Pak orë para nisjes drejt Hagës, Haradinaj takon Metën në Prishtinë

Një ditë para nisjes për në Hagë, Kryeministri i dorëhequr i Kosovës Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta. Takimi është zhvilluar në Prishtinë, lajmin për të cilin e ka dhënë vetë Haradinaj me anë të një statusi në rrjetet sociale.

“Kënaqësi e veçantë të takoj sonte në Prishtinë Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, bashkë me vajzën Borën. Rast i mirë për të këmbyer mendime rreth aktualitetit politik në Kosovë, Shqipëri dhe rajon. Në proceset që po kalon Kosova, angazhimi i përbashkët përballë sfidave e fuqizon faktorin shqiptar”, shrkuan Haradinaj.

Ndërkohë, Ilir Meta ka reaguar për këtë takim me Haradinaj, duke u shprehur: ” I lumtur të takoja sot Kryeministrin Ramush Haradinaj në Prishtinë. Krenar për karakterin e tij frymëzues”. Vizita vjen vetëm disa orë para se Ramush Haradinaj të niset drejt Gjykatës së Hagës, ku është thirrur për herë të tretë për të dëshmuar për ‘krime lufte’.

Ilir Meta ka shprehur mbështetjen më herët për Haradinajn, që dy ditë më parë dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit, për t`u paraqitur në Hagë si qytetar i thjeshtë. Ndaj dhe takimi i sotëm i Metës me Haradi najn, duket se ka qenë për t`i konfirmuar mbështetjen kreut në largim të qeverisë së Kosovës.

Bar west/ Gjuzi sfidon Metën për patriotizëm. Pozon në det me shqiponjën

Deputeti i opozitës Kujtim Gjuzi ka publikuar në rrjetin e tij social një foto nga bregdeti. Ndryshe nga disa ditë më parë, kur pozonte nga një Jaht, të dielën pasdite Kujtim Gjuzi, ka pozuar nga bregu i detit. Por nuk ka qenë një pozim i zakonshëm, pasi deputeti i Partisë Konservatore, është treguar ‘konservator’ edhe në plazh, duke refuzuar të zhvishet vetëm me rroba plazhi.

Ai ka pozuar me tuta të shkurtra, dhe veshur një bluzë me në sfond shqiponjën e flamurit tonë kombëtar. Mënyra se si ka pozuar Kujtim Gjuzi, duket sikur sfidon Ilir Metën, i cili pak ditë më parë pozoi nga bregdeti, por vetëm me pantallona sportive ndërsa në pjesën  e sipërme të trupit doli i zhveshur.

Meta në fakt gjatë javëve të fundit ka treguar një rritje të shprehive konservative dhe nacionaliste, parime të cilat në fakt i ka në thelb një parti Konservatore si ajo e Kujtim Gjuzit. Ndaj, kjo foto e fundit e Kujtim Gjuzit nga bregdeti me fanellën kuqezi veshur, duket si një sfidë dhe garë njëkohësisht ndaj Ilir Metës, se kush është më patriot!

Në fakt, ky paralelizëm nuk është aq i parastësishëm, po të kujtosh faktin se disa javë më parë, deputetët e opozitës sëre parlamentare, kërkuan që pas shkarkimit të Ilir Metës si president, ky post të shkonte për opozitën. Sipas tyre, fakti që opozita ka qenë bashkëpunuese meriton edhe të ketë një shpërblim të tillë, duke marrë postin e presidentit. Mos vallë është kjo një ambicie edhe për Kujtim Gjuzin?

Ngritja e SPAK, Xhafaj: Vettingu në punë dhe në gusht

Reforma në drejtësi në Shqipëri prej disa vitesh po prodhon debate të forta, në fillim me hartimin dhe me pas me zbatimin. Sot bashkëhartues dhe miratues të saj si dhe ekspertë të sistemit të drejtësisë kanë këndvështrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit. Opozita dhe presidenti mendojnë se reforma është deformuar në zbatim dhe nuk i përmbahet tekstit kushtuetues të miratuar me unanimitet, dhe se po shkon drejt kapjes politike të sistemit. Eksponentë të PS në qeveri, si dhe ekspertë pjesmarrës në hartimin e reformës sjellin argumenta të kundërta. Vështirësitë në zbatim kanë sjellë mosfunksionimin e Gjykatës kushtetuese dhe Gjykatës së lartë. Mimoza Picari raporton nga Tirana.

Reforma në drejtësi u miratua me 140 votat në Kuvendin e Shqipërisë në 22 Korrik të vitit 2016. Ajo u parapri nga debate të forta, për më shumë se një vit dhe u asistua nga ekspertë të Euralius OBDAT dhe Komisioni i Venecias. Miratimi erdhi pas ndërhyrjes dhe ndërmjetësimit të zyrtarëve të lartë BE dhe SHBA.

Ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi ka patur ulje ngritje dhe autorë të hartimit dhe miratimit të saj si dhe ekspertë të sistemit kanë këndvështrimë të ndryshme për rezultatet, 3 vjet pas miratimit.

