Pse Trump po i kushton vëmendje të lartë marrëveshjes Kosovë-Serbi?

Ndërsa Uashingtoni është i përqendruar tek tensionet me Iranin dhe gjyqin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump, dy zyrtarë të lartë të administratës amerikane, kanë bërë përpjekje këtë javë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, për përparim në drejtim të zgjidhjes së një çështjeje jo shumë të njohur për shumicën e amerikanëve.

Siç njofton kolegia, Keida Kostreci, vëmendja në nivele të larta të administratës ndaj mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, i ka bërë disa analistë amerikanë të vrasin mendjen se ç’vend zë kjo çështje në politikën e jashtme amerikane, në qendër të së cilës kanë qenë krizat në Korenë e Veriut dhe Iranit dhe e cila ka në qendër sloganin “Amerika e Para.”

Vetë presidenti Trump i ka kushtuar personalisht interes kësaj çështjeje, duke shprehur vlerësimin e tij në Twitter një ditë para se të fillonte gjyqi për shkarkimin në Senat.

Në një postim në Twitter të hënën në mbrëmje, ai shkruante:

“Të gjithë thoshin se nuk bëhej dot. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore.”

Në fillim të javës, ndërsa senatorët amerikanë debatonin për rregullat e gjyqit për shkarkimin, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien takoi në Davos, presidentët e Serbisë dhe Kosovës.

Richard Grenell, ambasadori amerikan në Gjermani dhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, vizitoi këtë javë Prishtinën dhe Beogradin, duke nxitur palët të rifillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe të përqendrohen tek zhvillimi ekonomik.

Edhe i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer është angazhuar intensivisht në këtë përpjekje diplomatike.

Në takimet e kësaj jave, ambasadori Grenell bëri thirrje për kompromis.

“Tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”, tha ambasadori Grenell të enjten, pas takimit me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Beograd, duke i bërë jehone deklaratës së ngjashme një ditë më herët në Prishtinë.

Angazhim i nivelit të lartë

As Shtëpia e Bardhë, as Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, lidhur me motivet e këtij angazhimi të nivelit të lartë.

Analistët e kontaktuar nga Zëri i Amerikës, nuk shohin ndonjë përfitim të madh strategjik nga ana e Shteteve të Bashkuara, në këmbim të rolit që ata po luajnë.

Por ata shprehen se është koha që kjo çështje të zgjidhet dhe se ajo mjnd të jetë një fitore e lehtë e politikës së jashtme amerikane, krahasuar me sfidat e tjera ndërkombëtare.

“Sipas mendimit tim, administrata po përpiqet me të gjitha forcat për një sukses, diku në ndonjë pjesë të botës. Nuk ka ndonjë interest strategjik”, i tha Zërit të Amerikës, analisti Daniel Serwer i Univerisitetit Johns Hopkins.

Damon Wilson, zëvendës president i Këshillit të Atlantikut, dha një koment të ngjashëm për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, duke përmendur mungesën e përparimit në disa prej prioriteteve të politikës së jashtme amerikane, si Irani dhe Koreja e Veriut.

“As në Ballkanin Perëndimor, nuk është e thjeshtë të arrish sukses, por atje ke të bësh me shtete demokratike që duan të jenë pjesë e Perëndimit dhe kanë një vizion të përbashkët për rajonin, si pjesë e Evropës. Kjo na jep një mundësi të mund të kontribuojmë dhe megjithëse mund të duket e vështirë, po ta krahasosh me Iranin, Korenë e Veriut dhe Venezuelën, është e thjeshtë”, tha ai.

James Hooper, ish-diplomat i Departamentit të Shtetit thotë se një sukses në Ballkan, do të ishte i dobishëm politikisht për Presidentin Trump në këtë kohë.

“Kështu ai mund të demonstrojë se gjyqi për shkarkimin, nuk e shpërqendron nga fokusi tek siguria kombëtare dhe tek çështjet ndërkombëtare”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Ai shton se një sukses në politikën e jashtme mund ta ndihmojë zotin Trump në fushatëm për rizgjedhje.

Por zoti Wilson thotë se nuk duhet ekzagjeruar ndikimi i kësaj nisme tek zgjedhjet.

“Nuk mund të thuash se është një çështje që mund të sigurojë mbështetjen e votuesve të Ajovas”, tha ai duke iu referuar shtetit ku do të mbahen votimet e para për zgjedhjen e kandidatëve presidencialë në fillim të shkurtit.

