Astrit Patozi u është drejtuar shqiptarëve me një letër publike, ku u kërkon që të dalin për të votuar më 30 qershor. Sipas Patozit, e vetmja mënyrë për ndëshkuar qeverinë, që sipas tij ka treguar që është e korruptuar, është vota. Ndaj, kreu i Bindjes Demokratike kërkon hakmarrje, jo vetëm ndaj qeverisë, por gjithë sistemit, që sipas tij, të gjithë e kemi pranuar prej vitit 1990.
“Por është po kaq e vërtetë se e vetmja mënyrë për të “marrë hak” në këtë sistem, që vetë e kemi pranuar prej vitit 1990, është vota juaj. Natyrisht edhe drejtësia, por atë nuk e kemi ne në dorë, dhe jemi ende larg ditës kur ajo mund të veprojë edhe mbi mëkatarët e gjithëpushtetshëm, të cilët deri më sot nuk janë ndëshkuar asnjëherë”, shprehet Patozi.
Duke u kërkuar qytetarëve që të zgjedhin Bindjen Demokratike, si alternativë kundër “Rilindjes”, Astrit Patozi shprehet se më 30 qershor shqiptarët duhet të dalin për të votuar, pavarësisht se në fushë mund të mos jetë “fanella” e ekipit të zemrës.
“Askush prej jush nuk duhet të mbetet peng i një keqkuptimi apo sedre, për shkak se mund të mos e gjejë në fushë fanellën e ekipit të vet të zemrës. Sepse gabime në vendimmarrje të rëndësishme janë bërë edhe në të shkuarën, por jeta politike ka vijuar normalisht dhe ata që i kanë kryer janë përpjekur që t’i korrigjojnë rrugës dhe të marrin sa më pak kosto prej tyre”, thekson ai.
Sipas Astrit Patozit, vetëm duke votuar më 30 qershor, është shansi për të ndëshkuar qeverinë me votë, duke matur njëkohësisht pakënaqësinë ndaj saj. “Do të ishte e vetmja mënyrë për ta matur pakënaqësinë e madhe të shqiptarëve ndaj kësaj qeverie në këto zgjedhje, të cilat me gjithë defektet e tyre serioze, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen. Ndaj i drejtohemi me përulësi çdo zgjedhësi shqiptar, që është kundër kësaj qeverie, pavarësisht partisë që përfaqëson apo simpatizon, se nuk duhet ta humbë këtë shans. Kjo qeveri duhet ndëshkuar me votë dhe rrëzimi i saj duhet të fillojë më 30 qershor”, është shprehur Patozi.