“Kjo është një periudhë e vështirë tranzicioni, edhe sikur idealisht kjo periudhë tranzicioni të shkonte sipas mënyrës që u ideua, aq komplekse sa ishte, do kishte vështirësitë e veta teknike”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Nuk do të them, a është sukses apo është dështim, por mund t’ju them se nëse do të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë sekond nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese”- shprehet Ilir Meta, President i Shqiperisë.

“Shqiptarët kishin nevojë për reformën në drejtësi, si ujët e pakët. Por mënyra se si bëhët reforma në drejtësi është thelbësore. Ne kemi një sistem që është rrënuar tashmë, dhe ndërkohë nuk është ngritur ende i riu”- pohon Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisonit të refromës në drejtësi.

“Nëse do të shohim kushtetuën në dispozitat tranzitore, aty janë vënë ca afate. Nëse do të ishin respektuar me atë consensus që u miratua kushtetuta, sigurisht që ne nuk do ishim në këtë gjendje, ku ka problematikë përsa i përket funksionimit të organeve”- pohon Sokol Sadushi, Drejtor i shkollës së magjistraturës.

Ndarja mes palëve nisi menjëherë pas miratimit me konsensus të reformes. Në gusht 2016, nuk u arritën afatet e miratimit të 7 ligjeve të emergjencës sic u quajtën ato për ngritjen e organeve qeverisëse të sistemit, përfshi dhe Vettingun rivlerësimin e gjyqatrëve dhe prokurorëve.

“Nga ana tjetër ne kemi faktin që ligjet sot kanë ndryshuar në thelb sistemin e drejtësisë që u miratua në datën 22 korrik 2016. I vetmi ligj që miratua me consensus ishte ai për ngritjen e SPAK”- sqaron Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisonit të refromës në drejtësi.

“Duhet të pranojmë që PD hyri e sforcuar në konsensusin e 140 votave të Kuvendit. Një vit u vonua Vetting-u në proçesin e zbatimit. 6 muaj ju desh me ankimin në Gjykatën Kushtetuese dhe 6 muaj nga çadra. Sepse vetëm pas marrëveshjes së majit të 2017-ës u bë e mundur që të ngriheshin institucionet e Vetting-ut, për arsye sepse mosardhja e përfaqësuesve të PD e bëntë proçedurialisht të pamndur proçesin”-sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Askush nuk mund të guxojë të thotë pa u skuqur, që vonesë shkaktoi opozita pse dërgoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin e Vetting-ut për shkeljet që i ishin bërë kushtetutës së 22 korrikut. Kjo është e drejtë e pamohueshme e kujtdo” – argumenton Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

Sipas kryetarit të komisionit për hartimin e reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj, bllokimi i ngritjes së organeve të Vetting solli bllokimin e Këshillit të emërimeve në drejtësi për nje vit.

“Këshilli i emërimeve në Drejtësi solli efektin tek Gjykata Kushtetuese. Të mos harrojmë ping-pongun mes presidencës dhe kuvendit apo konfliktin me prokurorinë për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pra një sërë proçesesh. Por nga ana tjetër nuk e përjashtoj faktin, që me pak kujdes dhe me më shumë vëmendje mund të kishtë një ritëm shumë më të mirë”- sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“E gjithë beteja sot është se kush do të kontrollojë Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Nëse e kontrollon kryeministri Edi Rama, jo vetëm do të rrëzojë dekretet e Presidentit, jo vetëm do të shkarkojë presidentin e republikës, por do t’i vërë vulën e Gjykatës Kushtetuese të gjitha ligjeve, siç është ligji i teatrit apo konçensionet skandaloze nëse shkojnë në Gjykatë Kushtetuese”- argumenton Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së saj, lidershipi i PD ka funksionuar mbi bazën e kontrollit politik të sistemit. Në mentalitetin e tyre ishte që sistemi është i kontrolluar. Vetë sistemi është ndërtuar pikërisht për të shmangur kontrollin politik”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Kushtetuta u transformua, u ndryshua, u dhunua për të prodhuar sistemin që do të prodhojë kapjen dhe sot Vetting-u është një instrument qartazi, ku ata që i duhen PS selektohen dhe kalojnë për miratim në organet e tjera”- shprehet Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Këtë nuk mund ta thotë opozita për një fakt fare të thjeshtë. Opozita ka qenë bashkëpjesmarrëse në përzgjdhjen e emrave të komisionerëve të organave të Vetting-ut. Emrat janë votuar edhe nga PS edhe nga PD edhe nga LSI”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Presidenti i republikes ILir Meta ish-kryetar i LSI, ka shprehur rezerva të forta për reformën në drejtësi duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kapur sistemin i ndihmuar nga një kor i strukturuar ndërkombëtarësh, si është shprehur ai.

“Unë kam bërë çdo përpjekje, ta dinë shqiptarët që Shqipëria të mos mbetet bëhët një vend qesharak. As para së të bëhej reforma në drejtësi, edhe për zbatimin e reformës, e cila është kthyer në një ramaformë, sepse po të ishte zbatuar si reformë kushtetuese që u miratua me konsensusin e të gjithëve nuk do ishim në këtë situatë”- shprehet Ilir Meta, President i Republikës në një komunkim me median.