Shanse për përparim

Pavarësisht nga motivet e administratës, zoti Hooper e sheh angazhimin amerikan si një mundësi për përparim në marrëdhëniet e vështira mes dy vendeve.

“Është një shans i prekshëm sepse Uashingtoni po i kushton vëmendje dhe Grenell është serioz dhe ka mjaft ndikim në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Zoti Wilson thotë se duke pasur parasysh zhvillimet në botë dhe në Shtetet e Bashkuara, ky angazhim është akoma më shumë për t’u shënuar, sepse dërgon sinjalin që…

“Ne do të angazhohemi, nuk do të lëmë zbrazëtirë në Ballkanin Perëndimor, kemi një rol për të luajtur dhe do ta luajmë atë”, thotë ai.

Prof. Alon Ben-Meir i Universitetit të Nju Jorkut, thotë se si Kosova edhe Serbia, duhet të përfitojnë nga ky shans.

“Janë fqinjë, duhet të marrin e japin me njëri-tjetrin. Duhet ta pranojnë se disa realitete në terren që ata nuk mund t’i ndryshojnë. Dhe kur të arrijnë në atë pikë, veçanërisht Serbia, mendoj se do të ketë përparim”, thotë ai.

Megjithatë, tani për tani nuk duket se ka sinjale që ky mesazh po dëgjohet. Serbia e hodhi menjëherë poshtë propozimin e zotit Grenell.

“Nuk e pranoj shenjën e barazimit mes tarifave dhe tërheqjen nga fushata e mosnjohjes. Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e në nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”, tha presidenti Vuçiç.

Kosova nuk ka shprehur një qëndrim të qartë dhe situata atje ndërlikohet nga mungesa e një marrëveshjeje për qeverinë. Qeveria e drejtuar nga kryeministri në ikje, Ramush Haradinaj, i vendosi tarifat në vitin 2018, pas fushatës aktive dhe të suksesshme të Serbisë, që Kosova të mos anëtarësohej në Interpol.

Grenell në Beograd: Ndaleni fushatën kundër pavarësisë së Kosovës

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të premten në Beograd që nëse palët vendosin se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe gjatë vizitës në Prishtinë se Kosova duhet te heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Kur isha në Kosovë dje e bëra shumë të qartë para çdo udhëheqësi që takova, si edhe para medieve e komunitetit të biznesit se tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”, tha ambasadori Grenell.

“E ndjej që ka energji meqë po bisedojmë për të arritur përparime të caktuara. Nëse palët vendosin që nuk duan të bisedojnë, atëherë do të tërhiqemi”, tha ambasadori Grenell.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se nuk mund të pranojë barazimin e heqjes së tarifave dhe ndërprerjes së fushatës për tërheqjen e njohjeve.

“Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e në nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”, tha presidenti serb sipas të cilit Serbia vetëm brenda një viti ka humbur 435 milionë euro për shkak të tarifave.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Ambasadori Grenell tha se nuk i takon atij të vendosë nëse është apo nuk është e drejtë që këto gjëra të krahasohen, por ai përpiqet të përqendrohet në një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam këtu për të nxitur të dyja palët për bashkëpunim ekonomik, po ua lë politikën juve”, tha ambasadori Grenell.

Në këtë kuadër gjatë takimit është diskutuar edhe për vendosjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai po qëndron në rajon pak ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve./VOA/

Mero Baze: Prioritetet e ndryshme të “fitimtarëve” dhe SHBA, për Kosovën

Nga Mero Baze

Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë në javën e fundit të dështimit të mundshëm të formimit të qeverisë, së dal nga zgjedhjet e 6 tetorit, por kjo duket se nuk është fare shqetësim i SHBA .

I dërguari i Posaçëm i Presidentit Trump  për Negociatat e Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ambasadori Richard Grenell, ka shpallur prioritet jo aq shumë arritjen e Marrëveshjes Kurti-Mustafa, por arritjen e Marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Pas takimeve në Kosovë dhe Beograd, Ambasadori Grenell, ka kërkuar që Serbia të ndal betejën kundër njohjes së Kosovës, kurse Kosova të heq taksën për Serbinë, si hapa që çojnë drejt krijimit të klimës për mbylljen e Marrëveshjes.

