Viza amerikane i heq vizën Eugen Becit. Prokurori i preferuar i PD jashtë drejtësisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra prokurorin Eugen Beci, një emër i njohur dhe i preferuar në rrethet e politikës nga PD, i cili përmes këtij vendimi del jashtë sistemit të drejtësisë dhe shkak për këtë është bërë revokimi i vizës amerikane.

Sipas vendimit të Komisionit të Vetingut, prokurori nuk ka deklaruar faktin se i është revokuar viza amerikane në datën 26.1.2017. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar dy raporte për Eugen Beçin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në datën 4 prill të 2019, DSIK ka depozituar pranë KPK një raport të dytë për Beçin, duke korrigjuar raportin e parë. Në raportin e dytë, DSIK thotë se prokurori i Krimeve të Rënda ka bërë deklarim të pasaktë në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës, pasi nuk ka deklaruar revokimin e vizës amerikane.

“Mosdeklarimi në këtë rast, e ngarkon subjektin, Eugen Beçi, me përgjegjësinë e fshehjes së faktit dhe me plotësimin jo me vërtetësi të deklaratës për kontrollin e figurës. Grupi i Punës rishikon konstatimin fillestar të figurës së subjektit të rivlerësimit dhe arrin në përfundimin mbi papërshtatshmërinë e vijimit të ushtrimit të detyrës nga subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi”, thuhet në raport.

Shkak për shkarkimin e Becit është bërë edhe kontaktet që ai ka pasur me persona të papërshtatshëm që kishin lidhje me trafikun e lëndëve narkotike. Megjithëse Beci e kishte deklaruar këtë fakt në deklaratën e tij, kjo nuk është konsideruar si rrethanë lehtësuese për faktin se çështja është bërë publike dhe se prokurori nuk kishte sesi ta mbante të fshehtë një gjë të tillë.

Kujtojmë se emri i Eugen Becit nis të lakohet më së shumti në vitin 2014 kur u akuzua nga Tom Doshi se ishte pjesë e një skenari për vrasjen e tij, për interesat e ish-kryetarit të Parlamentit, sot President i Republikës, Ilir Meta.

Sipas Doshit, një miks personash, kishin planifikuar, organizuar dhe tentuar eliminimin e tij fizik.

Në investigimet private që kishte realizuar deputeti shkodran, rezultonte, sipas tij, se shtetasit Agim Rama, kunati i Sali Berishës; Agron Kuliçi, ish-zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Eugen Beci, drejtues i Krimeve të Rënda në atë kohë, Ylli Xhaxhollari, biznesmen, kishin kontaktuar me shtetasin Fatjon Skënderi për të gjetur një “vrasës me pagesë” (Durim Bami), i cili do të ekzekutonte fizikisht Tom Doshin, për llogari të Ilir Metës.

Për të bërë bindës skenarin e tij, Doshi publikoi edhe një foto të vitit 2014, ku disa prej personave të sipërpërmendur, gjendeshin në lokalin “Viva”, në zonën e ish-Bllokut, në pronësi të Xhaxhollarit.

Skenari publik i Tom Doshit u hetua nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në përfundim, rezultoi se situatat e paraqitura nga deputeti shkodran ishin sajuar prej tij, kolegut të tij Mark Frroku dhe shtetasit Durim Bami, të cilët u morën të pandehur për “kallëzim të rremë”.

Por kjo ngjarje dhe lidhjet e Eugen Becit me shtetasin Fatjon Skënderi, ish-i dënuar për çështje narkotikësh janë bërë shkak për ngecjen e tij në vetting.

Gjyqtari i VEFA-s rrëzohet në vetting

Vettingu ka shkarkuar nga detyra një tjetër gjyqtar. Bëhet fjalë për Fehmi Petkun, kreu i Apelit të Krimeve të rënda. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari në fjalë nuk justifikon pasurinë me burime të ligjshme financiare.

Komisioni vuri në dukje se Fehmi Petku në vitin 1999 ka gjykuar një dosje për Vehbi Alimuçën, ish-kreun e firmës piramidale VEFA, kohë kur babai i tij kishte marrëdhënie interesi.

Sipas komisionit të vettingut, gjyqtari ka konflikt në gjykimin e Vehbi Alimuçës kur i ati i tij kishte marrëdhënie interesi. Po kështu sipas komisionit, ka mungesë dokumentacioni për justifikimin e një trualli prej 16 mijë m2.

Përveç mos justifikimit të pasurisë, gjyqtari është konsideruar i papërshtatshëm për të vijuar detyrën edhe nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të klasifikuar. Në raport thuhej se ka dyshime se Fehmi Petku është i përfshirë në korrupsion pasiv.

Skip to toolbar