“Presidenti dhe partia që ai ka drejtuar para së të zgjidhej president, kanë votuar 7 ligjet kuadër të reformës në drejtësi, pra do të thotë që ka patur vullnetin e plotë në proçesin e hartimit dhe miratimit të këtyre 7 ligjeve. Nëse sot janë në opozitë dhe ka gjykim tjetër, nëse sot ka një interes tjetër, kjo është çëhtje tjetër. Po i them Presidentit dhe kujtdo tjetër në këtë vend, kush të dojë Fatmir Xhafaj, Edi Rama Ilir Meta mund të shohin ëndrra për ta kapur sistemin, por nuk kapet më ky sistem”-sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“E kam thënë dhe herë tjetër kur politika të kuptojë se nuk do të ketë më dorë mbi sistemin e drejtësisë atëherë do të këtë dhe acarimin”- shprehet Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Reforma e Drejtësisë në fakt është zbatuar në përputhje më kushtetutën dhe legjislacionin vendas. Ky është një proçes kompleks. Reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme”- u shpreh Luigi Soreca, Ambasador i BE në Shqipëri.

Sot tre vjet pas miratimit të reformës në drejtësi Gjykata kushtetuese ka vetëm një anëtare të cilës i ka mbaruar mandati, dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarët e mjaftueshëm për vendime. Vettingu, ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë ndërsa 35 kanë dhënë dorëheqje. Në systemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqtarë dhe prokurorë, tej parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme.

“A do kishte largime kaq të mëdha. Kjo është një çështje që nuk mund të mendohej nga askush. Si mund të mendohej, përsa kohë që nuk kishte të dhëna objektive, fakte”- pohon Sokol Sadushi drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Kam qenë i vetëdijshëm që një pjesë e mirë e atyre që shërbenin në sistem do të dilnin nga sistemi, por deri në këto përmasa, që të jem dhe unë i sinqertë nuk e kam menduar”- pohon Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Vettingu po shkakton një situatë që ne e kemi paralajmëruar, do të krijojë një gropë të madhe”- thotë Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Opozita ka parlajmëruar vetëm një gjë që nuk e do reformën në drejtësi. Nuk them që nuk ka probleme, por janë të përkohshme, dhe si të tilla të justifikuara në raport me atë cfarë presim të ndërtojmë në këtë shoqëri” –argumenton Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Në gjykatën Kushtetuese sot ka 108 cështje që presin gjykimin, ndërsa në gjykatën e lartë mbi 32 mijë cështje që do te duan sipas ekspertëve disa vite të shqyrtohen.

“Më garanto drejtësinë thotë qytetari shqiptar, që kur të shkojë në gjykatën e shkallës së parë mundësisht të mbaroj punë që aty, pa shkuar në shkallët e tjera”- thotë Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Ne kemi aktualisht 5 çështje të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gerdecit. Në Gjykatën e lartë ne nuk kemi ende një mundësi për t’u gjykuar, sepse presim të shprehet kjo gjykatë e cila është bllokuar”- pohon Dorjan Matlia, avokat.

“Midis gjyqësorit me disa njerëz që e kishin kthyer në pazar dhënien e vendimeve, dhe një gjyqësori që respekton ligjin dhe vetëm ligjin, unë do të preferja të zgjidhja këtë të dytin edhe sikur për pak kohë të mungonte i pari”- shprehet Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Drejtor i shkollës së magjistraturës porta furnizuese e sistemit me gjyqtarë dhe prokurorë thotë se janë thuasje trefishuar kandidatët me qëllim plotësimin e boshllëqeve dhe shpreson se deri në vitin 2026, kur është parashikuar të përfundojë Vettingu i afro 700 gjyqtarëve dhe prokurorëve sistemi do ta ketë marrë veten. Ndërsa Z. Fatmir Xhafaj shpreson se shumë shpejt Gjykata kushtetuese dhe ajo e lartë do jenë funksionale.

“Organet e Vetting-ut duhet të punojnë me prioritet për organet e reja të sistemit që do të thotë se organet e Vetting-ut nuk kanë luksin të bëjnë pushime, dhe as të zvarrisin çështjet, sepse prandaj paguhen shumë shumë herë më tepër se kushdo tjetër në këtë vend, pikërisht për këtë gjë. Së dyti KED vetë duhet të ketë një ritëm tjetër”- thotë Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Autoritetet thonë se së shpejti priten të ngrihen dhe të zgjidhen dhe organe të tjera pjesë të reformës në drejtësi si Inpsktori i drejtësisë Prokurori i përgjithshëm dhe Njësia e posacme e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar, ose Spak sic njihet ndryshe, që do të hetojë dhe gjykojë zyrtarët e lartë dhe politikanët, Por a ka vend për shpresë në përfundimin me sukses të reformës në drejtësi,

“Abuzohet shpeshherë me faktin, 3 vjet çfarë u bë? Unë besoj që bëhet në mënyrë të qëllimshme nga kundërshtarët e këtij proçesi dhe nga ata që kanë një pritshmëri të lartë”- thotë Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Drejtësinë komplet ramaformë, tani të marrë dhe gjithë pushtetin vendor dhe të gjithë të dalin në diell dhe t’i bien dajres. Bukur shumë bukur”- shprehet me ironi Ilir Meta President i Republikës gjatë një konference për shtyp.

