Ilir Daja shpreson që me rikthimin e disa lojtarëve të dëmtuar, Skënderbeu të rikthehet në rrugën e rezultateve pozitive. Madje, trajneri i Skënderbeut synon tre pikët që në sfidën ndaj Tiranës, që do të luhet të shtunën. Këtë objektiv, Daja e shprehu të premten gjatë konferencës për shtyp në prag të sfidës ndaj bardhebluve.
“Tirana ka objektiva madhorë, si 2-3 ekipe të tjera, kanë lojtarë me eksperiencë që kanë fituar tituj. Është një ndeshje e vështirë, por si në çdo ndeshje futemi me objektivin për të fituar. Edhe pse e dimë që e kemi shumë të vështirë, për të gjithë problematikat që kemi pasur këto dy javë. Gjithsesi do të futemi në fushë të japim maksimumin”.
Dy javët e kanë ndihmuar trajnerin të përgatisë skuadrën, megjithatë formacioni mbetet ende pezull. “Kishim dy javë kohë të përgatitemi, por vetëm dy ditët e fundit grupi ishte i plotë. Kishim 4 lojtarë me kombëtaret, kurse disa titullarë ishin të diferencuar. S’kemi vendosur akoma as formacionin. Praktikisht kishim vetëm dy ditë kohë për t’u përgatitur për Tiranën”, tha Daja.
Në media është përfolur për një takim mes Ilir Dajës dhe presidentit të Tiranës, Refik Halili. Ai pohon se është takuar me presidentin e Tiranës, por ky takim ka qenë vetëm për kafe, jo për probleme sportive. “Të gjithë presidentët i takoj, pasi ky është një vlerësim për punën që kam bërë. Me të gjithë presidentët e Superiores mund të pi kafe. Nuk kam pasur një takim për probleme sportive. Thjesht takim për një kafe. Jo vetëm me Halilin, por takohem edhe me të tjerët”.