Avokati Idajet Beqiri: Azem Hajdari nuk ishte planifikuar të vritej atë natë, Berisha e nxori në pritë

Avokati Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se Azem Hajdari nuk ishte planifikuar të vritej atë natë.

Beqiri tha se ish-kryeministri e ish-presidenti Berisha e ka nxjerrë në pritë Hajdarin.

“Azem Hajdari nuk ishte planifikuar të vritet atë ditë. Ka prova të padiskutueshme për këtë gjë. Hajdarin e nxori tjetër kush aty. Ai do thirret dëshmitar aty e do thotë. Berisha e nxori. Izet Haxhia e di të vërtetën. Ai di gjithçka si ndodhën ngjarjet.

Azem Hajdari vetë e ka drejtuar gishtin nga Sali Berisha, në prani të Muharrem Hakajt, të parit të fisit të Haklajve.  Atë ditë do kishte takim në lidhje me vrasjen e Shkëlqim Haklajt. Edhe si mbrojtje do të kërkojmë që Berisha të vijë në gjyq e të dëshmojë”, u shpreh avokati Beqiri.

Idajet Beqiri: Gjykata verifikon mandate, nuk nxjerr të pavlefshëm KQZ

Idajet Beqiri, kreu i Partisë Uniteti Kombëtar, e ka cilësuar të gabuar vendimin e Gjykatës së Durrësit për mosdhënien e mandatit të kryetares së re të Bashkisë, Valbona Sakos. Beqiri tha se gjykata ka vetëm për detyrë të vërtetojë mandatin në lidhje me moshën, veprat penale dhe pastërtinë e figurës, por jo ligjshmërinë apo jo të regjistrimit të partive politike në zgjedhje. Gjykata nuk ka të drejtë të hedh si të pavlefshëm një vendim të KQZ tha Beqiri gjatë një interviste televizive.

“Gjykata e Durrësit ka marrë një barrë që nuk i takon. Ka bërë një gabim të rëndë. Gjykata ka për detyrë vetëm të vërtetojë mandatin. E ka specifike çfarë vërtetimi kërkohet. Kushtetuta thotë se vërtetimi bëhet për moshë, veprat penale dhe pastërtinë e figurës dhe jo të thotë se vendimi i KQZ është i pavlefshëm. Si mund të fusësh si palë Bindjen Demokratike, kur kërkuesi është vetëm Valbona Sako”. – tha Beqiri

Zgjedhje ka, dhe do jenë në 30 qershor (Jo se e thotë Rama, por Kolegji Zgjedhor)

Realstory.al e paralajmëroi më 13 qershor, se dekreti i Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve do të merrte një gjykim ligjor, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, pikërisht në Kolegjin Zgjedhor. Kështu edhe ndodhi. Organi suprem i drejtesisë për zgjedhjet, i vuri “vulën” këtë të hënë.

Me një vendim të formës së prerë, pasi u tërhoq për më pak se gjysëm ore, Kolegji rrëzoi kërkesën e partisë së Unitetit kombëtar, për tu cregjistruaer, si pasojë e dekretit të presidentit. Tashmë edhe lijgërisht, dekreti i Ilir Metës nuk njihet si i vlefshëm, pasi Kolegji Zgjedhor vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të mos çregjistruar Partinë Unitet Kombëtar nga zgjedhjet e 30 qershorit. Pra zgjedhjet do të mbahen më datë 30.

Nëse Kolegji Zgjedhor do ti jepte të drejtë PUK së Idajet Beqirit, atëherë edhe dekreti i Metës do të merrte fuqi, por indirekt edhe në këtë rast, pasi KQZ-ja do të duhej të kërkonte shtyrje të datës së zgjedhjeve për të riprintuar fletët e votimit nga e para pa praninën e logos dhe emrin e partisë Unitet Kombëtar.

Kjo procedurë gjithashtu do të kërkonte edhe ndryshim në Kodin Zgjedhor, duke detyruar Parlamentin që të mblidhej për të bërë disa ndryshime, për zgjatjen e mandatit të të zgjedhurve lokal. Në këto kushte, situata politike do të ndryshonte katërcipërisht, sepse kështu, në mundësinë që i krijon koha që nevojitet për të kryer ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe riprintimin e fletëve të votimit, opozita mund të rishikonte vendimin për të hyrë në zgjedhje.

