Ushqimet me kimikate, gjoba JO, burg PO

Gjatë mbledhjes së grupit parlament të PS, janë bërë disa ndryshime në Kodin Penal, ku pjesë e tyre ishin edhe akuzimet që bëhen me sigurinë e ushqimeve.

Pas skandaleve në mediat se përdoren shumë kimikate, madje edhe materiale ndërtimi në ushqimet e ndryshme që kanë konsum të përditshëm, ka reaguar edhe qeveria duke ashpërsuar masat në lidhje me parandalimin e këtyre rasteve.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se çdo person që abuzon me ushqimet dhe tregton produkte të skaduara do të dënohet me 10 vite burg.

“Kodi ka nevojë për disa ndryshime në aspekte të tjera për mbarëvajtjen e jetës së vendit. Duke nisur nga siguria ushqimore, kemi bërë jo pak progres. Produktet tona bujqësore, ndryshe nga çfarë del ne ekran për të bërë sensacion, janë plotësisht të shëndetshme. Asnjë kamion nuk është kthyer për shkak të cënimit të standardeve europiane, por ka fatkeqësisht individë edhe subjekte që kryejnë krime kundër shëndetit të njeriut, ia kanë hedhur 30 vjet me gjoba që nuk janë asgjë krahasuar me fitimin e tyre. Dua t’i referohem disa neneve për sigurinë ushqimore, importimi, prodhimi, ruajtja, prodhimi, shitja apo vendosja në qarkullim e pijeve ushqimeve, barnave, futja e kimikateve do të dënohet me burg. E njëjta gjë për tregtimin e produkteve jashtë afatit. Kjo është një lojë që vazhdon prej 30 vitesh, që afatet e përdorimit të prodhimeve ushqimore shkelen. S’ja ka borxh asnjë familje kësaj shumice që të rrijë dhe bëjë sehir, është një vepër që dënohet me 10 vjet burg.” – tha Rama

Hormone e materiale ndërtimi tek ushqimet, AKU: Perimet janë të sigurta

Lajmet se perimet dhe frutat rriteshin me hormone, pesticide dhe me materiale ndërtimi bëri që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të kryente kontrolle në fermat dhe serat e Beratit dhe Fierit.

Sipas AKU-së janë kryer verifikime magazinat që ushtrojnë aktivitet për shitjen e fruta-perimeve me shumicë dhe janë kryer teste nga mostra të ndryshme të marra në laborator. AKU tha se të gjitha kanë dalë brenda normave të përdorimit të pesticideve.

“Për rastet kur është konstatuar mos përmbushje e kërkesave ligjore, inspektorët kanë marrë masa administrative ndaj subjekteve. Shkeljet e konstatuara kishin të bënin kryesisht me mangësi në dokumentacionin për gjurmueshmërine e produktit. Perimet e prodhuara nga fermerët e Myzeqesë dhe kudo në vend janë brenda parametrave të sigurisë dhe standardeve ushqimore bashkëkohore. Për rrjedhojë edhe të kërkuar nga vendet e BE-së dhe kjo vërehet nga rritja e eksporteve të fruta-perimeve drejt vendeve si Greqia, Italia dhe vende të tjera evropiane etj. Pothuajse çdo ditë nga Shqipëria dalin produkte (fruta, perime) me destinacion vendet e BE-së.” – thuhet në njoftimin e AKU

Skip to toolbar