Erdhën! Ibrahimi: SPAK dhe BKH, urgjent në Kuvend

Ngritja e organeve të reja të drejtësisë, siç është SPAK dhe BKH që do të merren veçanërisht me hetimin dhe vënien para drejtësisë të zyrtarëve të lartë të korruptuar apo që kanë lidhje me krimin, ka bërë që deputetët të vihen në lëvizje dhe të kërkojnë më tepër informacion.

Ata kanë thirrur në një seancë dëgjimore Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i cili do të raportojë të martën para Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Reformës në Drejtësi. 

Ibrahimi do të raportojë për punën që po bëhet për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Seanca është parashikuar të zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Komisioni i Pavarur përbëhet nga 5 anëtarë, profesionistë në fushën e të drejtës, që zgjidhen nga Kuvendi, dhe ka objekt të veprimtarisë së tij monitorimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve dhe të zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë.

Më herët Ibrahimi ka deklaruar se SPAK do të jetë gati në fund të shtatorit dhe në tetor do të nisë punën. Pritet që gjatë raportimit të japë detaje të mëtejshme edhe për dosjet me të cilat do të merret SPAK. Në një deklaratë të mëhershme, Ibrahimi ka thënë se kjo strukturë do t’i hapë të gjitha dosjet, edhe dosjet e vjetra të politikanëve të akuzuar, ndërsa ka përmendur edhe emrin e Adriatik Llallës, duke thënë se puna e SPAK mund të nisë me këtë dosje./realstory.al

“SPAK gati, pas Vettingut të prokurorëve”, premtimi i KLP

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka folur në një intervistë për Neës 24, ku ka treguar se çfarë po ndodh aktualisht me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion dhe Anti Krimit të Organizuar. Ibrahimi u shpreh se 10 kandidatët për SPAK janë drejt finalizimit. 5 prej kandidatëve e kanë mbyllur procesin dhe janë gati të emërohen, por pritet që të kalojnë dhe të paktën 5 të tjerë Vettingun, duke i hapur rrugë ngritjes së SPAK. “Ne e ndiejmë peshën e përgjegjësisë për dhe për të ecur përpara. ka një vonesë që lidhet me reformën, por besoj që jemi afër finishit. 10 kandidat janë drejt finalizimit, 5 e kanë mbyllur garën, 5 të tjerë janë drejt finalizimit. Presim që këto kandidatë ta kalojnë Vettingun”, u shpreh Ibrahimi.

Më tej ai shtoi se mund të emërohen dhe 5 prokurorët që kanë kaluar Vettingun, por një vendim i tillë nuk është marrë për arsyen e vetme që prokuorët që do të emërohen të mos kenë ngarkesë me hetimin e dosjeve. “Vendimi do ti mbetet këshillit. Mund të emërojmë secilin prej atyre pesë prokurorëve që kanë kaluar Vettingun që sot. Por duhet bërë një llogari e tillë që prokurorët e rinj të kenë një ngarkesë të arsyeshme të dosjeve”, tha Ibrahimi.

Më tej, numri një i KLP-së, e ka cilësuar si diçka pozitive faktin që nuk ka pasur dorëheqje të mëdha nga radhët e prokurorëve, duke pranuar të kalojnë në sitën e Vettingut. Sipas Ibrahimit, ky proces është një mundësi e mirë për të treguar integritetin e prokurorëve. “Ne nuk e kemi bërë këtë  llogari se sa dorëheqje do të kishte, unë mendoj se Vettingu është një moment i mirë për të treguar integritetin e tyre”, tha Ibrahimi. SPAK parashikohet të jetë funksional në fund të muajit shtator ose fillim të tetorit. Kjo strukturë, e cila do të hetojë korrupsionin në nivele të larta të politikës.

Gent Ibrahimi: SPAK gati në fund të shtatorit

Ngritja dhe vënia në funksionim e Prokurorisë Sepciale (SPAK), është një nga angazhimet më të rëndësishme të momentit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në një intervistë për A2CNN, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi, ka treguar se fundi i shtatorit, apo fillimi i tetorit, do të  jetë koha kur SPAK do të vihet në funksion.

“Kemi një listë që ka ardhur si rezultat i një procedure të dakordësuar paraprakisht, është rezultat i aplikimit sipas atyre kritereve vlerësimi që janë dakordësuar paraprakisht, çdo pakënaqësi që mund të shfaqet kur ballafaqohesh në fund me listën i hap rrugën vetëdijes që është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme”.

“Në këto kushte mund të them se shtatori është optimist si afat duke patur parasysh se institucionet e vetting-ut do të duan kohën e tyre për të procesuar të 15 kandidatët e SPAK-ut, por fillimi i tetorit do të jetë koha kur do të jemi në gjendje që të krijojmë strukturën”, u shpreh Ibrahimi.

Aktualisht është miratuar lista paraprake me 15 emrat e prokurorëve kandidat për SPAK, një pjesë e të cilëve do të duhet të kalojnë Vettingun që të bëhen më pas anëtar të kësaj strukture. Megjithatë, KLP ka kërkuar që për këta prokurorë, Vettingu të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke pasur parasysh rëndësinë që ka krijimi i SPAK.

Skip to toolbar