Pas akuzave se “Ministrja e Drejtësisë Etilda
Gjonaj kishte fjetur në hotele që kushtonin deri në 700 euro nata, gjatë udhëtimeve
zyrtare jashtë vendit”, ka ardhur dhe reagimi i Gjonajt. Me anë të një
deklarate bërë në rrjetin e saj social Facebook, Gjonaj ka treguar së parëi, se
faturat që u publikuan në media, janë vënë në dispozicion të portalit që po
investigonte shpenzimet e ministres, nga vetë dikasteri që ajo drejton, duke
respektuar të drejtën e informimit për qytetarët. “Më lejoni që në këtë reagim publik timin, të
shpreh para së gjithash se personalisht unë dhe stafi i Ministrisë së
Drejtësisë, kemi qenë tejet transparent në respekt të të drejtës së medias për
t’i ofruar informacionin e kërkuar, ashtu siç është trajtuar çdo kërkesë e çdo
qytetari në respekt të transparencës për çdo veprim financiar të Ministrisë së
Drejtësisë”, shkruan Gjonaj.
Duke u bërë ftesë mediave dhe jo vetëm, për të
hetuar punën e saj si ministre, Etilda Gjonaj zbardh edhe të vërtetën rreth
lajmit të publikuar në media, për shpenzimet e kripura gjatë udhëtimeve jashtë shtetit.
Së pari, Gjonaj saktëson se media që ka publikuar faturat, ka bërë interpretime
spekulative dhe dashakeqe. “Besoj se më
të njëjtën transparencë që Ministria e Drejtësisë ka vepruar duke i ofruar të
dhënat e kërkuara, të njëjtën transparencë dhe profesionalizëm do të duhej të
kishte dëshmuar edhe media për të kryer verifikimet e duhura dhe për t’i
paraqitur ato me vërtetësi jashtë interpretimeve dashakeqe dhe spekulative”,
shprehet Gjonaj.
Më tej, Minisrja e Drejtësisë shpjegon se “faturat
nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por të gjithë delegacionit që udhëton me
të në takime zyrtare”. Në këto kushte, Gjonaj tregon se hotelet ku akomodohen
stafet gjatë udhëtimeve jashtë vendit, përzgjidhen kryesisht nga vendi pritës për
shkak të sigurisë. “Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim,
do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është
vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje
për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm
shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte
pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të
sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit,
që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të
periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato
vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo
axhendës së diktuar nga pala pritëse”, thotë ministrja.
Ajo tregon gjithashtu se gjatë udhëtimeve të
saj jashtë vendit, ka pasur raste që ka udhëtuar dhe me tren, apo është kthyer
brenda ditës duke mos shpenzuar para për hotelin, ndërkohë që ka sqaruar se për
udhëtimet jashtë vendit nuk kujdeset ajo për faturat, por stafi. “Nëse media do
të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë vizitave zyrtare jashtë
vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në
kohë dhe më me pak kosto për vizitat e punës. Ashtu siç do të verifikonte që si
ministre kam kryer vizitat zyrtare brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek
për hotelin, apo raste të tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e
huaj. Askush nuk e publikoi këtë për t’ju treguar shqiptarëve të vërtetën siç
është dhe jo siç duan t’ia imponojnë. Në këtë pikë, portali që mori përsipër ta
bënte këtë “transparencë” do duhej të publikonte dhe të analizonte edhe
informacionin që i është dhënë edhe për udhëtime pune të tjera”, ka shkruar
Gjonaj.
Në këto kushte, Gjonaj thotë se ka hapur një
audit të brendshëm në ministri, nga ku ka rezultuar se “nuk ka pasur shkelje të
procedurave të prokurimit publik për blerjen e faturave”, ndërsa shton, se për
shkak të transparencës, do të kërkojë dhe nga institucione të tjera të pavarura
nga ministria që drejton, për të hetuar dhe kontrolluar ligjshmërinë e
veprimeve dhe procedurave të prokurimit për biletat e avionit apo hoteleve ku është
akomoduar gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Në fund, Etilda Gjonaj shton se ky është një tjetër
sulm që i bëhet asaj si grua në politikë, duke shprehur keqardhjen, por dhe
vendosmërinë për t`i shkuar deri në fund luftës kundër paligjshmërisë.