzes “Furrë Buke Pastiçeri Losha”.

Ndaj këtij biznesi janë gjetur disa shkelje, nga mungesa e liçensës përkatëse për të ushtruar aktivitetin, deri te prodhimi dhe tregtimi i produkteve ushqimore jashtë kushteve hijeno-sanitare. Gjithashtu, ky binzes ushtronte aktivitetin pa pasur libreza shëndetësore për punonjësit, ndaj, për shkeljet e konstatuara, AKU ka vendosur një gjobë me vlerë 2 milion lekë ndaj këtij biznesi.

Ndërkohë, në Velipojë, janë gjobitur tre biznese, dy byrektore dhe një fast-food, të cilët janë gjetur me shkelje të ndryshme ligjore. Mungesa e sistemit të gjurmueshmërisë, mungesa e kushteve hijeno-sanitare dhe mungesa e librezave shëndetësore për punonjësit, kanë qenë disa nga shkeljet, për të cilat AKU ka marrë masa administrative ndaj këtyre biznesev, duke vendosur gjobë me vlerë 570 mijë lekë në total.

Skip to toolbar