“Ne nuk duhet ta shohim më trishtim. Ju e dini që shkaku kryesor pse nisi reforma në drejtësi ishte korrupsioni”- thotë Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Në duam të shohim zbatimin e ligjeve dhe njerëz në burg. Të gjithë politkanët të kuptojnë vlerën që ka mbështetja e kësaj reforme që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur”- pohoi Genoveva Calavera, në fjalën e saj në Samitin e Poznamit në Poloni.

“Unë pres me padurim ngritjen e SPAK-ut. Mundet të jetë një pritshmëri e gabuar por e presim të gjithë. E presim për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nganjëherë dhe ajo që nuk është e mirë, është më mirë të shkojë para se sa të mbetet në lluc”- thotë Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi./VOA/

Rama i shkon në Turqi, pas takimit që Erdogan zhvilloi me Metën në Bosnje

Kryeministri Edi Rama ka bërë  një udhëtim të papritur drejt Turqisë këtë të enjte. Shefi i Qeverisë, ka takuar Prsidentin turk Recep Taip Erdogan, në një nga rezidencat e tij në Stamboll. Lajmin për këtë vizitë e ka dhënë vetë Kryeministri Rama, duke postuar në rrjetin e tij instragram një foto nga dreka me Erdogan.

“Në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, shkruan kryeministri në foton e publikuar në Instagram. Vizita duket që nuk ka qenë zyrtare dhe e parashikuar, pasi kreu i qeverisë e ka njoftuar këtë takim me Presidentin Erdogan në Instagram, jo në Twitter  apo Facebook, ku zakonisht shpërndanë informacione të rëndësishme.

Megjithatë, takimi i Ramës me Erdogan, vjen pak ditë pasi presidenti i Turqisë zhvilloi një takim me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta gjatë samitit te SEECP, mbajtur në Bosnje-Hercegovinë. Takimi i Metës me Erdogan në Bosnje u interpretua në një këndvështrim tjetër në Shqipëri. Meta ka shfaqur kohët e fundit politikanin sovranist dhe konservator, duke sulmuar shpesh ndërkombëtarët për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Në këtëo kushte, takimi me Erdogan, mund të ketë shërbyer për Metën edhe për një këshillim, rreth krijimit të një partie të re me devizë konservatore, që kreu i shtetit mund të krijojë pas largimit nga zyra e presidentit.

Megjithatë, nuk dihet nëse Erdogan dhe Rama kanë folur rreth atij takimi, apo zhvillimeve të samitit, (qeveria shqiptare e bojkotoi samitin në Bosnje duke respektuar Kosovën), kanë diskutuar rreth atij samiti dhe zhvillimeve në rajon, apo për çështje të bashkëpunimit të përbashkët midis Shqipërisë dhe Turqisë.

Ngjela: Meta në burg pas shkarkimit, ka shkelur Kushtetutën

Nga Spartak Ngjela

Jetojmë në një zonë ballkanike ku liderit, kush më shumë e kush më pak, nuk sundojnë si drejtues politikë, por si gënjeshtarë gënjeshtrash që nuk kanë lidhje me zhvillimin kombëtar. Shpesh kjo i bën qesharakë. Janë pushtuesit sllavë e grekë të territoreve shqiptare që vetë shtetet e tyre i kanë investime në falsitet, me histori të gënjeshtërt. Por janë edhe gënjeshtarët historikë të lidërshipeve të Shqipërisë që hedhin të njëjtën valle, sepse vjedhin shqiptarët.

l.

Në fakt, liderët aktualë të Shqipërisë, edhe në jetën e përditshme dallojnë që mbështeten të gënjeshtra, sepse janë së brendshmi me konceptimin oriental të fjalës: kjo filozofi thotë se fjala ka dalë për të fshehur mendimin. Këta kështu duket se janë ndërtuar. Por duhet të theksojmë se Perëndimi ndahet nga Lindja pikërisht te qëndrimi ndaj gënjeshtrës. Qytetërim perëndimor do të thotë antigënjeshtër.

Po shoqëria shqiptare si e ka sot raportin më të vërtetën? E ka në përmirësim, sepse ne kemi vuajtur 45 vjet nga gënjeshtra e ngritur në një sistem vrastar punist.

Po politika e sotme e gënjeshtërt a ka lidhje me punizmin vrastar? Sigurisht që ka, sepse shqiptarët jetuan për 45 vjet sipas këtij kushti: ose jashtë i varfër në ekstrem dhe më gënjeshtrën, ose me të vërtetën, por në burg.

ll.

Si paraqitet sot karakteri gënjeshtar i politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, në Serbi dhe në Greqi?

Në këtë pellg ballkanik, më tipikët janë: Berisha,-Basha në Tiranë; Thaçi në Prishtinë; dhe Rama në Tiranë..

