Pesëmbëdhjetë vjet e pesë muaj burg është vendimi që ka marrë gjyqtarja e Gjykatës së Katanias, Maria Cardillo për Moisi Habilaj, për akuzën e trafikut të drogës, duke e cilësuar atë si drejtuesin e një grupi kriminal të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vendimi për Moisi Habilajn është dhënë të mërkurën pasdite nga gjykata e Katanaias, e cila e ka dënuar tre vite më pak seç ka kërkuar prokurori Andrea Bonomo. Kushuriri i ish-ministrit Saimir Tahiri, e ka dëgjuar vendimin e gjyqtares në heshtje, duke mos bërë asnjë reagim, shkruajnë mediat italiane.
Megjithatë, për Moisi Habilajn kanë folur avokatët e tij, Giuseppe Ragazzo dhe Maria Caltabiano, të cilët janë shprehur se “klienti i tyre nuk ka qenë bosi i grupit, por “transportues”, duke kërkuar lirimin e tij nga akuzat. Habilaj mbahej në paraburgim prej tetorit të vitit 2017, ndërsa kohët e fundit kishte pranuar pjesërisht përgjegjësitë e tij, duke vendosur t`i përgjigej prokurorëve dhe shqiptarë. Në dosjen e Moisi Habilajt janë përfshrirë prova që vërtetojnë akuzat për organizimin e grupit kriminal për transportin dhe shitjen e lëndëve narkotike në Itali.
Një tejtër anëtar i kësaj bande, që ka mësuar gjithashtu vendimin e drejtësisë italiane, është dhe Nazer Seiti, i cili ishte financieri i Habilajve. Seiti do të vuajë një dënim prej shtatë vjetësh, katër muaj dhe 26 ditë burgim. Ai është i pandehuri i vetëm, që gjykohet me procedura të shkurtuara, pasi u arrestua në Shqipëri dhe më pas u ekstradua në Itali. Megjithatë, mediat italiane shprehin habi se çfarë ndodhi me Florian Habilajn, vëllain e Moisiut, që ende nuk është vënë para drejtësisë.
Më herët, gjykata e Katanias vendosi të mos e përfshinte ish-ministrin Saimir Tahiri në gjykimin e dosjes Habilaj, pasi ndonëse u akuzua nga politika si i lidhur me këtë band, për ish-ministrin e Brendshëm nuk u gjetën prova për ta akuzuar. Megjithatë, për Saimir Tahirin janë ngritur këto akuza në Shqipëri, teksa për rastësi, edhe ai u paraqit mëngjesin e të mërkurës në Gjykatën e Krimeve të Rënda në seancën e parë për akuzat e “trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “grupit kriminal”. Seanca për Tahirin nuk u zhvillua pasi nuk ishin të pranishëm të pandehurit e tjerë. Pas daljes nga Gjykata, Tahiri kërkoi që seancat të zhvilloheshin çdo ditë dhe çështja e tij të mos zvarritej më.
Ndërkohë, më poshtë janë të gjithë të pandehurit e liruar dhe që kanë marrë dënim nga Gjykata e Katanias këtë të mërkurë.
Lista e të pandehurve:
Antonino Riela: 14 vjet e tetë muaj;
Angelo Busacca: shtatë vjet, katër muaj dhe 26 ditë;
Vincenzo Spampinato: dhjetë vjet dhe dy muaj;
Gianluca Passavanti: katër vjet dhe dhjetë mijë euro gjobë;
Ëilliam Patanè: liruar;
Carmelo Bertolini: lirohet;
Massimiliano Bruno: lirohet;
Antonio Greco: lirohet;
Giuseppe Greco: dy vjet, katër muaj dhe 4700 euro gjobë;
Rosario Giuliano: dy vjet, katër muaj dhe 4700 euro gjobë;
Nezar Seiti: shtatë vjet, katër muaj dhe 26 ditë;
Sulaj Meridian: tetë vjet dhe katër muaj;
Moisi Habilaj: 15 vjet, 5 muaj dhe 10 ditë.