Injorimi i negociatve të lodhshme të “fitimtarëve” të Kosovës në zgjedhjet e fundit, dhe imponimi për tu angazhuar në Marrëveshjes Kosovë-Serbi si një kusht për zhvillimin ekonomik të Kosovës, nga ana e të dërguarit të Presidentit Trump, tregon prioritetet e ndryshme të klasës politike në Kosovë me ato të SHBA për Kosovën.

Qysh në fushatën e zgjedhjeve të 6 Tetorit, ajo që binte në sy, ishte se asnjë nga politikanët e Kosovës, nuk e bëri temë të debatit politik në zgjedhje, Marrveshjen Kosovë-Serbi. Përkundër kësaj pati një fushatë populiste kundër saj, që pasoi taksën e qeverisë Haradinaj, që paraqitej si “shpëtim” i Kosovës në emër të patriotizimit.

Në fakt taksa 100 për qind, u vendos si mekanizëm politik për të ndërprerë bisedimet Kosovë-Serbi që po udhëhiqeshin nga SHBA dhe për tu përdorur për luftë të brendëshme politike, duke rikthyer retorikën e tradhtarëve dhe heronjve. Për ta bërë dhe më të lehtë betejën për një armik kombëtar, u erdhi në ndihmë Edi Rama, i cili i plotësonte të gjitha kushtet formale si i tillë , pasi është  i gjatë sa Vuçiç, është në luftë me “patriotët” Meta-Berisha  dhe kish zëvendësuar Ditmirin me Gentin.

Kjo ishte dëshmia e parë e një fushate frikacakësh, që duke tentuar ti shmangen problemit kryesor të Kosovës, shpikën realitete të tjera për opinionin publik, për të mos u përballur me të vërtetën që i priste si sfidë.

Edhe më e papërgjegjshme u bë kjo situatë pas zgjedhjeve. Në negociatat thuajse të neveritshme prej 6 tetorit deri më sot, në asnjë rresht dhe në asnjë paragraf të kushtëzimeve ndaj njeri tjetrit, Isa Mustafa dhe Albin Kurti nuk kanë përmendur prioritetin kryesor të Kosovës, që janë bisedimet me Serbinë, të cilat kushtëzojnë të ardhmen perëndimore të Kosovës. Është folur për numra ministrash, për karrigen e ardhshme të Pesidentit, për votim dhe dorëheqje kryetarësh Kuvendi, janë ndarë agjensi, e janë rindarë ministri, por askush nuk ka folur çfarë do të bëjnë me temën e pare, me të cilën do të ndeshet qeveria e re, nëse a arrin të bëhet.

Dhe kjo është shumë e papërgjegjshme, pasi praktikisht nëse dy partnerët kryesore nuk kanë një qëndrim të përbashëkt për bisedimet, atëhere qeveria lind e vdekur dhe nuk i duhet askujt. Nga mënyra se si i dërguari i Presidentit Trump u soll në selitë respektive të LDK dhe VV sot, kuptohet se e ka konstatuar këtë problem dhe i ka injoruar tërësisht negociatat e tyre për qeverinë, duke shpallur prioritet normalizimin e të ardhmes perëndimore dhe ekonomike të Kosovës.

“Njerëzit e dinë që një gjë e tillë duhet të ndodhë, por disa politikanë janë bllokuar në mënyrën e tyre të vjetër të menduarit dhe duan të debatojnë për gjithçka”, tha Grenell pas vizitës në Prishtinë.

Dhe kjo do të thotë se vizita e të dërguarit të Presidentit Trump në Prishtinë, praktikisht ka injoruar negociatat për një qeveri që nuk i hyn në punë. Ai ka diktuar prioritetet, përse duhet të formohet një qeveri e re, dhe ato prioritete, janë zhvillimi ekonomik i Kosovës që vjen nga tejkalimi i ngërçit të izolimit prej mungesës së një marrëveshje për paqen me Serbinë.

Kosovën do ta shpëtojë ajo qeveri që ka guximin e mjaftueshëm të ketë axhendën e SHBA si axhendë të vet. Çdo qeveri tjetër, vetëm sa e degradon jo vetëm të ardhmen perëndimore të Kosovës, por dhe vet mbijetesën e saj. Fatekqësisht në emër të “patriotizmit”.

Skip to toolbar