Vranë të riun për kondicionerin, prokuroria kërkon burg për babain e vrasësve dhe 3 të tjerë

Gjykata e Tiranës caktoi të shtunën masën arrest me burg për një nga të arrestuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në rrugën në rrugën “Muhamet Gjollesha”,  i cili po punonte me rregullimin e kondicionerëve në një vilë tre-katëshe. Pas caktimit arrest me burg për 27 vjeçarin Lorenc Veliaj,  kolegu i Indrit Çelajt që u vra nga vëllezërit Kusi dhe dëshmitar i ngjarjes, prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” edhe për 4 të arrestuarit e tjerë.

Katër të arrestuarit Edmond Sula, 43 vjeç, Ferdinand Bakalli 41 vjeç, Luan Çaka 36 vjeç, dhe pronari i vilës që po rikonstruktohej, Bujar Kusi, 54 vjeç do të dalin para gjykatës ditën e diel, ndërsa prokuroria ka dorëzuar kërkesën për caktimin e masës e sigurisë “arrest me burg” për ata.

Konkretisht Edmond Sula, 43 vjeç  akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, Ferdinand Bakalli 41 vjeç dhe Luan Çaka 36 vjeç të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.  Të tre dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar policinë. Arrest me burg është kërkuar edhe për pronarin e vilës, Bujar Kusi, 54 vjeç, babai i dy vëllezërve vrasës, që janë ende në kërkim nga policia.

Indrit Çelaj u vra dy ditë më parë në vilën Kusi, ku po punonte si mekanik për të rregulluar kondicionerin.  Ai humbi jetën pasi u qëllua me një plumb pistolete në kokë nga djemtë e pronarit të ndërtesës ku ai po punonte.  Dy vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, 31 dhe 28 vjeç, pasi qëlluan punëtorin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kërcënuan punëtorin Lorenc Veliaj që shoqëronte Indrit Çelën për të marrë përsipër fajin. Veliaj u arrestua, shumë orë pas krimit, ku me dëshminë e tij ka zbardhur gjithçka ndodhi.  

Vrasja e 26-vjeçarit, Rama: Janë arrestuar 4 kafshë!

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me komentuesit në facebook, të cilët i kanë shkruar në lidhje me vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çelaj në Tiranë. Ndërsa kryeministri ka bërë të ditur se policia e shtetit ka vepruar menjëherë duke zbardhur ngjarjen dhe duke arrestuar 4 “kafshë” shkruan ai, ndërkohë që vijon punën për kapjen e dy autorëve të krimit.

“Patjetër që është përgjegjësia e Policisë së Shtetit, e cila sa për dijeninë tënde e ka zbuluar vrasjen dhe ka arrestuar katër kafshë deri tani! Sa për çfarë kam marrë unë përsiper, ti mos u mërzit, madje merr edhe ti përsipër ndonjë gjë, për shembull mos i hidh plehrat përtokë”, shkruan Rama.

I riu 26-vjeçar, Indrit Çelaj u vra me plumb në kokë ndërsa ishte duke rregulluar një kondicioner në një vilë tre katëshe në rrugën Myslym Shyri në Tiranë. Policia zbardhi ngjarjen dhe zbuloi se i riu u vra nga djemtë e vilës, Griseldo dhe Alban Kusi, që të dy të dënuar më parë për vrasje dhe plagosje. Policia ka vënë në pranga 4 persona për ngjarjen të cilët tentuan të fshihnin të vërtetën dhe nuk bashkëpunuan me policinë, mes tyre dhe babain e djemve Bujar Kusi. Aktualisht policia ka shpallur në kërkim dy autorët e krimit dhe po vijon punën për kapjen e tyre.

Skip to toolbar