Por kjo nuk ndodhi.

Kryetari i trupës gjykuese të Kolegjit Zgjedhor, i dha fund këtij debati dy javor me në dy fjali: “Kolegji Zgjedhor ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Partisë Unitet Kombëtar kundër KQZ-së. Ky vendim është i formës së prere dhe nuk lejohet asnjë animim i tij”.

Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të shqyrtojë kërkesën përbëhet nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj, të cilët kanë votuar unanimisht për rrëzimin e padisë së bërë nga Partia Unitet Kombëtar.

Pas vendimit të dhënë nga Kolegji Zgjedhor, ka ardhur dhe reagimi i Presidentit. Ka qenë zëdhënsi Tedi Blushi që ka shkruar vetëm një fjali në rrjetet sociale: “Asnjë surprizë nga skeçi i radhës i orkestruar prej kohësh”.

Sot vendoset fati i dekretit të Metës në Kolegjin Zgjedhor

Ajo që Realstory.al tha më 13 qershor, merr jetë këtë të hënë vetëm. Kolegji Zgjedhor mblidhet këtë fillim jave për të shqyrtuar vendimin e KQZ-së, e cila mohoi pak ditë më parë kërkesën e Partisë Unitet Kombëtar për tu çregjistruar nga procesi zgjedhor. PUK e drejtuar nga Idajet Beqiri u shpreh para anëtarëve të KQZ-së se Presidenti i Republikës kishte nxjerr një dekret që anulonte datën e zgjedhjeve, për rrjedhojë, partia e tij kishte vendosur të respektonte këtë vendim të kreut të shtetit.

Megjithatë, Realstory.al paralajmëroi se kjo lëvizje e Idajet Beqirit ishte rruga nga e cila maxhoranca do të provonte ligjërisht vlefshmërinë ose jo të dekretit të kreut të shtetit, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, pasi pas rrëzimi të kërkesës së Partisë për Unitet Kombëtar nga KQZ, vendimi i kësaj të fundit shkoi në Kolegj Zgjedhor. Këtë të hënë pritet të mblidhet kjo gjykatë zgjedhore e cila do të marri në shqyrtim vendimin e KQZ-së, për të gjykuar vlefshmërinë ose jo të tij.

Një vendim në favor të partisë së Idajet Beqirit do ti jepte të drejtë dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa rrëzimi i kërkesës për çregjistrim nga zgjedhjet automatikisht rrëzon dhe dekretin e presidentit duke lejuar ligjërisht zhvillimin e zgjedhjeve. Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të shqyrtojë kërkesën përbëhet nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita pretendojnë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është kushtetues dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, ndërsa shumica e konsideron antikushtetues dhe për rrjedhojë ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka njohur dekretin e kreut të shtetit, duke vijuar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor në 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita dhe Presidenca kanë kërcënuar anëtarët e KQZ me burg. Në këto kushte, Kolegjit Zgjedhor do të thotë fjalën e fundit për përplasjen e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar.

Dy planet që mund të rrëzojnë Dekretin e Presidentit (përfshirë edhe atë vetë)