Më qesharakë duket të jetë Berisha dhe Lulzim Basha. Sepse në fakt janë në hall ngaqë kërcënohen nga Reforma që po vjen për hetimin e pasurisë së tyre. Prandaj janë bërë qesharakë me gënjeshtrën e tyre: këta nuk i pranon politika e lartë perëndimore, janë kundër Uashingtonit pikërisht për këtë, dhe dalin nëpër rrugë me flamuj amerikanë. Politika amerikane tallet me ta, dhe këtë e di edhe Berisha edhe Basha. Por ju mendoni se ata mendojnë që po gënjejnë politikën amerikane me këtë gjest? Jo, gënjejnë përkrahësit e tyre te të cilët nuk do t’i mbështetnin po ta dinin se nuk i pranon fare Uashingtoni.

Dhe janë edhe më qesharakë kur paguajnë ndonjë gjerman apo ndonjë amerikan, që nuk kanë lidhje fare me politikën e lartë, dhe i detyrojnë edhe këta që të gënjejnë. Dhe përsëri me të njëjtin qëllim: të gënjejnë shqiptarët.

Ka edhe më shumë se kaq te sistemi gënjeshtar i tyre. Basha në fillim dhe Berisha si shtytës pas tij, edhe pse e dinë që Reforma në Drejtësi drejtohet nga amerikanët, sokëllijnë në jerm dhe thonë që bëhet nga Rama. Ramë ziu është me ta, por nuk ka ç’bën, kurse dy të tjerët që kanë hallin e pronave dhe të parasë së akumuluar në mënyrë të paligjshme, mendojnë që të gënjejnë përkrahësit që këta të kenë një motiv revoltues. Po revolta përse duhet? Revolta lipset që, këta të dy dhe disa të tjerë të taborit të tyre të shpëtojnë pronat dhe paratë. Por tani, pas kërcënimit amerikan, edhe revoltë nuk mund të ketë më.

Domethënë asgjë. U dogjën kot. Nuk i shpëtojnë dot pronat dhe paratë. Kjo kohë nuk i përkrah dhe reforma është sot detyrë shqiptare që shqiptarët të hyjnë në Bashkimin Europian dhe në rrugën e zhvillimit për të mposhtur një herë e mirë varfërinë. Kjo do të thotë se, shpronësimi i të korruptuarve është shpresa për shpëtim e shqiptarëve. A e kuptoni tani që korrupsioni shqiptar nuk ka më te ardhme!

Po pse lodhen këta të korruptuar? Kot. Madje janë mëse teveqelë kur mendojnë se pronat dhe sundimin do ta ruajnë me anë të Rusisë, dhe prandaj gënjejnë për çdo gjë.

Po gënjeshtra ç’duhet kur kjo reformë po drejtohet nga forcat politikës amerikane? Kot. Është më shumë natyra naive e njeriut të akuzuar që i ka pushtuar në këto kohë. Njeriu i akuzuar që nuk di të mbrohet, gënjen si një fëmijë.

ll.

Po Meta?

Edhe ky gënjen për të shpëtuar veten dhe pronat nga Reforma. Këta birbore e kanë ditur se janë zgjedhur në krye të vendit për interesin e tyre vetjak të pasurimit. Kështu mendon ende dhe ky Meta. Është në një hall dyfish. Duan ta shkarkojnë në Parlament e ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Por, po shkoi atje, mund të marrë dënim me burg, se shkelja e kushtetutës është vepër penale. Në fakt, për Shqipërinë dhe shqiptarët, ky do të jetë hapi i parë pozitiv që nga viti 1924. Dhe sigurisht që do të ndodhë.

Kurse Meta po bëhet qesharak me Bashën duke tundur ato dekrete pa vlerë të cilat do bëhen shkak për dënimin penal të presidentit të Shqipëris. Janë të dy jashtë arsyes juridike të mbrojtjes, dhe mendojnë se, e vetmja rrugë e shpëtimit të tyre është destabilizimi i Shqipërisë. Kanë marrë në dorë një dekret pa vlerë juridike, dhe kërkojnë të fshehen pas tij. Nuk arrijnë të kuptojnë që një ditë e re zgjedhësh është normë juridike që del nga kushtetuta jo nga letra pa vlerë. Nuk janë në gjendje të pyesin veten: coli është organi ligjor që dëo të organizojë zgjedhjet?

Prandaj me thirrjet dhe pohimet e tyre nuk po dihet se kë kërkojnë të gënjejnë, veten apo të tjerët!!!

lll.

Po Thaçi? Ky del të jetë një tjetër lloj gënjeshtari. U vërtit e u vërtit me presidentin e Serbisë, Vuçiç, dhe gënjente për territoret. Donte t’i jep Serbisë Kosovën e Veriut, dhe gënjente sikur gjithçka e bënte që t’i merrte Sërbisë Preshevën dhe territoret e banuara nga shqiptarët. Donte të thosh që Presheva është më e rëndësishme për Kosovën se Mitrovica. Por dështoi, dhe tani më gënjeshtrat e Preshevës po bëhet qesharak. Në fakt kjo është rruga, sepse, tragjikja, kur dështon, kthehet në komike.

