Ndryshon strategjia, hapat e rinj për kompensimin financiar të ish pronarëve

Ministria e Financave ka hartuar një strategji të re për kompensimin financiar të ish pronarëve të cilët kanë fituar gjyqin në Strasburg. Strategjia është përfshirë në relacionin që i bashkëngjitet Buxhetit Faktik 2018, që duhet të miratohet si ligj nga ana e Kuvendit të Shqipërisë dhe parashikon që brenda 3 vitesh ish pronarët që kanë fituar gjyqin në Strasburg të kompensohen nga qeveria pasi kanë negociuar për dhënien e pagesës me këste.

Sipas ministrisë, në rast se Strasburgu merr vendime në lidhje me pretendime për pronat nga qytetarë shqiptarë, së pari duhet të kontaktohet Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe më pas organet shtetërore duhet të negociojnë me fituesit e gjyqeve për të rënë dakord për pagesën me këste.

Ndërkohë, për garantimin e shlyerjes në kohë të këtyre vendimeve, MFE ka rekomanduar vazhdimisht përdorimin e të gjitha kanaleve të mundshme institucionale dhe proceduriale, brenda hapësirave që siguron kuadri ligjor në fuqi, duke sugjeruar që vendimet e GJEDNJ-së duhet të dërgohen fillimisht për zbatim në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për kompensim fizik të tyre, nëse kjo parashikohet nga vendimi i Gjykatës.

Nga ana tjetër, sugjerimi është që pjesa tjetër e detyrimit financiar të paguhet sipas mundësive të buxhetit të shtetit me këste, në negocim me përfituesit, shkruan Shqiptarja.com.

Më datën 23 shkurt 2019 ka përfunduar afati i vlerësimit të 24 mijë vendimeve përfundimtare të harkut të viteve 1993 – 2014, që kanë njohur të drejtën për kompensim nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave konform bazës ligjore në fuqi. Agjencia e Trajtimit të Pronave ka informuar subjektet e interesuara për mbylljen e procesit të vlerësimit financiar të vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit. Referuar ligjit në fuqi, brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e ligjit dhe sipas përcaktimeve të tij, ATP-ja, vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë njohur të drejtën e kompensimit.

Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin, subjektit i lind e drejta t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Aktualisht janë mbi 16 mijë dosje, të cilat kanë mbetur pa përgjigje.

Kompensimi fizik, në rast se parashikohet nga vendimet e Strasburgut, do të kryhej nëpërmjet dhënies së pronave që janë tashmë në dispozicion për këtë qëllim.

Skip to toolbar