Ndërsa në Kuvend vazhdonte debatin për mocion për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Meta, palët në këtë konflikt vazhdojnë lojën pas kuintave. Kryetari i KQZ Klement Zguri kërkoi respektimin e dekretit te Presidentit. Duke përdorur si argument botimin e dekretit në Fletoren Zyrtare, Zguri kërkoi ndërprerjen e procesit përgatitor për zgjedhjet e 30 qershorit. (Më pas ai braktisi mbledhjen, megjithëse është e sigurt që ai nuk do të bëjë aktin final të dorëheqjes siç bënë dy kolegët e tij të opozitës). Ndërkohë në KQZ u dorëzua kërkesa e aleatit të Ramës, Idajet Beqiri për çregjistrim të partisë së tij nga zgjedhjet vendore. Portalet pranë Metës nxituan ta interpretojnë këtë si një çarje brenda maxhorancës. Dhe në fakt në pamje të parë kështu duket. Por Beqiri para se të futej në KQZ deklaroi se vendimi i Metës ishte anti-kushtetues. Kjo retorikë të bën të dyshosh se në lëvizjen e Beqirit ka diçka më shumë. Futja nga Ministria e Drejtësisë e dekretit të Metës për shfuqizim të zgjedhjeve u bë në kohë rekord, brenda dy ditëve, me një shpejtësi të çuditshme dhe të paprecedentë. Autorësia e këtij vendimi mund të spekulohet shumë, por e vërtetë është, se në të gjitha strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe insitucioneve të varura prej saj, njerëzit e LSI vazhdojnë të punojnë në pozicione të rëndësishme, të patrazuar nga largimi i tepsisë nga pushteti politik i qeverisjes. Botimi i shpejtë në fletoren zyrtare mund të jetë rezultat i kësaj. Gjithsesi dekreti në fletoren shtetërore, është një argument plus për Presidentin, në procesin publik politik dhe më vonë edhe atë gjyqësor ndaj vendimit të tij të paprecedentë për anullimin e zgjedhjeve.

Dhe kjo mund të ketë lidhje me atë që ndodhi më vonë në KQZ. Ajo hodhi poshtë kërkesën e Beqirit, me argumentin e Bibës se kjo do kërkonte rishtypjen e fletëve të votimit. Beqiri pritet që këtë vendim ta ankimojë në KQZ, një e drejtë që ia jep Kodi Zgjedhor, nën nenin 145, si subjekt elektoral.

Kjo krijon një situatë delikate. Nëse Kolegji Zgjedhor miraton ankimimin e Idajet Beqirit, ky do të ishte një vendim final, pasi Kolegji ka atributet e Gjykatës së Apelit (dhe gjykatësit e tij zgjidhen nga kjo gjykatë). Pas këtij vendimi KQZ do të detyrohej të printonte dhe një herë fletët e votimit dhe gjithë materialet e procesit zgjedhor. Kjo do të vononte me siguri procesin dhe do ta pamundësonte atë në 30 qershor.

Por më interesante është situata, nëse Kolegji Zgjedhor rrëzon dhe ai kërkesën e Idajet Beqirit. Argumentat e Kolegjit mund të jenë disa. Por rëndësi ka rezultati: rrëzimi. Indirekt ky rrëzim, do tëishte dhe legjitimi i vazhdimit të procesit zgjedhor dhe mbajtjes së zgjedhjeve në 30 qershor, tashmë me një vendim gjykate.

Dhe kjo është ajo që kanë sugjeruar ndërkombëtarët. Që zgjidhja në këtë rast të jetë ligjore dhe nga institucionet shqiptare.

A është kjo që i ka kujtuar Leyla Moises One, të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë, Presidentit Meta në takimin e gjatë paraditen e të enjtes? A i ka kërkuar ajo të respektojë vendimet e institucioneve shqiptare për këto zgjedhje?

Ndërkohë zhurma në parlament u denoncua nga opozitarët e rinj. Rudina Hajdari akuzoi se mocioni nuk kishte asnjë vlerë ligjore dhe kushtetuese. Por a ishte ky një paralajmërim se opozita e re, qe raportet e saj të ngushta me ndërkombëtarët i ka të njohura për publikun, do të jetë më konkrete në aksionin e saj kundër Ilir Metës? Ralf Gjoni, ish bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit vite më parë dhe sot i kthyer në armik të tij në vijën e parë të sulmit, e quajti ditën kur Meta hipi në karriken e parë të shtetit si ditën më të zezë në histori, kërkoi me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Por përtej kësaj, duket se opozita e re nuk do ta lërë debatin për Metën, si një “rrake take” për të bërë zhurmë e tërhequr vemendjen. Burime të rëndësishme pohojnë për realstory.al, se ky grupim i ri opozitar tashmë ka grumbulluar afër 20 firma për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Lajmi mbetet për tu konfirmuar, por të enjten në parlament, Rudina Hajdari tha debati i të enjtes ishte qesharak, sa kohë nuk ka një mocion me firmat e një të katërtës së deputetëve. A është ky paralajmërimi i parë për atë që këta deputetë që kontrollohen nga ndërkombëtarët, mund të bëjnë konkretisht kundër Metës?

