Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Durrës, pasi një 65-vjeçar, me inicialet I.R., ka tentuar ti vërë flakën me lëndë djegëse një tjetër shtetasi, me inicialet K.SH, 67 vjeç. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, raporton Policia e Durrësit në një komunikatë shpërndarë për mediat.
I plagosuri, shtetasi K.SH është dërguar në spital për të marrë mjekim, teksa nuk bëhet e ditur shkalla e dëmtimit të tij. Ndërsa agresori është arrestuar në flagrancë nga policia, ndërsa materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë në Durrës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Durrës
Tentoi të digjte më lëndë djegëse për motive të dobëta një shtetas, arrestohet në flagrancë autori.
Seksioni për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë së Rendit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin I.R., 65 vjeç, banues në Nr.6, Durrës.
Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas për motive të dobëta ka tentuar të djegë me lëndë djegëse shtetasin K . Sh., 67 vjeç, i cili u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës në ngarkim të shtetasit I.R., për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” parashikuar në nenin 88 të Kodit Penal.