Ja këta janë.

lV.

Po Vuçiç?

Ky është më interesanti se ky nuk di ende të kuptojë se për cilin interes luan: luan për interesin e tij, apo për interesin e Serbisë. Në fakt kuptohet se po tallet me veten. E di që Serbia nuk pranohet nga Perëndimi, por gënjen serbët. Indirekt iu thotë këtyre: do ta marrim sërish Kosovën. Por befas Kosova i ka vënë taksë 100 përqind mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Kjo e tremb, se i del bllof gënjeshtra, se serbët pyesin: “kaq e fortë qënka Kosova?” Dhe prandaj Vuçiçi vërtitet e vërtitet me takime shterpë presidentësh europianë të rendësishëm, të cilët i thonë në Beograd se Kosiva është një shtet i pavarur.

Nuk kuptohet, ky kaqol, e di historinë apo jo? E di ky që territoret shqiptare shkojnë deri në Nish? Në fakt bën sikur nuk e di, njëlloj si e gjitha shkolla serbe që edhe pse e di që janë të ardhur në Ballkanin Perëndimor, thërrasin gjithë ditës se tokat tyre janë pushtuar nga shqiptarët. Do vazhdojë të gënjejnë dhe për ca pak kohë.

V.

Po Rama?

Ky ka gënjyer boll; por tani është në tërheqje sepse e njohu më në fund forcën amerikane. Nuk doli hapur për asnjë kundërshti dhe gënjeu deri në caqe që nuk kishin të bënin me Reformën. Tani duket se është në pritje. Por për të, në këto momente ka vetëm një pyetje: A do ta çojë deri në fund goditjen për shkarkim të presidentit Meta, apo do të tërhiqet me ndonjë gënjeshtër të rëndomtë,?

SPAK në prag, Meta akuzon për anshmëri Ramën: Përdori Lu dhe Vettingun për të pastruar KED

Në një kohë që Prokuroria Speciale, që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta të politikës edhe krime të së shkuarës, apo Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, janë duke u krijuar, Presidenti Ilir Meta ka sulmuar përsëri Reformën në Drejtësi. Këtë të martë, Ilir Meta, sipas tij, ka sqaruar arsyet e mosfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas Metës, në këto tre vite mosfunksionimi i këtij këshilli, ka ardhur si pasojë e bllokimit që i ka bërë Kryeministri, i mbështetur dhe nga ndërkombëtarët. Meta kujton, sipas tij, sulmin që Kryeministri Edi Rama bëri ndaj anëtarëve të zgjedhur të KED në janar të 2017. “Në datë 31 janar 2017, Kryeministri Rama shpërthen duke i kërcënuar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e KED-së, duke i shantazhuar se do t’i shkarkonte me vetting. Kryeministri shfaqi hapur se kishte në dorë, jo vetëm të bllokonte Këshillin, por edhe t’i shkarkonte më shumë se gjysmën e tyre”, shkruan Ilir Meta.

Sipas Ilir Metës, këtë sulm e mbështeti dhe ish-ambasdori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu. “Në ndihmë të këtij projekti, ai përdori duke e keqinformuar dhe ambasadorin e nderuar të SHBA në atë kohë. Në datë 2 shkurt 2017, pra 6-ditë pas hedhjes së shortit ambasadori do të deklaronte publikisht ndër të tjera se: “Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione”, shkruan Meta duke cituar deklaratën e ambasadorit Donald Lu.

Gjithashtu, Ilir Meta tregon se po gjatë 2017, gjatë përgatitjeve për organizimin e një tryeze të përbashkët me BE, EURALIUS dhe aktorët vendas, për të diskutuar rreth problematikave të funksionimit të KED-së, përfaqësuesja e EURALIUS braktisi mbledhjen. “Në punë e sipër për realizimin e kësaj tryeze, në datë 8 nëntor 2017, në mënyrë të papritur EURALIUS njofton në rrugë telefonike për mospjesëmarrjen e drejtueses znj.Agnes Bernhard dhe ekspertëve të EURALIUS në këtë tryezë, pa dhënë asnjë arsye bindëse. Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit”, shprehet Meta duke akuzuar indirekt ndërkombëtarët se u manipuluan nga Kryeministri Rama, për të bojkotuar ngritjen dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që për rrjedhojë do të bënte të mundur edhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Po pse Ilir Meta u kujtua tani, për të akuzuar ndërkombëtarët (mbështetësit kryesor dhe autorët e vërtetë të Reformës në Drejtësi), se penguan ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë? A janë të vërteta akuzat e Ilir Metës, se ndërkombëtarët, qoftë dhe me manipulimin e Edi Ramës, të kenë bllokuar për dy vite funksionimin e KED? Në fakt, qëndron e kundërta, ndërkombëtarët, me në krye SHBA-në, kanë mbështetur vazhdimisht ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Madje, në kulmin e krizës politike, dhe kur Ilir Meta vendosi të bënte një veprim extra-kushtetues, duke çdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërkombëtarët forcuan zërin e tyre, për ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese.