Me siguri që Leyla Moises One, këtë nuk ia ka përmendur Metës. Ca gjëra që dihen, nuk ka pse thuhen. Meta pak ditë më parë i sugjerojë amerikanëve të shkojnë në Korenë e Veriut. Ata përkundrazi, i shkuan atij vetë në zyrë. Pak minuta më vonë bëri thirrje për reflektim. Me siguri duke filluar nga vetja e tij.

BATON HAXHIU: ILIR META TE SHKARKOHET!

KQZ rrëzon kërkesën e PUK për çregjistrim si subjekt zgjedhor, çështja i kalon Kolegjit Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e bërë nga kryetari i Partisë për Unitet Kombëtar, aleat i PS, Idajet Beqiri, që kërkonte çregjistrimin nga zgjedhjet e 30 qershorit të subjektit të tij politik. Gjatë fjalës së tij, Beqiri u shpreh para anëtarëve të KQZ-së se partia e tij e quan anti-kushtetues dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve. Megjithatë, z.Beqiri e argumentoi lëvizjen e forcës së tij poltike, duke përdorur faktin që zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare.

“Dekreti i Presidentit na ka shokuar. Këtë situatë e prisnim në fillim të vitit 1991. Është shkelur haptazi Kushtetuta e Shqipërisë. Duke mos patur dritë jeshile këtu, ne si subjekt zgjedhor, vlerësojmë se duke mos patur më mundësi morale, financiare, nuk shkojmë dot më tej. E konsideroj një veprim anti-kushtetutes, në një vend tjetër me një dekret të tillë, presidenti do të vizitohej psiqikisht”, tha ndër të tjera Idajet Beqiri.

Mirëpo, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba u shpreh se kjo ishte e pamundur të bëhet në kushtet kur fletët e votimit janë printuar, madje janë printuar jashtë vendit, pasi kompanitë shqiptare nuk i plotësonin kushtet. Sipas Z.Biba, kërkesa e Idajet Beqirit nuk mund të pranohej pasi afatet për të riprintuar fletët e votimit nga fillimi, nuk e lejojnë një gjë të tillë.

Ndërkohë, pas fjalës së Denar Bibës, foli Kryetari i KQZ-së Klement Zguri, i cili u rikthye në detyrë pasi braktisi mbledhjete  KQZ-së ditën kur u mor në shqyrtim dekreti i Ilir Metës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve. Zguri kërkoi që KQZ-ja të mos mblidhej dhe të mos merrte asnjë vendim, pasi dekreti i presidentit ishte botuar në Fletoren Zyrtare.

“Kush mundët të më thotë, akte të pavlefshme vendosen në fletoren zyrtare të shtetit? Personalisht nuk dua të merrem me të drejtën e Metës për dekretin. Kategorikisht! Nga njëra anë kam presidentin, nga ana tjetër Presidenti. Kush jam unë, që duhet t’i ballafaqoj vendimmarrjen e këtyre insitucioneve. I qëndroj mendimit tim! Kjo kërkesë do ta tejkalojë edhe atë që këtu është shkruar dhe kërkuar. KQZ duhet t’i ndërpresë procedurat për zgjedhjet e 30 qershorit”, tha Zguri, duke braktisur më pas mbledhjen. Kryesimin e  saj e mori përsëri Denar Biba, i cili së bashku me anëtarët e tjerë të KQZ-së votuan  për rrëzimin e kërkesës së Idajet Beqirit, për çregjistrimin si subjekt zgjedhor nga zgjedhjet e 30 qershorit. Në këtë mënyrë, subjekti politik PUK i drejtuar nga Idajet Beqiri i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për të vlerësuar vendimin e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës për çregjistrim nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit

Skip to toolbar