Vidhnin varëset e të moshuarave, pranga dy hajdutëve

Policia e Durrësit arrestoi dy persona, të cilët janë autor të disa vjedhjeve me forcë të varseve të florit. Sipas një njoftimi të Policisë së Durrësit, mësohet se dy shtetasit kishin kryer të paktën 7 vjedhje me dhunë, duke u marrë varëset e floririt nga qafa e grave të moshuara.

Konkretisht, në prangat e policisë janë vënë shtetasit me inicialet E.T., 34 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Durrës si dhe shtetasi A.G., 35 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Kavajës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale të vjedhjes.

“Këta shtetas në mesditën e datës 10.12.2019 në lagjen Nr. 16, Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në hyrje të pallatit i kanë marrë me forcë një varëse floriri shtetases I. T., 68 vjeçe dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin tip “Opel” që e përdornin për të realizuar vjedhjet.

Nga veprimet hetimore të kryera duke përdorur edhe metodat proaktive rezultoi se po këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë dy muajve të fundit kanë realizuar disa vjedhje të varëseve në lagje të ndryshme të qytetit dhe konkretisht:

-Më datë 12.12.2019, në lagjen Nr. 5, Durrës, kanë vjedhur varësen e shtetases P. G., 64 vjeçe;

-Më datë 04.11.2019, në lagjen Nr. 12, Durrës, kanë vjedhur varësen e floririt të shtetases D. M., 66 vjeçe;

-Më datë 27.10.2019, në lagjen Nr. 13, Plazh, kanë vjedhur varësen e floririt shtetases F. T., 67 vjeçe;

-Më datë 23.10.2019, dyshohet se i kanë vjedhur varësen e floririt shtetases H. A., 68 vjeçe;

-Më datë 15.10.2019, në lagjen Nr. 12, Durrës, kanë vjedhur varësen e shtetases T. B., 71 vjeçe;

-Më datë 10.10.2019, në Rrashbull, kanë vjedhur varësen e floririt shtetases V. H.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti tip “Opel” që e përdornin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Skip to toolbar