Këto deklarata u bën publikisht nga kuinti i ambasadorëve në Shqipëri, dhe nga Ambasada Amerikane, pas zgjedhjeve, në një deklaratë të saj, por edhe para 30 qershorit, nëpërmjet deklaratave të Mathew Palmer. Akuzat e Ilir Metës ndaj SHBA, BE, EURALIUS, janë në paradoks me realitetin. Tashmë institucionet e drejtësisë po krijohen, dhe në fakt, ato po krijohen pas zbatimit të asaj që ishte thelbi i Reformës në Drejtësi, pastrimi i sistemit nga gjyqtart dhe prokurorët e korruptuar, pra Vettingu. Dhe tashmë që ky proces ka kaluar në sitë shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, institucionet e reja të drejtësisë pritet të jenë funksionale të paktën brenda vjeshtës. Mbështetjen e ka shprehur publikisht SHBA dhe BE, dhe çdo organizatë tjetër që ka punuar për reformimin e gjyqësorit në Shqipëri, të cilët, theksin e kanë vënë pikërisht te krijimi i Prokurorisë Speciale (SPAK), që do të hetojë krimet dhe korrupsionin e politikanëve të lartë në Shqipëri. Ndaj në këto kushte, Ilir Meta, me akuzat për të shkuarën, duket se po sulmon të tashmen, krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, me gjyqtarë e prokurorë, që pasi kaluan vetë në “sitë”, pas pak kohësh, të njëjtin proces, ata, (prokuror e gjyqtarë), do e zhvillojnë ndaj politikanëve.  

PD mbron Metën, Gjata: Nuk ka shkelur Kushtetutën, shkarkimi është propagandë

Partia Demokratike, ashtu si dhe LSI, i ka dalë zyrtarisht në mbrojtje Presidentit të Republikës Ilir Meta, për të cilin është ngritur Komisioni Hetimor Parlamentar, për të hetuar shkeljet kushtetuese dhe më pas të propozojë shkarkimin e Presidentit në Kuvend. Në një dalje për mediat nga Selia Blu, Çlirim Gjata u shpreh se Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje. Sipas tij, dekreti për anulimin e zgjedhjeve është diçka normale.

“Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje. Ai ka vendosur datë demokratike, ka vendosur dekret normal. Kemi Komision Hetimor të ngritur në bashkëpunim me krimin e organizuar që do të hetojë dekretin e presidentit, që është akoma në fuqi.  Shkarkimi i Metës është vetëm propagandë. Rama duhet t’i tregojë popullit se aktorët kryesorë të komisionit për shkarkim të presidentit janë të përlyer në krim”, u shpreh Gjata.

Kjo deklaratë e PD-së, vjen pas mbledhjes të së hënës të Komisionit Hetimor, ku anëtarët e tij, kërkuan që hetimi për shkeljet kushtetuese të Ilir Metës, të bëhej edhe me asistencën e një eksperti ndërkombëtar. Gjithashtu, në mbledhjen e së hënës, anëtarët e Komisionit Hetimor, kërkuan që të kenë akses në të dhënat e cilësuara “sekrete”, në mënyrë që shkarkimi i kreut të shtetit, të mos jetë vetëm për shkeljet e Kushtetutës, por të bazohet dhe në të dhëna të tjera.

Ngjela: Meta u nderua me një çmim fantazëm nga miku Saliut

Avokati Spartak Ngjela ka reaguar në lidhje me çmimin Luani i Artë në Venezia që presidenti Meta ka marrë ditën e shtunë. Ngjela cilëson se në fakt ky është një çmim fantazim që përveç Aleksander Vuçiç në 2018 e ka marrë dhe Meta në 2019. Pra një fondacion që të krijimin e saj ka ndarë vetëm 2 çmime. Ndërkohë që avokati Ngjela tha ky fondacion drejtohet nga miku i vjetër i Sali Berishës, pika e dobët e Ilir Metës.

Meta na paska marrë një çmim fantazmë. Vjet e ka marrë këtë çmim Aleksandër Vuçiç. E kuptoni ku jemi? Ky çmim që ka marrë emrin e Luanit të Artë të Venedikut, i cili jepet për filmin më të mirë, është regjistruar në vitin 2017 me të njëjtin emër, por si Luani i Artë për Paqe. Sigurisht që nuk ka lidhje me çmimin e filmit të cilit i ka përvetësuar emrin. Ky çmim që ka marrë Meta drejtohet nga Fondacioni Italian Foedeus që kryesohet nga Mario Baccini: pjesë e tij është edhe miku i vjetër i Sali Berishës Franco Fratini.  Nuk ka të dhëna nëse është ndarë në vitin 2017 ky çmim, por në vitin 2018 ky çmim i është ndarë Aleksandar Vuçiçit, por, në emër të tij, më 1 dhjetor 2018 e ka tërhequr ambasadori i Serbisë në Romë Goran Aleksiç. Fituesi i dytë i çmimit është Ilir Meta.”-shkruan Ngjela në Facebook.

Avokati gjithashtu nuk i la ironitë duke shtuar se ndoshta Metës do i hyjë në punë çmimi si lehtësim për gjykimin e tij në shkelje të kushtetues. “Po ku mund të pyesë drejtësia e re nga çmimet fantazmë! Meta do të shkojë drejt gjykimit për shkelje të kushtetutës, është mirë ta marrë me vete edhe medaljen e çmimit, se mund të ketë lehtësira…”

Përmes një postimi në Facebook presidenti Ilir Meta, ditën e shtunë, njoftoi se është nderuar me çmimin Luani i Artë në Venezia për kontributet e tij në demokraci. Një çmim që askush nuk e di se për çfarë nderohesh edhe po të kërkosh në google.

Gjinushi: Vendimi i Metës më ‘nul’ se dekreti i zgjedhjeve

Pas vendimit të Presidentit të Republikës për të mos njohur Skënder Gjinushin si kryetar i ri i Akademisë së Shkencave, ka ardhur dhe reagimi i Gjinushit. Në një intervistë televizive, Gjinushi është shprehur se vendimi i Metës është më “nyl” se dekreti i zgjedhjeve  “Presidenti na bën të ditur se paska bërë hetim administrativ. Takimi im me presidentin është kërkuar nga unë. Hetimin e bën vetëm organi i ngarkuar me ligj, gjykata. Presidenti bëri hetim, është bërë KQZ e asamblesë së akademisë së shkencave. Por edhe procedurat janë ekstra. Kjo është letër nuk është dekret”.

“Letrën ia kam dërguar pas zgjedhjeve dhe të dytën para tre javëve. Nuk ka të drejtë të ndërmerrte hetim, është personale. Ky është hetim pa dije. Ai thotë bëra një hetim dhe konstatova shkelje. Ai akuzon të gjithë asamblenë se ka shkelur ligjin. Por nuk ka anulim zgjedhjesh, pasi kush do i anulojë. Ky është më nyl se dekreti për zgjedhjet. Nëse atje kërkon të ndalojë zgjedhjet pa u bërë, këtu i quan të pabëra, por pa i thënë. Dekreti duhet të ishte, ‘shpall të pavlefshme zgjedhjet’, por nuk e ka të drejtë dhe nuk ka guxuar” tha ai. Gjinushi ka sqaruar, se vendimi i Ilir Metës nuk është ligjor, pasi sipas tij, Presidenti ka vetëm rol honorifik në rastin e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe rektorit të universitetit.

“Ky është një veprim dramatik, jo për mua por shtetin ligjor. Ja kam thënë disa herë edhe gjatë vonesës së dekretit që të mos politizojë zgjedhjet te Akademia e Shkencave. Ia kam thënë disa herë edhe me mesazhe. Takimin ia kam kërkuar unë. Këtu nuk ka asgjë ligjore dhe je i detyruar që të përsërisësh një refren nyl, pasi Presidenti në rastin e kryetarit të ASH dhe rektorit ka kompetencë honorifike, pavarësisht se përdoret termi emërimin”, është shprehur Gjinushi.

Festa e SHBA bashkon Metën dhe Ruçin, mungon Rama. Basha e Kryemadhi të ndarë në takim!

Presidenti Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi janë shfaqur bashkë në festën e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, me rastin e festës së pavarësisë. Realstory.al ka siguruar një foto, ku kreu i shtetit bashkë me kreun e Kuvendit, rrinë bashkë duke dëgjuar fjalimin e të ngarkuarës me punë të SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Kjo është shfaqja e parë publike e Ilir Metës dhe Gramoz Ruçit, të dy bashkë, që pas vendimit të mazhorancës për shkarkimin e Presidentit. Të dy plitikanët kanë ndjekur fjalimin e Leyla Moses-Ones, e cila ka folur për bazën e funksionimit të shtetit në SHBA, Kushtetutën.

Në Shqipëri, mazhoranca e akuzon Ilir Metën si shkelës të Kushtetutës, me vendimin e datës 10 qershor, ku nxorri dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky ishte një vendim i pabazuar në Kushtetutë, që solli më pas ashpërsimin e marrëdhënieve mes Presidentit dhe Qeverisë, deri në vendimin për shkarkimin e kreut të shtetit. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën rol parësor në mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë, duke i dhënë të drejtë dekretit të fundvitit të kaluar, për zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, si të vetmes datë legjitime kushtuese. Reagimi i SHBA-së për njohjen e 30 qershorit, u pasua nga sulme të paprecedenta të Presidentit ndaj partnerëve tanë strategjik.

Ndërkohë, në festën e organizuar nga ambasada e SHBA, kanë marrë pjesë edhe Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, të cilët janë shfaqur të ndarë në këtë aktivitet. Në sy ka rënë mungesa e Kryeministrit Edi Rama. Mbetet e pakonfirmuar nëse kreu i Qeverisë ka pasur diçka tjetër në axhendë gjatë ditës së enjte, duke mos pasur mundësi për të marrë pjesë në këtë festë, apo kjo ka qenë një zgjedhje e vetë Ramës.

Skip to toolbar